Kërko

Papa Françesku në audiencë  me anëtarët e Kongregatës së Bijve të shën Marisë së Papërlyer Papa Françesku në audiencë me anëtarët e Kongregatës së Bijve të shën Marisë së Papërlyer 

Papa Bijve të Shën Marisë së Papërlyer: bëhuni shokë udhe me të rinjtë

Papa Françesku priti në audiencë 150 anëtarët e Kongregatës së Bijve të shën Marisë së Papërlyer, të cilët i nxiti të jetë afër me gjeneratat e reja, sipas gjurmëve të themeluesit të tyre, të Nderuarit don Joseph Frassinetti

R.SH. - Vatikan

Duani gjeneratat e reja dhe bëhuni shokë të udhëtimit të tyre sipas shembullit të Shën Gjon Bosco-s dhe don  Giuseppe Frassinetti. Kjo nxitja që Papa Françesku, u drejtoi sot paradite, në fjalimin e tij, rreth 150 rregulltarëve të Kongregatës së  Bijve të shën Marisë (Virgjër) të Papërlyer, e cila është e përhapur me mision në 6 vende të ndryshme të botës. Papa Françesku i priti rregulltarët në audiencë, në Vatikan, me rastin e 150-vjetorit të vdekjes së themeluesit të tyre, të Nderuarit don Giuseppe Frassinetti, i cili kishte në qendër të shqetësimit të tij baritore formimin e priftërinjve dhe vlerësimin e laikëve.

Ashtu si Don Frassinetti dhe Don Bosco

Papa Bergoglio i nxiti rregulltarët të vazhdojnë të ecin rrugës së themeluesit të tyre: do të thotë të punojnë për promovimin e apostullimit laik dhe të përforcojnë bashkëpunimin vëllazëror ndërmjet klerit e besimtarëve laikë. Këtu, Papa kujtoi edhe Sinodin e ardhshëm të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, që do të fillojë më 3 tetor, si një ngjarje të rëndësishme kishtare,  që ka në qendër të vëmendjes pikërisht afrimin, dëgjimin dhe bashkëpunimin me besimtarët laikë, posaçërisht me të rinjtë, që janë e sotmja dhe e ardhmja e Kishës dhe e shoqërisë.

Don Frassinetti, ashtu si shoku i tij Don Bosko, e patën kuptuar shumë mirë rolin strategjik që ka brezi ri në një shoqëri dinamike dhe të projektuar drejt së ardhmes. Prandaj, ju bëjë thirrje t’i duani gjeneratat e reja, të jeni shokë të udhës së tyre, t’i shoqëroni nga afër në rrugën e tyre, e cila nganjëherë duket pa cak, si udhë e çorientuar, por që sigurisht është e pasur me ëndrra, të cilat edhe ato janë pjesë të thirrjes së Zotit.

I Nderuari don Frassinetti , në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kujtoi Papa,  ka pasur një vend të rëndësishëm në përhapjen e idealit të shenjtërimit të popullit të Zotit. Ideal që duhet vënë në përdorim të përditshëm, që duhet mishëruar mirë në veprimtarinë dhe jetën e përditshme, theksoi Papa në fjalimin drejtuar anëtarëve të Kongregatës së Bijve të Shën Marisë së Papërlyer.

Angazhimi vokacional

Edhe veprimtaria në fushën e thirrjeve të shenjta është gjithashtu në qendër të misionit të Bijve të Shën Marisë së Papërlyer. Në këtë kuptim dhe në këtë drejtim –tha Papa – ju si rregulltarë duhet të bashkëpunoni me Zotin për të përgatitur "terrenin e mirë" për thirrje të shenjta, ashtu sikur është i rëndësishëm edhe formimi fillestar dhe ai permanent i meshtarëve për një jetë rregulltare shembullore.  E në këtë këndvështrim lypet edhe "një besnikëri dinamike ndaj identitetit karizmatik", që është, aftësia e shqyrtimit, por edhe aftësia e të dëgjuarit dhe e dialogut.

20 shtator 2018, 16:20