Kërko

 Takimi Botëror i Familjeve: vullnetarët në punë Takimi Botëror i Familjeve: vullnetarët në punë 

Dublini hap krahët për të mikpritur Takimin e Familjeve

Të hënën e ardhshme fillon, në Dublin, Takimi IX botëror i Familjeve, përqendruar tek enciklika e Papës Françesku, Amoris Laetitia. I jepet dora e fundit përgatitjeve për një ngjarje kaq të madhe e kaq të pritur: Papa i fundit, që vizitoi Irlandën, ishte Gjon Pali II, më 1979.

R. SH. - Vatikan

“Familja a vijon të jetë lajm i mirë për botën e sotme?”. Këtë pyetje u drejton Françesku prindërve, fëmijëve e gjyshave që, nga mbarë bota, do të mblidhen në Dublin nga 21 deri më 26 gusht, me rastin e Takimit IX Botëror të Familjeve.  “Unë jam i sigurt se po - përgjigjet në thirrjen e marsit 2017,  përmes së cilës i fton familjet të marrin pjesë në ngjarjen e madhe - dhe e gjithë kjo – shton - bazohet fuqimisht mbi planin  e Zotit”. Në Letrën drejtuar me këtë rast kardinalit Farell, prefekt i dikasterit për Laikët, Jetën e Familjen - Papa uron edhe që Takimi i  Dublinit të jetë rast i përshtatshëm për t’i ndarë bashkë mësimet e Amoris laetitia e për t’u thelluar në përvetësimin e saj. Pikërisht nxitja pas-sinodale është në qendër të ngjarjes së madhe të Irlandës, duke nisur që nga tema: “Ungjilli i Familjes, gëzim për botën”. Amoris quhet edhe platforma e burimeve multimediale dhe interaktive mbi familjen, që gjinden në faqen e internetit www.worldmeeting2018.ie si dhe në kanalet e mjeteve të komunikimit të Takimit.

Në Meshën e Papës priten 500 mijë vetë

Ngjarja - Takimi II Botëror i Familjeve me Françeskun, pas atij të Filadelfias më 2015 - do të fillojë më 21 gusht në të gjitha dioqezat e Irlandës, duke nisur nga Dublini, ku do të jenë të pranishme familjet e më se 116 vendeve. Nga 22 deri më 24 gusht do të mbahet Kongresi baritor me diskutime, ballafaqime, dëshmi, e edhe me një program të veçantë veprimtarish për të rinjtë e fëmijët. Për ta u krijua një figurë simbolike, Éirinn, një dele simpatike irlandeze  që, siç na e shpjegojnë organizatorët e takimit, “bën pjesë në një grigjë”, ashtu si secili prej nesh është anëtar i rëndësishëm i familjes së Zotit. Të shtunën, më 24, do të  zhvillohet Festivali i familjeve, në Crock Park, me Papën Françesku e me pjesëmarrjen e rreth 80 mijë vetëve; ndërsa të diel, më 26, në Phoenix Park, takimi do të përfundojë me Meshën e madhe, kremtuar nga Papa, në të cilën priten 500 mijë vetë.

Sfidë e madhe për Kishën irlandeze

Mbarë Kisha vendase është mobilizuar për këtë ngjarje, që do ta shikojë Papën duke u kthyer në Irlandë pas më se 40 vjetësh: vizitën e fundit apostolike në ishull e pati bërë Papa Gjon Pali II, në vitin 1979. Janë më se 10 mijë, vullnetarët nga i gjihtë vendi, që u treguan të gatshëm  për të siguruar suksesin e takimit. Me këtë rast Papa Françesku vendosi t’u japë ndjesën e plotë ose të pjesshme, të gjithë atyre që do të marrin pjesë ose  do ta ndjekin përmes mediave, një nga ngjarjet e Takimit. Nga ana e saj Kisha në Irlandë - nënvizon kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin - është e vetëdijshme për sfidën, që ia besoi Françesku “jo vetëm në aspektin organizativ të kësaj ngjarjeje botërore, por edhe, e sidomos, sfidën për t’i kujtuar, një shoqërie moderne si ajo irlandeze, sa e rëndësishme është familja për ardhmërinë e Irlandës”.

Të shumta, temat, nga feja, tek përdorimi i teknologjive të reja

Kongresi baritor do t’u ofrojë pjesëmarrësve (më se 37 mijë  të regjistruar, nga të cilët 6 mijë nën moshën 18 vjeç, një rekord për takimet botërore të familjeve), mundësinë të ballafaqohen mbi një sërë temash  me rëndësi të dorës së parë për jetën familjare, të frymëzuara nga Amoris laetitia. Ndërmjet tyre, transmetimi i fesë, sfida e teknologjive të reja për familjen, pasojat e konflikteve familjare për fëmijët. E akoma, roli i grave në nivelin lokal e global, mirëpritja e homoseksualëve ndër famulli, kontributi i familjeve për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rolin e shkollës e të formimit edukativ, për të dalë nga varfëria. Posaçërisht domethënëse, në një tokë që vuajti tmerrësisht nga shkandulli i shpërdorimeve seksuale, tryeza e rrumbullakët e 24 gushtit mbi mbrojtjen e të miturve, në të cilën do të marrë pjesë, ndërmjet tjerësh, edhe Mary Collins e cila, pasi i pësoi shpërdorimet, u bë zëri më i fuqishëm që vijon të ngrihet në mbrojtje të fëmijëve!    

17 gusht 2018, 11:16