Papa në Irlandë: në gazetat, festa e familjeve dhe çështja e shpërdorimeve
R. SH. - Vatikan
Numri i së dielës i Independent, gazeta më e përhapur në vend, e titullon faqen e parë “Mirë se erdhe në Irlandën e re”, me një fotografi të madhe të Papës që shtrëngon dorën e Leo Varadkar. Vizita mbush plot gjashtë faqe, me një mori fotografish kushtuar çasteve të ndryshme të jetuara nga Papa në Dublin. Një artikull, që i kushtohet ngjarjes në Croke Park, nënvizon se Françesku vuri në dukje shpirtin e familjes. Në një shërbim tjetër nënvizohet faza e re në marrëdhëniet Shtet-Kishë, duke e marrë shtytjen nga fjalimi i kryeministrit në ceremoninë e mirëseardhjes. E, duke folur mbi plagën e shpërdorimit, një nga të mbijetuarit, që u takua me Papën, intervistuar nga gazeta, thekson tronditjen e thellë e Françeskut nësa dëgjonte dëshmitë. Një artikull tjetër vë në dukje se dje si besimtarët, ashtu edhe kundërshtarët e vizitës, mundën të manifestojnë qetësisht rrugëve.
Në plan të parë, takimi i Papës me viktimat e abuzimeve
Në Irish Times, një nga gazetat më të përhapura, titulli në plan të parë është: “Papa në Irlandë: Françesku flet për gabimet e Kishës në përpjekjen për ta përballuar shkandullin e shpërdorimeve”. Gazeta i kushton disa faqe vizitës në Dublin me figura të njerëzve të shumtë, që prisnin kalimin e papamobilit, gjë që disa nga të intervistuarit e quajtën “pritje përrallore”. Në plan të parë, edhe takimi i Papës me një grup viktimash të shpërdorimeve, me nënvizimin e gjykimit tjetër të ashpër, shprehur nga Françesku kundër atyre, që u ndotën me këto krime. Një artikull i kushtohet fjalimit mbajtur në Croke Park Stadium, përballë 80 mijë vetëve. Hapësirë të ndjeshme kanë edhe fjalët e Françeskut kushtuar rreziqeve, që vijnë nga përdorimi i gabuar i mediave.
Si do të ndryshojë lidhja Shtet-Kishë pas vizitës?
Në Sunday Business Post, gazetë ekonomike irlandeze, titulli në faqe të parë është: “Papa ndan vuajtjen me viktimat e abuzimeve”. Artikujt që i kushtohen çasteve të ndryshme të vizitës papnore, mbulojnë tri faqe të botimit të përditshëm. Pyetet nëse ky shtegtim do ta ndryshojë Irlandën dhe marrëdhëniet e Kishës me shtetin, duke u ndaluar posaçërisht tek fjalimi i kryeministrit në Kështjellën e Dublinit. Një artikull tjetër thellohet në temën e ndryshimeve të mundshme të ndjenjave fetare të irlandezëve, pas vizitës së Papës.