Rruzarja Shenjte Rruzarja Shenjte 

Papa: në tetor, të themi Rruzaren çdo ditë kundër së keqes, që përçan

Një fushatë lutjeje në tetor, kundër djallit, që e përçan bashkësinë e krishterë. Këtë dëshiron Papa Françesku, i cili dje, u kërkoi besimtarëve të të gjitha kontinenteve t’i luten çdo ditë Zojës dhe Kryeengjëllit Mikel për ta mbrojtur Kishën në këto kohë të vështira.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku i fton besimtarët e gjithë botës të thonë Rruzaren çdo ditë gjatë muajit kushtuar kësaj lutjeje, tetorit. Kësaj radhe me një ndjet të veçantë: t’i luten Zojës dhe Shën Mikelit Kryeengjëll ta mbrojnë Kishën nga djalli, që synon përçarjen e bashkësisë së krishterë. Ati i Shenjtë ia dorëzoi këtë thirrje, për ta përhapur, jezuitit, atë Frederic Fornos, drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes sipas ndjetit të Papës. Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 11 shtator, Françesku pati thënë se lutja është forca që fiton mbi Akuzuesin e Madh, i cili, veçanërisht kohët e fundit, sillet nëpër botë duke akuzuar e duke shkandulluar njerëzit. Kjo fushatë e veçantë lutjeje fillon më 1 tetor, në përkujtimin liturgjik të shën Terezës së Krishtit Fëmijë e synon edhe ta ndërgjegjësojë më shumë Kishën për gabimet e abuzimet e kryera, në një impenjim të ri për të luftuar që e keqja të mos ngadhnjejë. Por, të dëgjojmë vetë atë Fornos:

         Gjatë këtyre viteve e muajve të fundit, në Kishë kemi përjetuar gjendje të vështira, ndër të cilat – siç e dimë – abuzime seksuale, abuzime me pushtetin, me ndërgjegjen, nga ana e klerikëve, e njerëzve të shuguruar dhe nga ana e laikëve, pa harruar ndarjet e brendshme, që sigurisht favorizohen nga shpirti i së keqes, i cili kërkon bashkëpunimin e zemrës sonë e, siç thotë Shën Injaci i Lojolës, është “armiku mortar i natyrës sonë njerëzore”. Në traditën e krishterë, e keqja ka emra të ndryshme. Për shembull, satana, që në hebraisht do të thotë kundërshtar, ose djall, që në greqisht do të thotë “ai që përçan apo që mbjell mosmarrëveshje”. Në traditën biblike flitet edhe për ngashnjyesin e botës, për atin e gënjeshtrës, ose për Luciferin, ai që paraqitet si engjëll i dritës, në dukje i mirë, por mashtrues. E keqja shfaqet në mënyra të ndryshme e sot, misioni i ungjillëzimit të Kishës bëhet më i vështirë e diskreditohet edhe për shkakun tonë, që lejojmë të na kapin pasione si etja për pasuri, për madhështi e të tjera, të cilat nuk ia hapin zemrën jetës së vërtetë.

Kësaj radhe, Rruzarja duhet të përfundojë me një lutje të veçantë, pra…

         Po, Ati i Shenjtë na fton, në fund të Rruzares, të themi dy lutje. E para i drejtohet shën Marisë. Është lutje shumë e lashtë. Quhet “Sub tuum presidium”. Është lutje e shekullit të tretë e të katërt, shumë e bukur, me të cilën kërkojmë mbrojtjen e Zojës:

         “Nën proje tande po ngasim, o Nana shenjte e Tenzot: mos i përbuz të lutunat, qi t'i bajm nder nevojë t'ona; por na pshto kurdoherë prej rreziqesh, o Virgjin e lume e e bekueme”.

         Lutja e dytë është ajo tradicionale, drejtuar shën Mikelit. Është shkruar nga Leoni XIII e na ndihmon të lutemi për mbrojtjen e Kishës:

         “Shën Mëhill kryeengjëll, na mbro në betejë; qofsh mbështetja jonë kundër poshtërsive dhe kurtheve të djallit! Zoti ushtroftë pushtetin e vet mbi të, po të përgjërohemi. E ti, o Princi i ushtrisë qiellore, me pushtetin hyjnor, dëboje në ferr djallin dhe shpirtrat e tjerë të këqinj, të cilët sillen nëpër botë për humbjen e shkatërrimin e shpirtrave. Amen”.

         Janë lutje, që sot nuk njihen shumë, por ka akoma të krishterë, që i thonë. E kjo është koha për t’u lutur më shumë.

29 shtator 2018, 12:00