Kërko

Festa e familjeve. Papa: asnjë familje nuk është e përkryer, duhet falur!

“Jeni shpresa e Kishës dhe e botës!”. Këto, fjalët që Papa Françesku u drejtoi mijëra familjeve, mbledhur në Croke Park Stadium të Dublinit për Takimin IX Botëror të Familjeve. “Të rrezatojnë gëzimin e dashurisë së Zotit, të sjellin paqen, të jenë kundërhelm i urrejtjes, ta falin njëri-tjetrin, sepse pa falje familja dalëngadalë shembet”: këto, porositë kryesore të Papës.

R. SH. - Vatikan

Erdhi edhe çasti i shumëpritur: mbrëmë, në Dublin, u kremtua festa e familjeve, ardhur nga 114 vende. Festë e madhe në Croke Park Stadium, ku 75 mijë vetë - sipas të dhënave të organizatorëve -  e pritën Papën me gëzim të madh. Flamujtë shpaloseshin në ajër, ndërsa këngët, vallet dhe zëri i Andrea Bocellit ngrohnin zemrat. Fjalimit të Papës i paraprinë dëshmitë e disa familjeve të pranishme, pasuruar me video. Pastaj, fjalimi i Papës, ngarkuar me gëzim e inkurajim. Fjalim  që - i ndërprerë disa herë nga duartrokitjet - u përqendrua mbi misionin e familjes në botën e sotme, duke u nisur nga vetë tema e këtij Takimi Botëror: “Ungjilli i familjes, gëzim për botën”.

Me dëshminë që jepni për Ungjiillin, mund ta ndihmoni Zotin për të realizuar ëndrrën e Tij. Mund të kontribuoni për t’i bërë të afrohen rishtas të gjithë bijtë e Zotit, që të rriten në unitet  e të mësojnë ç’do të thotë për mbarë botën, të jetosh në paqe, si një familje e vetme.

Duke folur disa herë lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa kërkoi që fëmijët të pagëzohen ende të vegjël, sepse fëmija kështu, me Shpirtin Shenjt, është më i fortë, ka në shpirt forcën e Zotit.

Rrezatojeni gëzimin e dashurisë së Zotit!

Që të jetë vërtet gëzim për botën, në familje duhet gjetur Jezusi- nënvizoi Papa. Familjet, si fanar, duhet të rrezatojnë gëzimin e dashurisë së Zotit në botë, ta tregojnë këtë dashuri me gjeste të vogla mirësie në jetën e përditshme. Duhet të jenë “shenjtorët e portës kundruall”, të cilët Papa i kujton shpesh. Eshtë fjala për diçka, që nuk kërkon t’i biesh borisë. Diçka, që ndjehet heshturazi në zemrën e  familjeve, të cilat përhapin aromën e dashurisë, të faljes, të mëshirës. Martesa e krishterë dhe jeta familjare kuptohen në gjithë bukurinë e tyre, vetëm nëse lidhen  me dashurinë e Zotit - pohoi Ati i Shenjtë - i cili, në vijim, iu drejtua baballarëve e nënave, bijve e nipave, gjyshave e gjysheve, vjehrrave e nuseve: “Me hirin e Zotit -  u tha - mund të kuptohesh e të falësh, ndonëse kjo nuk është e lehtë. Ashtu si për të bërë një çaj, duhet të kesh çajin, kështu edhe për të bërë familjen duhet të kesh kohë e durim.

Falja

Gjatë fjalimit, Papa iu përgjigj në një farë mënyre dëshmive të ndryshme, të dhëna pak më parë. Familja nga Burkina Faso dëshmoi përvojën e faljes. Këtë i dhanë të birit që, si u bë shkaktar për falimentimin e sipërmarrjes, u zhduk pa u ndjerë. Prindërit e kërkuan, e gjetën dhe e falën. Ky, një nga gjestet e vogla të faljes, që përsëritet ditë për ditë, duke u bërë themeli mbi të cilin ndërtohet një familje e qëndrueshme e krishterë.  Shpesh - vijoi duke folur lirisht Papa - duam të bëjmë paqe, e nuk e dimë sesi. Ndërsa mjafton një ledhatim i vetëm. I ftoi, më pas, të gjithë, të përsërisin në anglisht, tri fjalët kyçe për familjen: “më fal”, “të lutem” e “faleminderit”. E u kujtoi edhe një herë se paqja duhet bërë para se të shkosh për të fjetur, përndryshe të nesërmen do të vijojë “lufta e ftohtë”. Nuk ka familje të përkryer: pa zakonin e faljes, familja rritet e sëmurë e, gradualisht, shembet. Të falësh do të thotë të dhurosh diçka nga vetvetja. Fëmijët mësohen të falin, kur shikojnë se prindërit e falin njëri-tjetrin.

