Kërko

Emoji Twitter për udhëtimin apostolik të Papës në Irlandë Emoji Twitter për udhëtimin apostolik të Papës në Irlandë 

Papa në Irlandë. Twitter krijon një emoji të veçantë për vizitën

Vizita e Papës Françesku në Irlandë për Takimin Botëror të Familjeve bëhet edhe “social”: Twitter krijon një emoji të veçantë për këtë rast.

R.SH. - Vatikan

Twitter ka krijuar një emoji të veçantë për udhëtimin apostolik të Papës Françesku në Irlandë, me rastin e Takimit Botëror të Familjeve në Dublin, në program nga 21 deri më 26 gusht. Fjala është për një ikonë të vogël, ku pasqyrohet fytyra e buzëqeshur e Papës, me flamurin e Irlandës në sfond. Emoji aktivizohet sa herë publikohet një tweet me njërin prej këtyre hashtagëve: #PopeInIreland, #PápaInÉirinn (gaelisht), #WMOF2018 (sigla e Takimit Botëror të Familjeve 2018) dhe #FestivalOfFamilies.

Papa në Irlandë, edhe në rrjetet shoqërore

         Që gjatë udhëtimit apostolik në SHBA-të, në vitin 2015, Twitter pati realizuar një emoji, enkas për atë ngjarje. Përgjegjësi i rrjetit për Evropën, Karen White, deklaron për gazetën “Irish Times” se me këtë nismë “inkurajohet diskutimi në Twitter për vizitën papnore në Irlandë”, që konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Kënaqësi e veçantë shprehet edhe nga përgjegjësja për komunikimin e Takimit Botëror të Familjeve, Brenda Drumm. Shpresojmë, nënvizon ajo, që edhe në rrjetet shoqërore, të rritet interesi për Takimin e Familjeve, i cili ka një faqe të vet zyrtare në Twitter, @WMOF2018.

Për Papën, gati 50 milion ndjekës në Twitter

         Ndërkaq, faqja Twitter e Papës Françesku në 9 gjuhë të ndryshme, @Pontifex, është ndër më të ndjekurat në botë, me rreth 50 milion follower. Deri tani, aty janë publikuar më se 12 mijë mesazhe. Gjuha më e përdorur është anglishtja, që ka 18 milion ndjekës e, pas saj, spanjishtja, me 16.7 milion ndjekës. Që nga marsi 2016, Ati i Shenjtë është i pranishëm edhe në Instagram, me një faqe shumëgjuhëshe - @Franciscus – ndjekur nga 6 milion vetë.

15 gusht 2018, 16:54