Vatican Pope Vatican Pope 

Papa: e diela është ditë për të bërë paqe me historinë tënde

Pushim nuk do të thotë të arratisesh në botën e dëfrimeve e të prehjes, por të bekosh realitetin. Është ditë për të bërë paqe me jetën tënde. Kështu u shpreh Papa në audiencën e përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar urdhërimit të pushimit.

R. SH. - Vatikan

Paqja e vërtetë nuk gjindet duke e ndryshuar  historinë tënde, por duke e pranuar e duke e vlerësuar. Paqja zgjidhet, nuk imponohet e as nuk gjindet rastësisht. Në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku vijoi reflektimin mbi Dhjetë Urdhërimet e Tënzot, duke e përqendruar katekizmin    tek urdhërimi kushtuar ditës së pushimit dhe shenjtërimit të festave. “Duket urdhërim i kollajshëm”, por nuk është ashtu, sepse  pushimi mund të jetë i vërtetë, por edhe i rremë - kujtoi Françesku.

Industria  e argëtimit: nuk është pushim i vërtetë

Shoqëria e sotme është e etur për “dëfrime”, për “pushime”, e industria e argëtimit e pikturon botën ideale si park i madh lojërash, ku të jetosh do të thotë  vetëm të argëtohesh. Por - kujtoi Papa - shtegtimet, e as lundrimet në vise të panjohura, nuk ta mbushin zemrën. E ka edhe më. “Figura model” që propozohet, është ajo e njeriut të suksesshëm, që mundet e di të gjejë kënaqësitë më të rafinuara. Kjo, mendësia e sotme. E cila  nuk të ngjall kënaqësi të vërtetë, por pakënaqësi, “anestetizim nga dëfrimi”. E ky nuk është pushim, por arratisje nga realiteti. “Njeriu nuk ka pushuar kurrë më shumë se sot, e megjithatë, kurrë nuk ka qenë më bosh sesa sot”- kujtoi Papa.

E diela është ditë për të bërë paqe me jetën

Pikërisht urdhërimi na e shpjegon  se pushimi është çasti i lavdërimit, koha për ta shikuar sy më sy realitetin e për të thënë: “Sa e bukur është jeta!”. Pushimit, parë si arratisje nga realiteti, Dekalogu i kundërvë pushimin “si bekim i realitetit” - shpjegoi Papa. E për të krishterët, qendra e ditës së pushimit, e diela, është pikërisht Eukaristia, që do të thotë “falënderim i Zotit”.

E diela nuk është ditë për t’i shlyer ditët e tjera të javës, por për t’i kujtuar, për të bërë paqe me jetën. Të bësh paqe me jetën!... sa njerëz, që kanë mundësi të dëfrehen, nuk jetojnë në paqe me jetën. E diela është ditë për të bërë paqe me jetën e për të thënë: jeta është e çmuar! Vërtet nuk është e lehtë, shpesh është edhe e dhimbshme, por si në gaz, ashtu në vaj, mbetet tejet e çmuar.

Paqja nuk imponohet, duhet zgjedhur

Si në çastet e vështira, kur edhe mund të dëshpërohemi, ashtu edhe në çastet kur duhet të bekojmë e të gëzohemi, është e nevojshme ta hapim zemrën, për ta pranuar të mirën. E mira nuk imponohet, duhet zgjedhur - nënvizoi Papa Françesku -  ashtu si paqja, që zgjidhet, nuk imponohet e as nuk gjindet rastësisht.

Eshtë e nevojshme të pajtohesh me historinë tënde, edhe me faktet, që duken të papranueshme, me pjesët e vështira të jetës sate. Unë po ju pyes: a jeni pajtuar me historinë tuaj? Pyetje, për të menduar: unë, a pajtohem me historinë time? Paqja e vërtetë nuk gjindet duke e ndryshuar historinë tënde, por duke e pranuar e duke e vlerësuar, ashtu si  e jetove.

Papa mori, pastaj si shembull, të krishterët e sëmurë, që ngushëllohen me një paqe, krejt të panjohur nga dëfrimtarët e hedonistët. Jeta bëhet e bukur, kur nis e mendon mirë për historinë tënde, kur e kupton se në këtë jetë gjithçka ishte hir. E ky mendim i shenjtë e shemb murin shpirtëror të pakënaqësisë, duke i falur njeriut pushimin e vërtetë, prehjen e shpirtit! Kur e kupton se është e vërtetë, ajo që thotë Psalmi: “Vetëm në Zotin pushon ky shpirti im”. “E bukur kjo frazë e Psalmit: ‘Veç në Zotin më pushon shpirti!’”- përfundoi Françesku.

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës polake, Papa iu drejtua posaçërisht fëmijëve dhe të rinjve, që sapo nisën një vit të ri shkollor. “Ky vit- theksoi - qoftë kohë për të përvetësuar dijen, urtinë e edhe për të fituar përvojën e jetës”.

05 shtator 2018, 13:47