Papa në Knock: për abuzimet, të patundur në kërkim të drejtësisë

Dita e dytë e Papës në Irlandë, me rastin e Takimit IX Botëror të Familjeve. Françesku vizitoi Shenjtëroren e Knock dhe i priu lutjes së Engjëllit të Tënzot përballë 45 mijë vetëve.

R. SH. - Vatikan

“Asnjë prej nesh nuk mund të mos preket thellë nga historia e të miturve që pësuan shpërdorime, që ua vodhën pafajninë a që i larguan nga nënat e i lanë vetëm me kujtimet e dhimbshme”. Edhe në Shenjtëroren e Knock, para se të kremtonte lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku e preku përsëri “plagën e hapur” të shpërdorimeve kryer mbi të miturit nga “anëtarët e Kishës në Irlandë”. “Duhet të jemi të patundur në kërkimin e së vërtetës e të drejtësisë”- vijoi Papa - i lutem Zotit të na falë për këto mëkate, për shkandullin e tradhtisë, kryer nga shumëkush në Familjen e Hyut! E përsëris se do ta ndjekim pa bërë asnjë lëshim, “që këto ngjarje të mos përsëriten kurrë më!”. Papa Françesku u lut për “të mbijetuarit” e për të gjithë të prekurit nga shkandulli, që të mund të ecin përpara  me drejtësi e të mund të dëmshpërblehen për gjithë këtë dhunë.

Familjet të kujdesen për të fundmit

Dita e dytë e shtegtimit të 24-t apostolik të Papës Françesku në Dublin, për Takimin IX Botëror të Familjeve, nisi në Knock, fshat në Kontenë irlandeze të Mayo, i famshëm në mbarë botën për praninë e Shenjtërores. Në Kapelën e Dukjeve, Papa u ndal disa çaste për t’u lutur, para se t’i dhuronte Zojës një rruzare të artë, i vetëdijshëm për vlerën e Rruzares në Irlandë. Marisë, “që i njeh mirë gëzimet e mundimet e përditshme të çdo strehe” - Papa ia besoi të gjitha familjet e botës, që të mbështeten në angazhimin e tyre për të përhapur Mbretërinë e Krishtit e për t’u kujdesur për më të fundmit:

“Ndërmjet erërave të stuhishme, që shfryjnë mbi kohët tona, të jenë kështjella feje e mirësie që, sipas traditave më të mira të kombit, t’u bëjnë ballë të gjitha forcave, të cilat do të dëshironin ta zbehnin dinjitetin e burrit e të gruas, krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit e thirrur për fatin e madhnueshëm të jetës së amshuar”.

Paqe e harmoni për Irlandën

Papa nuk e harroi as Irlandën e Veriut, të cilën e siguroi se ndjen “dashuri”, e “afërsi në lutje”. Me mirënjohje për progresin ekumenik dhe për thellimin kuptimplotë të miqësisë dhe të bashkëpunimit ndërmjet bashkësive të krishtera - nënvizoi Papa - “lutem që të gjithë dishepujt e Krishtit ta çojnë përpara  vazhdimisht  procesin e paqes dhe të ngrenë një shoqëri plot harmoni e drejtësi për  bijtë e sotëm”.

Një përqafim të burgosurve

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Bergoglio u drejtoi një përshëndetje të veçantë “burrave dhe grave, që janë në burg”, në Irlandë:

“Ju siguroj ju e familjarët tuaj për afërsinë dhe lutjen time. Maria, Nëna e Mëshirës, ju ruajtë e ju forcoftë në fe e në shpresë”.

 

 

26 gusht 2018, 12:21