Takimi Botëror i Familjeve, Dublin 2018 Takimi Botëror i Familjeve, Dublin 2018 

Takimi i Dublinit. Françesku: të lutemi për familjet e botës

Tweet i Papës Françesku për Takimin Botëror të Familjeve, që do të fillojë sot, në Dublin. Papa do të jetë në Irlandë të shtunën e ardhshme e të diel do të kremtojë një Meshë të madhe, në Dublin, ku priten më se 500 mijë vetë.

R: SH. - Vatikan

“Sot në Dublin, do të fillojë Takimi Botëror i Familjeve#Famiglie. Të bashkohemi në lutje për familjet e mbarë botës, posaçërisht për ato, që kalojnë çaste të vështira. @WMOF2018@LaityFamilyLife”. Ky, tweet-i i botuar sot paradite nga Papa Françesku, kushtuar Takimit IX Botëror të Familjeve, që do të fillojë sot në kryeqytetin irlandez, me pjesëmarrjen e familjeve nga 116 vende të të pesë kontinenteve.

Hapet Takimi i Familjeve, në shenjën e lutjes

Ceremonia e hapjes së Takimit Botëror të Familjeve, me temë “Gëzimi i dashurisë në familje, është edhe gëzim i Kishës”, do të karakterizohet nga lutja me një përmasë të posaçme ekumenike. Ceremonia do të zhvillohet  në mbrëmje, njëkohësisht në Dublin dhe në të 26 dioqezat  e Irlandës. “Do të fillojmë duke kujtuar se ecim mbi gjurmët e Shenjtorëve, që na transmetuan fenë e tyre - nënvizojnë organizatorët e takimit. - Presim Krishtin, që është drita jonë e pambaruar e këndojmë himne, Psalme, këngë e djegim temjan e i lutemi  Zotit, Atit tonë, për mbarë familjen njerëzore”.

Që nesër, Kongresi baritor, duke pritur Papën

Nesër, në RDS (Royal Dublin Society) Arena të Dublinit, do të fillojnë punimet e Kongresit baritor, që do të vijojë tri ditë, me më se 60 workshop e debate, të gjitha të përqendruara mbi Amoris laetitia. Në Letrën e thirrjes për Takimin Botëror të Familjeve, Papa Françesku pati kërkuar që kjo ngjarje e madhe, si dhe përgatitja e saj, të mund t’u krijonin familjeve mundësinë “për ta thelluar reflektimin e tyre për përmbajtjen e Nxitjes  Apostolike pas-Sinodale”. Në Kongres  nuk do të mungojnë kënde për fëmijët dhe mjedise kushtuar të rinjve. Takimi do të arrijë kulmin në mbrëmjen e 25 gushtit, me Festivalin e familjeve e, më 26, me Meshën e madhe në Phoenix Park, që të dyja, në praninë e Papës.

21 gusht 2018, 10:26