Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa Françesku: mëshira është stili i të krishterit

Në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Ati i Shenjtë kremton meshën dhe kujton se të krishterët nuk e ndjekin “shpirtin e botës”, por jetojnë “marrëzinë e kryqit”.

R.SH. - Vatikan

“Të jesh i krishterë nuk është e lehtë”, por të bën “të lumtur”: udha që na tregon Ati Qiellor është ajo e “mëshirës” dhe e “paqes së brendshme”. Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku sqaron sërish tiparet dalluese të “stilit të krishterë”, duke u nisur nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës (Lk 6,27-28). Zoti, saktëson Ati i Shenjtë, na tregon si duhet të jetë jeta e dishepullit, duke përdorur, për shembull, Lumnitë apo Veprat e mëshirës.

Kundër logjikës së botës

         Në veçanti, liturgjia e sotme përqendrohet mbi “katër detaje për ta jetuar si duhet jetën e krishterë”: “duajini armiqtë; bëjuni mirë atyre, që ju urrejnë; bekojini ata, që ju mallkojnë; lutuni për ata, që ju trajtojnë keq”. Gjatë homelisë, Papa Bergoglio thekson se të krishterët nuk duhet të merren kurrë me “thashetheme”, nuk duhet të përdorin “logjikën e fyrjeve”, që shkakton vetëm luftë, por të gjejnë gjithnjë kohë “të luten për njerëzit e bezdisshëm”:

         Ky është stili i të krishterit, kjo është mënyra e krishterë e të jetuarit. E nëse nuk i bëj këto katër gjëra? T’i dua armiqtë; t’u bëj mirë atyre, që më urrejnë; t’i bekoj ata, që më mallkojnë; e të lutem për ata, që më trajtojnë keq, nuk jam i krishterë? Po, je i krishterë, sepse ke marrë Pagëzimin, por nuk jeton si i krishterë. Jeton si pagan, me frymën e botës.

Marria e kryqit

         Sigurisht, vijon Papa, është më lehtë “të përgojosh armiqtë, ose ata të një partie tjetër”, por logjika e krishterë shkon kundër rrymës e ndjek “marrinë e Kryqit”. Qëllimi i fundmë, shton Ati i Shenjtë, është të arrijmë të sillemi si bij të Atit tonë Qiellor:

         Vetëm të mëshirshmit i ngjajnë Zotit Atë. “Të jeni të mëshirshëm, ashtu siç është i mëshirshëm Ati juaj”. Kjo është udha, rruga që shkon kundër shpirtit të botës, që mendon të kundërtën, që nuk akuzon të tjerët. Sepse ndërmjet nesh, është akuzuesi i madh, që gjithnjë shkon të na akuzojë para Zotit, për të shkatërruar. Djalli: ai është akuzuesi i madh. E kur hyj në logjikën e akuzimeve, të mallkimeve, duke u përpjekur t’i bëj keq tjetrit, hyj në logjikën e akuzuesit të madh, i cili është shkatërrim. E ai nuk e njej fjalën “mëshirë”, nuk e njeh, nuk e ka jetuar kurrë.

Mëshira e të krishterit

         Jeta, pra, lëkundet ndërmjet dy ftesave: asaj të Atit Qiellor e asaj të “akuzuesit të madh”, “që na shtyn të përgojojmë të tjerët, për t’i shkatërruar”.

         Por, është ai, që po shkatërron! E ti s’mund t’ia bësh këtë tjetrit. Ti nuk mund të hysh në logjikën e akuzuesit. “Por, o Atë, unë duhet të akuzoj”. Po, akuzo vetveten. Do të të bëjë mirë. Akuza e vetme e ligjshme për ne të krishterët, është akuza kundër vetvetes. Për të tjerët, vetëm mëshirë, sepse jemi bij të Atit, që është i mëshirshëm.

13 shtator 2018, 14:07