Kërko

Papa Françesku në Irlandë Papa Françesku në Irlandë 

Tweet i Papës: Zoja përforcoftë familjen, që të mos lejojë abuzime

“I lutem Zojës sonë të Bekuar të ndërhyjë për shërimin e gjithë njerëzve, që kanë pësuar abuzime të çdo lloji e të përforcojë në fe çdo anëtar të familjes së krishterë në vendosmërinë për të mos lejuar më kurrë të përsëriten këto gjendje”.

R.SH. - Vatikan

Me këto fjalë të tweet-it të parë të sotëm, shkruar nga Papa Françesku, mund të përmblidhet udhëtimi i 24-t apostolik i Atit të Shenjtë, që e çoi dje e sot në Irlandë, për të marrë pjesë në Takimin Botëror të Familjeve, por edhe për të përforcuar në fe Kishën irlandeze. Dy, pistat kryesore, mbi të cilat ecën takimet e fjalimet e Atit të Shenjtë: gëzimi e festa e familjeve dhe çështja e abuzimeve me të miturit, nga ana e anëtarëve të klerit. Të dyja, Papa i përballoi me pjekurinë e bariut, që e di mirë rëndësinë e të këtyre argumenteve për shoqërinë dhe për Kishën.

Atit të Shenjtë iu desh të përdorë fjalë të ashpra për abuzimet, të cilat kërkoi të mos përsëriten më kurrë, por takoi edhe familjet, duke i përforcuar në fe e duke u kërkuar ta ndryshojnë botën, që shpërdorime të tilla të mos kenë vend në të. E pikërisht takimi me familjet, ardhur nga të pesë kontinetet, në festën e djeshme në stadiumin e kryeqytetit irlandez, por edhe në meshën, që do të e kremtohet sot, në Phoenix Park të Dublinit, janë përqafimi i Papës për bashkëshortët e krishterë e për fëmijët e tyre, të përfshirë në vorbullën jo të lehtë të shoqërisë së sotme.

26 gusht 2018, 13:17