Viktimat e abuzimeve Viktimat e abuzimeve 

Papa në Irlandë: në program edhe një takim me viktimat e abuzimeve

Nuk është komunikuar akoma zyrtarisht vendi dhe çasti i saktë, por edhe në Irlandë, “siç bën në të gjitha udhëtimet e tij”, Papa Françesku do të takohet me një grup viktimash të abuzimeve seksuale.

R.SH. - Vatikan

Takimi është ngushtësisht privat e vetëm më pas do të vendoset nëse do të bëhet publik. “E rëndësishme për Papën është të dëgjojë”.

Njoftim i drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit

         Njoftimin ua dha gazetarëve, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, duke paraqitur udhëtimin e Papës Françesku më 25 e 26 gusht në Dublin, për Takimin Botëror të familjeve. Në Irlandë, tokë e sprovuar nga plaga e pedofilisë, Ati i Shenjtë do t’i kushtojë kohë e impenjim kësaj faqeje të dhimbshme të historisë së Kishës në vend.

Papa, në lutje, në kapelën e llambës për viktimat e abuzimeve

         Të shtunën, më 25 gusht, pasi të përshëndesë autoritetet e vendit, në orën 15.30, Papa do të shkojë në pro-katedralen e shën Marisë, për një vizitë në këtë kishë e për një takim me çiftet e reja. E pikërisht këtu, Ati i Shenjtë do të ndalet në lutje në kapelën e pro-katedrales, ku ruhet llamba e ndezur në kujtim të viktimave të abuzimeve. Megjithëse Papa shkon në Irlandë kryesisht për Takimin Botëror të Familjeve, sipas zëdhënësit të Vatikanit, Greg Burke, ai do të gjejë rastin që, ndër gjashtë fjalimet që do të mbajë, të përmendë edhe shpërdorimet me të miturit e të rriturit e brishtë në Kishë.

21 gusht 2018, 15:04