Videomesazh i Papës për udhëtimin apostolik në Irlandë
R.SH. - Vatikan
Takimi Botëror i inkurajoftë familjet të kujtojnë “vendin thelbësor të tyre në jetën e shoqërisë e në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë”. Kështu pohon Papa Françesku në videomesazhin e publikuar para udhëtimit apostolik në Irlandë - të shtunën, 25 gusht e të dielën, 26 gusht - për Takimin Botëror të Familjeve, që u hap dje në Dublin.
“Të rinjtë janë e ardhmja! Është shumë e rëndësishme të përgatiten të rinjtë për të ardhmen, të përgatiten sot, në të tashmen, por me rrënjë në të kaluarën: të rinjtë e gjyshërit. Është shumë e rëndësishme”.
Sfida e familjeve
Takimi IX Botëror i Familjeve në Dublin përbën rast për t’u takuar e për ta mbështetur njëri-tjetrin në plotësimin e misionit të ngarkuar nga Zoti. Me të vërtetë, Papa e di se “familjet, sot, përballojnë shumë sfida, në përpjekjet e tyre për të mishëruar dashurinë besnike, për të rritur fëmijët me vlera të shëndosha e për të qenë tharm mirësie, dashurie e kujdesi të ndërsjelltë në bashkësinë më të gjerë”. Ati i Shenjtë përqafon virtualisht të gjithë irlandezët, duke uruar të shtohet “bashkimi dhe pajtimi ndërmjet gjithë besimtarëve në Krishtin, si shenjë e asaj paqeje të qëndrueshme, e cila është ëndrra e Zotit për krejt familjen njerëzore”.