Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Dita Botërore e lutjes për kujdesin ndaj Krijimit Dita Botërore e lutjes për kujdesin ndaj Krijimit 

Papa Françesku: i papranueshëm privatizimi i ujit, po t’u mohohet të varfërve

“Një shikim, që shkon përtej së menjëhershmes”: këtë kërkon Papa Françesku në mesazhin me rastin e Ditës së sotme Botërore të lutjes për kujdesin ndaj Krijimit, përqendruar tek uji, si element i çmuar e edhe si e drejtë e njeriut.

R. SH. - Vatikan

“Nuk ditëm ta ruajmë Krijimin me pëgjegjësi”. Papa Françesku shkon drejt e në zemër të problemit në Mesazhin e botuar me rastin e Ditës Botërore të lutjes për kujdesin ndaj Krijimit, sivjet kushtuar ujit si element i thjeshtë, por edhe tejet i çmuar, të cilin shumë njerëz e kanë të vështirë, nëmose të pamundur, ta sigurojnë.

T’u mohosh të varfërve ujin, domethënë t’u mohosh jetën

Papa Françesku, duke i kujtuar përsëri njeriut kujdesin ndaj planetit - një nga temat e forta të Enciklikës së tij “Lëvduar qofsh” - thekson edhe borxhin e rëndë shoqëror që u ka bota të varfërve, të cilët nuk kanë mundësi ta sigurojnë ujin e pijshëm. Flet, kështu, për mohimin e së drejtës për jetë. Sepse “mohimi i ujit të pijshëm, është mohim i vetë jetës” - thekson Papa

Privatizimi i ujit dhe të drejtat e njeriut

Françesku nënvizon edhe se uji lidhet me zanafillën e njeriut e të qytetërimeve të mëdha, që lindën pikërisht pranë rrjedhave të ujit, e prandaj, “kujdesi për burimet dhe rezervuaret hidrike - shkruan - është detyrë e ngutshme”. Duhet kapërcyer mendësia utilitaristike, “në një kohë kur kërkohen ngutshëm projekte të përbashkëta e gjeste konkrete, duke pasur mirë parasysh se çdo privatizim i pasurisë natyrore të ujit, që dëmton të drejtën njerëzore për ta siguruar, është i papranueshëm".

Jepuni të pijnë të etshëmve!  

“Ne, të krishterët e konsiderojmë ujin - nënvizon Papa - si element themelor  pastrimi e jete”. Pagëzimi është sakrament i rilindjes, “gurra  e bekuar e një jete, që nuk vdes kurrë më”. Vetë Zoti na kërkon t’ia shuajmë etjen! T’i japësh njeriut të pijë ujë në fshatin global, nuk do të thotë të bësh një gjest bamirësie, por të gjesh rrugëzgjidhje konkrete e të angazhohesh vazhdimisht për t’u garantuar të gjithëve  pasurinë e  dorës së parë, ujin!

Të shpëtohen detet nga plastika

Duke kujtuar, pastaj, detet e oqeanet, Papa kërkon bashkëpunim, atje ku mungojnë rregulloret e kontrollet, për t’i mbrojtur zonat detare përtej kufijve kombëtarë. “Nuk mund të lejojmë që detet të mbushen përplot me ishuj plastike, që pluskojnë mbi ujëra. Edhe për këtë emergjencë jemi të thirrur  të angazhohemi, me mendësi aktive”.

Ujërat, simbol i bashkimit ndërmjet popujve

Papa dëshiron që ujërat të mos jenë simbol i ndarjes së popujve, “por i takimit për mbarë bashkësinë njerëzore”. Prej këndej, ftesa për t’u lutur “që të mbrohet, kush rrezikon jetën mbi valët, në kërkim të një ardhmërie më të mirë”  dhe nxitja e  politikanëve për t’u bërë ballë sfidave të epokës sonë, si emigracioni  dhe ndryshimet  klimaterike “me përgjegjësi e largpamje, duke shikuar edhe të nesërmen, me bujari e frymë bashkëpunimi, posaçërisht ndërmjet vendeve, që kanë më shumë mundësi”. Mendimi i Papës shkon, më në fund, tek ata, që mbrojnë lumenjtë, detet e oqeanet, duke pasur mirë parasysh perspektivën e së mirës së  mbarë familjes  njerëzore, e jo vetëm interesat e veçanta”.

01 shtator 2018, 15:07