Papa, bashkësisë hebraike të Romës për festën e Rosh Ha-Shannah
R.SH. - Vatikan
“Me rastin e festave solmene të Rosh Ha-Shanah, të Yom Kippur-it dhe të Sukkot-it, ju bëj me kënaqësi juve dhe gjithë bashkësisë hebraike të Romës urimet e mia më të sinqerta”: kështu shkruan Papa Françesku në një mesazh për bashkësinë hebraike të Romës, që u bë i njohur sot. “Uroj me përzemërsi që festat e afërta, duke përtërirë kujtimin e të mirave të marra nga i Tejetlarti, të jenë për bashkësitë hebraike në botë, burim hiri të mëtejshëm dhe ngushëllimi shpirtëror”. “Në mirësinë e Tij të pafundme, [i Tejetlarti] forcoftë kudo lidhjet tona të miqësisë dhe dëshirën për të favorizuar dialogun e vazhdueshëm për të mirën e të gjithëve. Shalom Alechem”.
Ditët e festës
Rosh Ha-Shannah (Viti i Ri hebraik) është festuar tashmë nga data 9 deri më 11 shtator. Ndërkaq, Yom Kippur-i, dita e pendesës dhe e shpërblimit të mëkateve për hebrenjtë, do të festohet nga 18 deri më 19 shtator. Ndërsa Sukkot-i, apo festa e tëbanave, është festë shtegtimi për hebrenjtë e kremtohet nga 23 deri më 30 shtator, për shtatë ditë rresht.
Rosh Ha-Shannah
Rosh Ha-Shannah është Viti i ri fetar, një nga tre të parashikuarit nga kalendari hebraik. Në Torah flitet për të si “dita e rënies së Shofarit”. Letërsia rabinike e përshkruan si “Dita e gjykimit”, ose “Dita kujtimit”. Tregohet se Zoti ulet në fronin e tij, duke mbajtur përpara të gjitha librat, që përfshijnë historinë e njerëzimit (jo vetëm atë të popullit hebraik). Ҫdo njeri shqyrtohet për të vendosur nëse meriton faljen apo jo.
Yom Kippur
Është dita hebraike e pendesës, konsideruar si më e shenjta dhe solemne e vitit. Tema qendrore është shlyerja e mëkateve dhe pajtimi. Fillon në mbrëmje e përfundon në perëndimin e ditës së nesërme, kur duken yjet e para, pra, zgjat 25 ose 26 orë. Riti i Yom Kippur-it përmendet katër herë në Torah (Dalja 30,10, Levitiku 23,27-31 dhe 25,9; Numrat 29,7-11). Gjatë agjërimit, nuk lejohet as të hahet as të pihet, e vlejnë të njëjtat rregulla si për të shtunën hebraike. Yom Kippur-i plotëson peridhën 10-ditore të pendesës, që fillon me Rosh Ha-Shannah.
Sukkot
Festa e Sukkot-it kujton jetën e popullit të Izraelit në shkretëtirë gjatë udhëtimit drejt Tokës së premtuar, tokës së Izraelit. Gjatë shtegtimit, hebrenjtë jetonin në tëbana apo tenda(sukot).