IRELAND-VATICAN-RELIGION-POPE IRELAND-VATICAN-RELIGION-POPE 

Papa në Prokatedralen e Shën Marisë: bota ka nevojë për revolucionin e dashurisë

Në Prokatedralen e Shën Marisë të Dublinit, duke u takuar me disa çifte, Papa vlerësoi dëshmitë që dhanë disa çifte tё reja. Kujtoi se dashuria është ëndrra e Zotit për mbarë familjen njerëzore, të cilën nuk do ta braktisë kurrë.
R. SH. - Vatikan

“Uroj që së bashku me Papën, familjet e mbarë Kishës, të përfaqësuara sot nga çifte të vjetra e të reja, ta falënderojnë Zotin për dhuratën e fesë e të hirit të martesës së krishterë. Nga ana jonë, zotohemi para Zotit t’i shërbejmë besnikërisht ardhjes së Mbretërisë së Tij të shenjtërisë, drejtësisë e paqes!”.  Ky, urimi i Papës në përfundim të vizitës në St Mary’s Pro-Cathedral, ku arriti në orën 15.30.

Gjatë udhës nga Nunciatura - në Katedrale, Françesku u ndal për t’u lutur para relikeve të të nderuarit Matt Talbot, që ndonëse nuk është ende shenjt, ka një të kaluar interesante.

Në katedrale Papa u takua me disa të rinj të sapomartuar ose në prag të martesës. Por, para takimit me ta, u lut në kapelën e Katedrales, ku ruhet llamba gjithnjë e ndezur për kujtim të viktimave të të gjitha shpërdorimeve.

Pastaj dëgjoi dëshmitë e disa përfaqësuesve të  familjeve dhe iu përgjigj pyetjeve, drejtuar sidomos nga çiftet e reja, duke u ndaluar kryesisht tek  kushtet në të cilat jeton sot familja.

Çka mund t’i bëjë ballë kohës sot?

Duhet ta pranojmë - kujtoi Papa - se sot nuk jemi mësuar me gjëra, që  zgjasin për gjithë jetën. Gjithçka ndryshon çast për çast - kujtoi - për të bërë, në vijim, një pyetje themelore për jetën: “Vallë, thua nuk ka asgjë të çmuar, që mund të durojë? As dashuria?”. E dimë - shtoi - sa e lehtë është të burgosemi në kulturën e së përkohshmes, të kalimtares. Kjo kulturë i kërcënon vetë rrënjët e procesve tona të pjekurisë, të rritjes në shpresë e dashuri. Si mund ta provojmë, në këtë kulturë, cila është gjëja që i bën ballë kohës?

Sakramenti i martesës, pjesëmarrje në misterin e dashurisë së Zotit

Ndërmjet të gjitha formave të fekonditetit, martesa është e pashembullt. Dashuri, që krijon jetë të re! E martesa në Kishë, domethënë Sakramenti i martesës, merr pjesë, në mënyrë të posaçme në misterin e dashurisë së amshuar të Zotit. Kur një burrë e një grua vënë kurorë në Kishë, hiri i Zotit bëhet shenjë sakramentore, që i ndihmon t’i premtojnë njëri-tjetrit një martesë të vetme e për gjithë jetën. Martesë, simbol i Besëlidhjes së re e të amshuar ndërmjet Zotit e Kishës së Tij.

Dashuria, ëndrra e Zotit

E dimë se dashuria është ëndrra e Zotit - vijoi Papa duke iu drejtuar përfaqësuesve të familjeve, në Katedralen e Shën Marisë, në Dublin. Ju lutem - ngulmoi - mos e harroni kurrë këtë! E mos kini frikë nga kjo ëndërr. Ëndërrojeni së bashku çdo ditë, përsëri e përsëri! Kështu do të mund të ecni përkrah plot shpresë, edhe kur shtigjet të jenë tepër të thikta e jeta të bëhet ngjitje tejet e vështirë. Mos harroni kurrë se në këtë ngjitje keni pranë Zotin, që ju thotë: “Nuk të lë kurrë vetëm! Kurrë nuk të braktis!”.

Prindërit mund t’ua tansmetojnë fenë fëmijëve

Duke vijuar bisedën me përfaqësuesit e familjeve, në Katedralen e Shën Marisë, në Dublin, Papa u ndalua tek një nga problemet më themelore: transmetimi i fesë nga breznia-në brezni. Prindërit - theksoi - mund t’ua transmetojnë fenë fëmijëve. Mjafton të shikojnë nënën e babain si sillen njëri me tjetrin, si kujdesen për njeri-tjetrin e për të tjerët, si e duan Zotin e Kishën! Kështu fëmijët mund të thithin ajrin e freskët të Ungjillit e të mësohen të mendojnë, të gjykojnë e të veprojnë në mënyrë të denjë për fenë, që e trashëguan. Feja transmetohet rreth sofrës familjare, në bisedat e  zakonshme, përmes një gjuhe që di ta flasë vetëm dashuria, që s’vdes kurrë! Lutuni pra, të gjithë bashkë, në familje – porositi Papa.

 Bota ka nevojë për revolucionin e dashurisë

Më pas, mendimi i Papës shkoi tek njerëzit e ligshtë. Virtyti dhe e vërteta që na meson Zoti - kujtoi - nuk janë gjithnjë popullore në botën e sotme, që pak e aspak i përfill njerëzit e ligshtë, të cilët i shikon si “të paaftë për të prodhuar”. Bota na do të fortë e të pavarur! Larg atyre, që janë të vetmuar,  të trishtuar, të  flakur nga radhët e shoqërisë, të sëmurë, ende të palindur apo në grahma të vdekjes! Po unë, kujtoi –  e ky, shembulli i gjallë i Papës - pas pak do të shkoj të takoj disa familje me probleme serioze, që gjejnë dashuri e mbrojtje nën strehën e vëllezërve kapuçinë!

Ndonjë muaj më parë – kujtoi akoma Papa - dikush më tha se jemi duke e humbur  aftësinë për të dashur. Se po e harrojmë gjuhën e drejtpërdrejtë të  ledhatimit, forcën e dashurisë! Prej këndej, në vijim, i uroi prindërti që me shembullin e tyre, të rrisin një brezni më të kujdesshme, të pasur me dashuri e fe, brezni, që ta përtërijë Kishën dhe shoqërinë irlandeze. Mos harroni se: “Gjithçka, që në degët e drurit lulëzon/ prej gurrës së nëndheut thith jetë e jeton!”. (F.L. Bernández, tingëllima Si para recobar lo recobrado).

Në përfundim të takimit në Katedrale, Bekimi i Papës. Ndërsa në orën 16.15. nisja drejt qendrës së strehimit të etërve kapuçinë për të vizituar familjet pa strehë, që e gjejnë këtu çdo ditë sofrën shtruar. Në nunciaturë, Papa do të takohet privatisht me jezuitët irlandezë.

Në orën 19.30, do të arrijë në Croke Park Stadium, për Festën e familjeve. Festivali, që do të ketë edhe çaste lutjesh e dëshmish (do ta marrin fjalën familje nga Irlanda, India, Burkina Faso e Iraku), do të zgjasë një orë.

Nesër, 26 gusht, Françesku do të niset me avion, në orën 08.40, për Knock, ku do të arrijë në orën 09.20, për të shkuar menjëherë në Shenjtërore: në orën 09.45 do të vizitojë kapelëzën, ku do të lutet para Zojës, e më pas, do të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot në shesh.

Pasdite, një çast tjetër kulmor i shtegtimit: Mesha në Phoenix Park.

 

25 gusht 2018, 17:12