Kërko

 Shtegtimi i Papës në Irlandë Shtegtimi i Papës në Irlandë 

Burke: Papa në Irlandë për të kremtuar familjen, shkollë virtyti.

Nga Salla e Shtypit e Vatikanit: Papa Françesku shkon të përqafojë Dublinin e familjet e mbarë botës, mbledhur në kryeqytetin irlandez për Takimin Botëror të Familjeve. Kjo “arsyeja kryesore” e shtegtimit të 24-t apostolik.

R. SH. - Vatikan

Nuk është hera e parë që Papa shkel në trojet irlandeze. Ka qenë këtu edhe më 1980, për të mësuar anglishten. Ndërsa tani shkon për të marrë pjesë në një festë të madhe, programin e së cilës ua paraqiti gazetarëve Greg Burke, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit.

Në dy ditët e qëndrimit të tij në Irlandë, Papa do të shqiptojë gjashtë fjalime, ndërmjet të cilave, një homeli, një lutje të Engjëllit të Tënzot dhe një fjalë drejtuar çifteve të reja, në St Mary’s Pro-Cathedral.

Nisja me avion nga Roma-Fiumicino parashikohet për orën 08.15 të 25 gushtit, për të arritur në orën 10.30 në Dublin, ku do të pritet nga zëvendës-kryeministri, 4 kryeipeshkvij të Irlandës, një familje dhe një grup fëmijësh me veshje tradicionale.

Ceremonia e mirëseardhjes do të organizohet në selinë presidenciale, ku Papa do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje presidentit, në përfundim të së cilës, shkëmbimi tradicional i dhuratave. Në kopshtin e selisë, Papa do të mbjellë një pemë, pikërisht pranë vendit ku sot lartohet pema e mbjellë nga Gjon Pali II,  gjatë shtegtimit të tij në Irlandë, më 1979.

Në Dublin Castle, Françesku do të shqiptojë fjalimin e tij të parë në trojet irlandeze.

Në orën 15.30 Papa do të arrijë në St Mary’s Pro-Cathedral, për të vizituar katedralen e për një përshëndetje. Por në udhën nga Nunciatura - në Pro-Cathedral, Papa do të ndalohet për t’u lutur para relikeve të të nderuarit Matt Talbot, që ndonëse nuk është ende shenjt, ka një të kaluar interesante.

Në katedrale Françesku do të takohet me disa të rinj të sapomartuar ose në prag të martesës. Por, para takimit me ta, do të ndalohet në lutje, në kapelën e Katedrales, ku ruhet llamba gjithnjë e ndezur për kujtim të viktimave të të gjitha shpërdorimeve.

Në orën 16.15. Françesku do të niset drejt qendrës së strehimit të etërve kapuçinë për të vizituar familjet pa strehë, që e gjejnë këtu çdo ditë sofrën shtruar. Në nunciaturë, Papa do të takohet privatisht me jezuitët irlandezë.

Në orën 19.30, do të arrijë në Croke Park Stadium, për Festën e familjeve. Festivali, që do të ketë edhe çaste lutjesh e dëshmish (do ta marrin fjalën familje nga Irlanda, India, Burkina Faso e Iraku), do të zgjasë një orë.

Të diel, 26 gusht, Françesku do të niset me avion, në orën 08.40, për Knock, ku do të arrijë në orën 09.20, për të shkuar menjëherë në Shenjtërore: në orën 09.45 do të vizitojë kapelëzën, ku do të lutet para Zojës, e më pas, do të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot në shesh.

Pasdite, një çast tjetër kulmor i shtegtimit: Mesha në Phoenix Park. Në përfundim të Meshës, takimi me ipeshkvijtë në Kuvendin e Motrave Domenikane dhe fjalimi i fundit i Françeskut, para nisjes drejt aeroportit, në orën 18.30, me ceremoninë e lamtumirës. Një çerek ore më pas, nisja me avion për Romë-Ciampino, ku Papa pritet të arrijë rreth orës 23.00.

Udhë të mbarë!

21 gusht 2018, 14:24