Kërko

Papa Françesku në meshën e Phoenix Park, Dublin Papa Françesku në meshën e Phoenix Park, Dublin 

Papa në meshën e Phoenix Park: modeli i dashurisë familjare është Krishti

Takimi i ardhshëm Botëror i Familjeve do të mbahet në Romë, në vitin 2021, në përvjetorin e pestë të “Amoris Laetitia”. Lajmin e dha kardinali Kevin Farell, në përfundim të meshës se kremtuar nga Papa Françesku në Phoenix Park të Dublinit, në praninë e 500 mijë vetëve.

R.SH. - Vatikan

Pas ditës së vështirë të djeshme, e pas orëve të para të ditës së sotme në Knock, në shënjestër për problemin e pedofilisë nga disa anëtarë të klerit, që në Irlandë është ndjerë jashtëzakonisht, Papa rigjeti gëzimin e familjeve në meshën e pasdites së sotme, pas kthimit në Dublin. Në Phoenix Park, mbushur aq sa nuk nxinte më, Papa i nxiti familjet “të impenjohen për të jetuar plotësisht thirrjen për të qenë, sipas fjalëve prekëse të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, ‘dashuri në zemër të Kishës’”.

Komenti i Ungjillit sipas Gjonit

         Ua kërkoi këtë duke u kujtuar fjalët e Ungjillit të sotëm sipas Gjonit, ku shën Pjetri i thotë qartas Mësuesit Hyjnor: “Te kush të shkojmë Zotëri. Vetëm Ti i ke fjalët e jetës së pasosur”. Ati i Shenjtë theksoi se burimi i të mirave, që provojmë në jetë, është Shpirti i Zotit, i cili dikon në botë guximin, për të cilin ka nevojë, që të ecë përpara. Papa u tha edhe familjeve të jenë inkurajim për të tjerët, të dëshmojnë me vepra se i përkasin Krishtit, megjithëse nuk është e lehtë.

Martesa

         Familja e sotme ndeshet me shumë probleme, duke filluar nga vetë martesa, që, siç pati thënë Shën Pali, është pjesëmarrje në misterin e besnikërisë së përhershme të Krishtit ndaj nuses së saj, Kishës. Këto janë fjalë, që ndokujt i duken të vështira për t’u ndjekur, nënvizoi Papa, por “të jetosh në dashuri, ashtu siç na ka dashur Krishti, do të thotë të imitosh vetëflijimin e Tij, do të thotë të vdesim për vetveten që të rilindim në një dashuri më të madhe e më të qëndrueshme. Në atë dashuri, e cila është e vetmja që mund ta shpëtojë botën nga skllavëria e mëkatit, e egoizmit, e lakmisë dhe e indiferencës ndaj nevojave të më fatkeqëve. Kjo është dashuria, që kemi njohur në Jezu Krishtin”, ngriti zërin Papa.

Shembujt e shenjtorëve

         Ati i Shenjtë i ftoi familjet të ndjekin shembullin e shenjtorëve të Irlandës, si shën Kolombani me shokë e shën Patriku, të cilët ditën të ishin të butë ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt dhe e dëshmuan Krishtin në atë mënyrë, sa ua fituan zemrat njerëzve. Fjala e hirit, që doli nga goja e tyre, kontribuoi në lindjen e kulturës evropiane, prandaj është burim rinovimi shpirtëror e misionar, edhe sot, për Popullin e Zotit.

Sa e vështirë është për familjet në botën e sotme

         Papa Françesku dëshmoi se e njeh mirë gjendjen e familjeve në botën e sotme. “Sa e vështirë është, gjithmonë, t’i falësh ata, që të plagosin! – tha ai, në Phoenix Park të Dublinit. – Ҫfarë sfide është gjithnjë të presësh emigrantin e të huajin! Sa e dhimbshme është të durosh zhgënjimin, refuzimin, tradhtinë! Sa e parehatshme është të mbrosh të drejtat e më të brishtëve, të të palindurve, ose të më të moshuarve, që duket sikur e cënojnë ndjenjën tonë të lirisë”. E megjithatë, citoi Papa Ungjillin e sotëm, pikërisht në ato rrethana, Zoti na pyet sot, si atëherë, para më se 2000 vjetësh: “A doni të ikni edhe ju?”, pra, të largoheni nga burimi i forcës së pashterrshme, që na ushqen e mbush shpirtin?

Shpresa për të ardhmen: gëzimi i Ungjillit

         “Kremtimi i sotëm – përfundoi Ati i Shenjtë – përforcoftë secilin prej jush, prindër e gjyshër, fëmijë e të rinj, burra e gra, fretër e murgesha, kundrues e misionarë, diakonë e meshtarë, për ta ndarë së bashku gëzimin e Ungjillit! Dhashtë Zoti ta ndani Ungjillin e familjes si gëzim për botën!”. E Papa i la familjet me lutjen e Shën Patrikut: “Krishti brenda meje, Krishti pas meje, Krishti përkrah meje, Krishti nën mua, Krishti mbi mua”. Në fund të meshës, falenderoi të gjithë ata, që kanë ndihmuar në organizimin e këtij udhëtimi të 24-t apostolik.

26 gusht 2018, 17:30