Familja dhe mjetet e komunikimit shoqëror

Më pas Papa kujtoi dëshminë e Tedit e të Nishës, që së bashku me fëmijët  e tyre kishin ardhur nga India. Në qendër, lidhja me mjetet e komunikimit që - tha Françesku - mund të jenë të dobishme, nëse përdoren me kujdes e urti, por nuk duhet  të bëhen kërcënim për rrjetin e marrëdhënieve të vërteta, me mish e gjak, duke u burgosur në një “rrjet virtual”, ashtu si ndodh rreth tryezës kur njerëzit, në vend që të flasin me njëri-tjetrin, rrinë duke shikuar celularin. Historia e kësaj familjeje indiane mund t’i ndihmojë të gjitha familjet - kujtoi Papa - për ta kufizuar kohën që  kalohet me këto mjete teknologjike e për të kaluar më shumë kohë  në familje e me Zotin.

Familja, kundërhelm i urrejtjes

Nga dëshmia e çiftit irakian, strehuar në Australi, Papa mori shtytjen për të nënvizuar se familjet në shoqëri krijojnë paqe, sepse mësojnë dashurinë, mirëpritjen e faljen”, që janë “kundërhelmi më i mirë për hakmarrjen2. Siç bënë ata, pasi milicët vranë atë Giannin, vëllai i gruas, duke iu kundërvënë së keqes me të mirë e duke e mundur urrejtjen me falje!

Dashuri besnike

Françesku falënderoi, më pas, familjen irlandeze me dhjetë fëmijë, për dëshminë e dashurisë. Gjë e bukur - tha Papa - të kesh dhjetë fëmijë. Fëmijë prindërish që në rini përfunduan në tunelin e drogës, por gjetën forcë të dalin e të ndërtojnë një familje të krishterë të lumtur, duke dëshmuar se dashuria e Krishtit i ndihmon bashkëshortët të kapërcejnë çdo vështirësi, të duhen e të krijojnë jetë të re.

Gjyshat

E akoma, historia, e Aldos dhe e Marisës. Bashkëshortë prej më se 50 vjetësh,  erdhën nga Kanadaja me gjithë nipat. Përvoja e tyre dëshmoi se “një shoqëri që nuk i vlerëson gjyshat, është shoqëri pa të ardhme”. E edhe se një Kishe, që nuk e ka në zemër besëlidhjen ndërmjet breznive, do t’i mungojë çka vlen me të vërtetë, dashuria! Duhet folur gjithnjë me të moshuarit - ishte porosia e Papës.

Endacakët nuk përjashtohen

Dëshmia e Missy Collins, përfaqësuese e një familjeje endacakësh irlandezë,  që përballuan shumë padrejtësi - kujtoi më pas Papa - tregon se në tryezën e Zotit ka vend për të gjithë e askush nuk duhet përjashtuar.

Lutjet Zyrtare

“Jeni shpresa e Kishës dhe e botës!”- përfundoi Françesku. Pikërisht për këtë  morët nga një kopje të “Amoris laetitia”  të cilën - kujtoi - “e shkrova që të jetë një lloj prijësi për ta jetuar me gëzim Ungjillin e familjes”.

Pastaj, kur Papa nisi  të lexojë Uratën Zyrtare të këtij Takimi,  duke iu lutur Zotit t’i mbrojë të gjitha familjet me dashurinë e Tij, mbretërori një heshtje e thellë, e ngarkuar me hir. Familjet e pranishme në Dublin ndoqën me vëmendje të madhe fjalët e Atit të Shenjtë! Janë këtu për t’i kumtuar botës se Krishti është me vërtetë i pranishëm në martesë - pati thënë në përshëndetjen fillestare kardinali Kevin Farell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen, Jetën - e për të bërë të ndjehet forca e thirrjes së tyre  të veçantë në Kishën universale!

26 gusht 2018, 09:57