Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Sinodi i ipeshkvijve me Papën Françesku Sinodi i ipeshkvijve me Papën Françesku 

Kushtetuta apostolike "Episcopalis communio" e Papës Françesku mbi Sinodin e ipeshkvijve

Dy javë para fillimit të Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, publikohet Kushtetuta Apostolike e Papës Françesku “Episcopalis communio”, që ka të bëjë me strukturën e organizmit të themeluar nga Pali VI, në vitin 1965.

R.SH. - Vatikan

Këshillimi me Popullin e Zotit dhe Kisha sinodale, në të cilën edhe ushtrimi i primatit pjetrin mund të shndritet e të marrë forma të reja. Këto janë disa nga aspektet më kryesore të Kushtetutës apostolike “Episcopalis communio”, që përcakton strukturën e Sinodit të Ipeshkvijve, paraqitur publikisht sot në Vatikan. Data e saj është 15 shtatori, pra, më pak se një muaj nga 3 tetori, dita e fillimit të Asamblesë XV të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve me temë “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”.

Për të mirën e gjithë Kishës

         Pasi kujton se ky institucion u themelua nga Papa Pali VI më 15 shtatorin e vitit 1965 dhe mbetet “një nga trashëgimitë më të çmuara të Koncilit II të Vatikanit”, Françesku nënvizon “bashkëpunimin e frytshëm” të Sinodit të ipeshkvijve me Papën e Romës, përsa u përket çështjeve të rëndësishme, atyre që “kërkojnë njohuri dhe maturi të veçantë për të mirën e gjithë Kishës”. Në një çast historik, në të cilin Kisha po hyn në “etapën e re të ungjillëzimit”, përmes “gjendjes së përhershme të misionit”, shton Papa, Sinodi i ipeshkvijve duhet “të bëhet gjithnjë e më shumë një kanal i përshtatshëm” për ungjillëzimin e botës së sotme.

Sekretaria e Përgjithshme

         Që në kohën e tij, Papa Montini pati parashikuar se, me kalimin e kohës, ky institucion do të kishte nevojë për përsosje: më 2006, edicioni i fundit i Ordo Synodi, miratuar nga Benedikti XVI, parashikonte themelimin dhe përforcimin gradual të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, përbërë nga Sekretari dhe nga një Këshill i veçantë ipeshkvijsh.

Përkujdesje e episkopatit për të gjitha Kishat

         Gjithashtu, duke parë frytshmërinë e veprimtarisë sinodale “para çështjeve që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të përbashkët të barinjve të Kishës”, gjatë këtyre viteve, është ndjerë nevoja që Sinodi të bëhet gjithnjë e më tepër “manifestim i veçantë dhe zbatim i frytshëm i përkujdesjes së episkopatit për të gjitha Kishat”. Në Kushtetutën e paraqitur sot, shprehet bindja e përhershme e Kishës se të gjithë barinjtë e saj janë në “shërbim të Popullit shenjt të Zotit, të cilit i përkasin, për shkak të sakramentit të Pagëzimit”.

Dëgjimi

         Ipeshkvi, nënvizon Papa Françesku, është njëkohësisht “mësues e dishepull”; impenjimi i tij është mision, por edhe dëgjim i zërit të Krishtit, që kalon përmes Popullit të Zotit, në mënyrë që ta bëjë atë ta pagabueshëm kur pranon doktrinën si dogmë (infallibilitas in credendo). Edhe Sinodi, atëherë, “duhet të bëhet gjithnjë e më shumë mjet i privilegjuar i dëgjimit të Popullit të Zotit”, përmes këshillimit me besimtarët e Kishave të ndryshme, sepse si organizëm ipeshkvnor, ai nuk jeton i ndarë nga besimtarët. Pra, Sinodi është “mjet i përshtatshëm për t’i dhënë zë krejt Popullit të Zotit, pikërisht përmes ipeshkvijve”, “rojtarë, interpretues dhe dëshmitarë të fesë”, që nga asambleja në asamble e fuqizojnë “sinodalitetin” e Kishës, duke shprehur bashkimin e kulturave të ndryshme në të. Edhe falë Sinodit të Ipeshkvijve, thekson Papa në Kushtetutën e re, do të duket më qartë bashkimi ndërmjet barinjve dhe besimtarëve, si edhe uniteti ndërmjet ipeshkvijve dhe Atit të Shenjtë.

Bashkimi i gjithë të krishterëve

         Papa Françesku shpreson që veprimtaria e Sinodit të kontribuojë edhe për bashkimin e gjithë të krishterëve. Kështu, ai do ta ndihmojë Kishën Katolike që, sipas urimit të shën Gjon Palit II në eciklikën “Ut unum sint”, të gjejë një formë për ushtrimin e primatit pjetrin, i cili, “pa hequr dorë aspak nga thelbi i misionit të tij, të hapë horizontin mbi një situatë të re”.

18 shtator 2018, 11:36