Papa: ekonomia, në shërbim të njeriut, jo për t’ia grabitur pasuritë

Më se njëqind sipërmarrësve, pritur në Vatikan, Papa u kërkoi, në Ditën e sotme të lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, ta shfrytëzojnë teknologjinë, për të ndihmuar vendet në vështirësi.

R. SH. - Vatikan

Thirrja për përgjegjësinë e secilit, ishte në qendër të vëmendjes, në fjalimin e Papës Françesku, drejtuar rreth 100 sipërmarrësve, të cilët i priti në Sallën Klementine, në përfundim të takimit të tyre kushtuar Enciklikës “Lëvduar qofsh”. Përgjegjësi kryesisht për të punuar në shërbim të ardhmërisë së Planetit, të ekonomisë, në shërbim të njeriut e të teknologjisë, në ndihmë të vendeve në vështirësi.

Shën Françesku: nga feja, tek respekti për Krijimin

Duke i falënderuar sipërmarrësit për angazhimin në favor të mbrojtjes së Krijimit, Papa i ftoi të ndjekin shembullin e Shën Françeskut, që u kujdes me gëzim e vërtetësi për  të ligshtit e edhe për ekologjinë e gjithanshme. “Për Françeskun - pohoi Papa - çdo kontakt me njerëzit e me sendet konkrete, shndërrohej në takim me Krijuesin. Nga  besimi i tij në Zotin lindi edhe misioni për drejtësinë, paqen e edhe respekti për gjithësinë".

Ekonomia, në shërbim të të varfërve

Fragmenti më i fortë i fjalimit të Papës, ishte ftesa që të gjithë kenë kujdes për ardhmërinë e tokës.

Secili nga ne ka përgjegjësi për të tjerët e për ardhmërinë e Planetit tonë. E po ashtu, ekonomia duhet t’i shërbejë njeriut, e jo ta shfrytëzojë e t’ia grabisë pasuritë. Sot jemi të thirrur t’i shfrytëzojmë mundësitë, që na vë në dispozicion teknologjia, duke i përdorur me kujdes pasuritë e duke i ndihmuar posaçërisht vendet, të cilat vuajnë më shumë nga varfëria e degradimi, që të ecin në rrugën e risimit e të zhvillimit të qëndrueshëm e të gjithanshëm.

Ndarje e përbashkët e  burimeve të çmuara

Papa  uroi që  “të gjithë të jetojnë si bij e bija  të Atit e Krijuesit, që është në qiell”, për të kontribuar “gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më konkretisht në ndarjen e përbashkët  të pasurive të çmuara të tokës”.

 

01 shtator 2018, 16:55