Kërko

Papa Françesku, në audiencën me pjesëmarrësit e Kuvendit me temë: “Teologjia e dhembshurisë tek Papa Françesku” Papa Françesku, në audiencën me pjesëmarrësit e Kuvendit me temë: “Teologjia e dhembshurisë tek Papa Françesku” 

Papa Françesku: dhembshuri do të thotë të derdhësh në botë dashurinë e Zotit

Në audiencën me pjesëmarrësit e Kuvendit me temë: “Teologjia e dhembshurisë tek Papa Françesku”, në program nesër në Asizi, Ati i Shenjtë kujton se “dhembshuria e Zotit na bën të kuptojmë se dashuria është kuptimi i jetës”.

R.SH. - Vatikan

Bukuria e dashurisë së Zotit për ne dhe bukuria e dashurisë për të tjerët: këto ishin dy aspekte të së njëjtës ide, me të cilën Papa Françesku iu drejtua pjesëmarrësve të Kuvendit me temë: “Teologjia e dhembshurisë tek Papa Françesku”, që do të fillojë nesër në Asizi të Italisë e do të përfundojë të dielën. Kuvendi është organizuar nga Qendra familjare “Shtëpia e Dhembshurisë”, lindur në vitin 2003, në Peruxhia, me nismën e disa çifteve bashkëshortësh dhe të imzot Carlo Rocchetta. Sot, është vend ku ndihmohen familjet në vështirësi.

Teologjia dhe dhembshuria: lidhje feje

         Feja është lidhja ndërmjet teologjisë dhe dhembshurisë së marrëdhënieve ndërpersonale. Papa Françesku nënvizon, në fjalimin e tij, se dhembshuria zbaton konkretisht dashurinë, që ka Zoti për secilin prej nesh. Ne ndjehemi të dashur prej Zotit, i cili dha jetën për ne deri në Kryq:

         Vërtet, Kryqi është vula e dhembshurisë hyjnore, që merr jetë nga plagët e Zotit. Plagët e tij të dukshme janë dritare, nga të cilat përhapet dashuria e Tij e padukshme. Mundimet e Tij na ftojnë ta shndërrojmë zemrën tonë të ngurtë, në zemër me mish e gjak, e të apasionohemi pas Hyjit. E edhe pas njeriut, për hir të dashurisë së Zotit.

Dashuria është kuptimi i jetës

         E kur njeriu e ndjen se duhet, bëhet i aftë edhe të dojë. Papa Françesku kujton se “Zoti është dhembshuri pa fund, prandaj edhe njeriu, i krijuar sipas ngjashmërisë me Hyjin, është i aftë të shprehë dhembshuri”.

         Atëherë, dhembshuria, larg së qeni sentimentalizëm, është hapi i parë për të kapërcyer mbylljen në vetvete, për të dalë nga egocentrizmi, që e shpërfytyron lirinë njerëzore. Dhembshuria e Zotit na bën ta marrim vesh mirë se dashuria është kuptimi i jetës, prandaj, rrënjët e lirisë sonë nuk i referohen kurrë vetvetes. Dhe ndjehemi të thirrur të derdhim në botë dashurinë, që na e ka dhuruar Zoti, ta lakojmë atë në Kishë, në familje, në shoqëri, ta përdorim në shërbimin e në dhurimin për të tjerët. Gjithçka, jo për detyrë, por për dashuri, për dashurinë e Atij, nga i cili duhemi kaq ëmbëlsisht.

13 shtator 2018, 14:08