Kërko

Takim i Papës Françesku me ipeshkvijtë irlandezë Takim i Papës Françesku me ipeshkvijtë irlandezë 

Takimi i Papës me ipeshkvijtë irlandezë: të ndreqen gabimet me ndershmëri

Një nga temat, që përvijoi udhëtimin e 24-t apostolik të Papës Françesku, ishte pa dyshim, çështja e abuzimeve me të miturit nga ana e disa anëtarëve të klerit. Natyrisht, Bergoglio ia kushtoi kësaj teme takimin me ipeshkvijtë në kuvendin e murgeshave domenikane të Zojës së Rruzares dhe të Shën Katerinës së Sienës.

R.SH. - Vatikan

Fjalë inkurajimi “për të vazhduar shërbimin e lajmëtarëve të Ungjillit” e të “barinjve të grigjës së Krishtit”. Këto u la Papa Françesku ipeshkvijve të Irlandës, kur mungonte më pak se një orë nga largimi i tij prej “Ishullit të Gjelbër”, ku qëndroi për dy ditë vizite intensive.

Takimi në kuvendin e murgeshave domenikane

Takimi IX Botëror i Familjeve, arsyeja e këtij udhëtimi apostolik, sapo kishte përfunduar me meshën në Phoenix Park, kur, rreth orës 18.00, Papa shkoi me makinë në lagjen e Dublinit, ku, që prej 300 vjetësh, ngrihet kuvendi i murgeshave domenikane të Zojës së Rruzares e të Shën Katerinës së Sienës, të cilat ia kushtojnë jetën edukimit shkollor në lëndët e kujdesit për Gjithësinë. Këtu u mbajt takimi me ipeshkvijtë e Irlandës.

Ipeshkvijtë e katër kryedioqezave metropolite dhe të 22 dioqezave të Eire-s e të Irlandës së Veriut, së bashku me katër ipeshkvinj ndihmës, kryesuar nga primati i Irlandës, imzot Diarmuid Martin, dëgjuan Papën të pranonte me dhimbje se shpërdorimet e klerit ishin “temë e vazhdueshme e kësaj vizite”.

Mësuesit dhe shkollat katolike kundër abuzimeve

         “Gjatë këtyre viteve – u tha Ati i Shenjtë ipeshkvijve – të gjithëve na është dashur t’i hapim sytë mbi gjendjen serioze dhe shtrirjen  e abuzimeve seksuale në kontekste të ndryshme shoqërore”. Papa pranoi hapat e bëra nga Kisha dhe shoqëria e Irlandës që ky problem të mos përsëritet kurrë më; vuri theksin në përgatitjen e mësuesve për shkollat katolike si edhe për programet e tjera të arsimimit fetar; nguli këmbë në zhvillimin e aftësisë së ipeshkvijve për të shoshitur çështjet e dioqezës së tyre dhe për të gjetur rrugë të reja, të përshtatshme për kohët që jetojmë.

Në natën më të errët, drita e fesë shndrit edhe më e pastër

Ati i Shenjtë i bëri thirrje Kishës së Irlandës për ta rrënjosur edhe më thellë ndjenjën misionare të popullit, në mënyrë që të jetë në gjendje të dëshmojë të vërtetat e Ungjillit, të shprehë dashurinë e Krishtit brenda bashkësisë së besimtarëve dhe të punojë me zell për ndërtimin e Mbretërisë së Zotit. “Ashtu siç na mëson Shën Gjoni i Kryqit – u tha Papa ipeshkvijve – pikërisht në natën më të errët, drita e fesë shndrit edhe më e pastër në zemrat tona. E ajo dritë do të na tregojë rrugën për risimin e jetës së krishterë në Irlandë, në vitet që vijnë”.

26 gusht 2018, 19:05