Kërko

Takimi i shurdhëve në Amazonë Takimi i shurdhëve në Amazonë 

Dita Botërore e Shurdhëve. Papa: të krijohet mendësia e përfshirjes

Me rastin e Ditës së 60-të Botërore të Shurdhëve, Mesazh i Papës Françesku: “Jemi të thirrur të shkojmë kundër rrymës”, për të drejtat e çdo njeriu.

R.SH. - Vatikan

Një mesazh për të shprehur afërsinë e tij, në pritje të një takimi. Kjo është arsyeja, për të cilën Papa Françesku i shkruan sot Organizatës Italiane të Shurdhëve, ENS, - "e angazhuar në luftën kundër mënjanimit, në favor të promovimit të vlerës së jetës" - në 60-vjetorin e themelimit të Ditës Botërore të Shurdhëve.

Angazhimi, sakrifica, betejat e përditshme

"Ajo e ENS-së", shkruan Françesku, "është histori e shkruar nga njerëz që besuan në bashkimin, në solidaritetin, në qëllimet e përbashkëta, në forcën e bashkësisë, në kuadrin e një udhe të gjatë, pikëzuar me përparime, sakrifica, beteja të përditshme: histori, e shkruar nga ata, që nuk u dorëzuan dhe vazhduan të besojnë në mundësitë e njerëzve të shurdhër. Ky është rezultat i madh, nëse mendoj për shumë të shurdhër dhe për anëtarët e familjes së tyre, të cilët, përballë sfidës së aftësisë së kufizuar, ndihen më të vetmuar ".

Të shkojmë kundër rrymës

Ftesa e Papës është të "shkojmë kundër rrymës”, duke luftuar për dinjitetin e burrave dhe të grave, për mikpritjen dhe autonominë e shurdhëve. "Sfida - shkruan Ati i Shenjtë - është që përfshirja të bëhet mendësi dhe kulturë e që ligjvënësit dhe pushtetarët të mos mungojnë ta mbështesin këtë kauzë, me koherencë e konkretisht". Përveç zhdukjes së barrierave arkitektonike, duhet të garantohen të drejtat. "Ne duhet të angazhohemi", shkruan Papa, "të hedhim poshtë të gjitha pengesat, që nuk mundësojnë marrëdhënie e takime në autonomi, për të arritur në përfshirjen e vërtetë në shoqëri. Kjo vlen si për shoqërinë civile, ashtu edhe për bashkësinë kishtare", nënvizon Françesku impenjimin e Kishës Katolike në këtë fushë.

28 shtator 2018, 16:28