Vatican Pope Angelus Vatican Pope Angelus 

Dhurata e Papës shtegtarëve: mijëra kryqa të shpërndarë nga të varfrit dhe refugjatët

Sot besimtarëve tё pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, pas lutjes sё Engjёllit tё Tёnzot, iu dhurua një kryq i Krishtit. Papa kujton: Në Kryqin e Krishtit është e gjithё dashuria e Zotit, aty ёshtё mëshira e Tij e pakufishme.

R.SH. - Vatikan

Njё kryq i Krishtit, i vogёl, kjo dhurata e Papës pёr besimtarët e pranishëm nё lutjen e mesditës tё Engjëllit Tёnzot, në Sheshin e Shёn Pjetrit, nё Vatikan, që u shpërnda nga 300 të varfër, , refugjatë dhe vullnetarë që bashkëpunojnë me Lёmoshtarinё Apostolike.

Ati i Shenjtё Bergoglio u kujtoi besimtarëve se kryqi: «Është falas, por ju kërkon lutje e kundrim».  Kryqi i Krishtit shoqërohej me një frazë qё Papa Françesku pati shqiptuar gjatë Udhës sё Kryqit, kremtuar Ditën Botërore të Rinisë,  në Brazil në vitin 2013: "Në Kryqin e Krishtit është e gjithё dashuria e Zotit, aty ёshtё mëshira e Tij e pakufishme".

Kështu, pas shpërndarjes së Ungjillit në formatin e xhepit, dhe "Misericordina", dje, Papa Françesku u bëri një tjetër surprizë mijëra besimtarëve që luteshin Engjëllin e Tёnzot, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Dëshmitë e të rinjve dhe tё vullnetarëve

Për Vatican News, Angelo Chiorazzo i Kooperativës AUXILIUM, shpjegon se për t’u shpërndarë kryqat tё pranishmëve nё lutjen e Engjёllit tё Tёnzot, në Sheshin e Shën Pjetrit ka ardhur një numër i madh emigrantësh të rinj nga vendet e ndryshme të botës, tё rinj nga shtёpitё-familje dhe nëna me fëmijë.

Kryqi, jo vetëm simbol përkatësie, por shenjë e dashurisë së Zotit

Kryqi nuk duhet mbajtur vetëm si shenjë përkatësie, si “distinktiv”. I Kryqëzuari duhet parë si “ai Zot, që dha jetën pёr faljen e mëkateve tona”, për të na shpëtuar. Kjo, porosia e Papës Françeskut në homelinë e Meshës së 4 prillit 2017, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Në liturgjinë e kёsaj dite, 4 prill 2017,  nё fragmentin e Ungjillit nga Gjoni (Gv 8,21-30) Jezusi kujton: “Atëherë, kur do të ngrihem lart, të gjithë do të vijnë tek unë!”. Ky - kujtoi Papa Françesku - është misteri i kryqit.

Jezusi, pra, u lartua mbi kryq, që të gjithë njerëzit e plagosur nga mëkati, ta shikonin e në Të të gjenit shëlbimin. E kush nuk njeh në këtë Njeri të lartuar mbi Kryq forcën e Zotit?! Shpëtimi vjen vetëm nga kryqi, por nga ai Kryq, që është Zot i mishëruar. Nuk ka shpëtim në idetë, nuk ka në vullnetin e mbarë, në dëshirën për të qenë i mirë… Jo! I vetmi shpëtim është Jezu Krishti i kryqëzuar, sepse vetëm Ai, qe i zoti ta marrë mbi vete gjithë helmin e mëkatit të njerëzimit dhe tё na shëroi atje, mbi kryq!

Por ç’është kryqi për ne?

Po, kryqi është shenja e të krishterëve, simboli i të krishterëve. E ne bëjmë shenjën e kryqit, por jo gjithnjë e bëjmë mirë, sepse nuk e kemi besimin e duhur në kryqin e Krishtin. Herë të tjera, për disa njerëz, kryqi është distinktiv përkatësie: ‘E po, unë e mbaj kryqin, që të gjithë ta shohin se jam i krishterë’. Gjë e mirë kjo, por kryqi nuk mbahet vetëm si disktinktiv, si të ishte distinktivi i ndonjë skuadre. Duhet mbajtur si kujtim i Atij, që  e dhuroi jetën për dashurinë që ka ndaj nesh”.

Ka, pastaj, të tjerë, që e mbajnë kryqin si stoli, madje disa e mbajnë kryqe me gurë të çmuar, për t’u dukur – kujtoi akoma Papa Françesku: Jezusi u tha armiqve të tij: ‘Kur ta shihni Birin e njeriut të lartuar, atëherë do ta njihni’. Kush nuk e shikon kryqin  kështu, me fe, do të vdesë në mëkatet e veta, nuk do ta marrë shëlbimin”.

Ta pyesim veten: “Si e mbaj Kryqin?”

Kisha propozon dialogun me misterin e kryqit: “Kisha na propozon dialogun me misterin e kryqit, me këtë Zot, që u bë mëkat nga dashuria për mua. E secili nga ne mund të thotë: “Nga dashuria për mua”. E mund të mendojmë edhe: si e mbaj kryqin? Si kujtim? Kur e bëj shenjën e kryqit, a jam i vetëdijshëm për atë, që po bëj? Si e mbart kryqin? Vetëm si simbol, që tregon se i përkas një grupi fetar? Si e mbaj kryqin? Si stoli? Si zbukurim, me shumë gurë të çmuar, prej ari… ? A jam mësuar ta mbart mbi shpatulla, ku të rëndon e të gjakos? Secili nga ne sot ta shikojë Kryqin, të shikojë këtë Zot të bërë mëkat, që ne të mos vdisnim në mëkatet tona e t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, që ju bëra”.

 

Shikoni brenda kryqit plagёt e Krishtit, kryqi nuk është stoli

Në Engjëllin e Tënzot tё 18 marsit 2018, duke komentuar Ungjillin e dielës sё 5-tё tё krezhmёve,  nga Ungjilli i Gjonit (Gv 12, 20-23) Papa Françesku tha:  “Ungjilli i kësaj se diele na fton t’ia ngulim sytë kryqit të Krishtit, që nuk është objekt dekorativ, as pjesë e veshjes - nganjëherë i shpërdoruar - por simbol fetar për t’u kundruar e për t’u kuptuar”.

Në figurën e Krishti të kryqëzuar zbulohet misteri i vdekjes së Birit të Zotit, si akti më i lartë i dashurisë, burim jete e shëlbimi për njerëzimin e  të gjitha kohëve. Prandaj Papa Bergoglio nxiti për të parë brenda kryqit, për ta kundruar Jezusin e kryqëzuar nga brenda, për t’i soditur plagët e Zotit: “Mos e harroni këtë: ta shikosh kryqin, po jo përjashta. Ta shikosh përbrenda. Duke kujtuar edhe devocionin e bukur, që të fton të thuash një Atynë për secilën nga pesë plagët e Krishtit: sepse kur themi Atynën, kërkojmë të hyjmë në plagët e Jezusit, brenda plagëve, drejt e në zemrën e Tij. E aty do të mësojmë urtinë e madhe të misterit të Krishtit, dijen e madhe të kryqit". 

16 shtator 2018, 17:33