Papa u përgjigjet pyetejeve të gazetarëve Papa u përgjigjet pyetejeve të gazetarëve 

Papa: në Irlandë, feja më e fortë se plagët e shpërdorimeve

Shpërdorimet e kryera nga Kisha në Irlandë, në qendër të vëmendjes në konferencën e shtypit të Papës gjatë fluturimit të kthimit nga Dublini. Françesku shprehu admirimin për fenë e irlandezëve, ndërsa fjalëve të imzot Vigano, iu përgjigj: “S’kam ç’të them, gjykojeni ju vetë!”.

R. SH. - Vatikan

Hapësirën për të thënë, në çastet e kthimit, atë që e kishte më për zemër - një mendim për shtegtimitn e sapopërfunduar a një rrëfim për mbresat ende të freskëta - Françesku e la për në fund, pas 40 minutash kushtuar temave të diktuara nga kronika e nga blloku i shënimeve të bashkëbiseduesve të tij. Nuk është përgjigje e mirëfilltë, ajo që dha, sepse teknikisht nuk iu drejtua ndonjë  pyetje, por gjithsesi është bindja, që Papa e solli me vete pas dy ditëve të ngarkuara me veprimtari. “Gjeta shumë fe në Irlandë” - u tha gazetarëve gjatë fluturimit nga Dublini për në Romë. Irlandezët vuajtën shumë për shkak të shkandujve, por ditën, e dinë t’i dallojnë të vërtetat nga gjysëm të vërtetat, siç u shpreh ndonjë orë më parë njëri nga ipeshkvijtë. E nëse në “procesin e shërimit, në vijim, ka edhe gjëra, që duket sikur largojnë nga feja, kjo fe mbetet e patundur”.

“Nuk do të them asnjë fjalë”

Shtatë pyetjet, që i paraprinë përgjigjes së pakërkuar të Françeskut, u rrotulluan të gjitha, si planetet, rreth njollave të zeza diellore të një tragjedie të vetme: abuzimeve. E Papa nuk ngurroi t’i japë përgjigje për çështjen, që mbeti gjithnjë në plan të parë këto ditë. Dita e dytë në Dublin nisi me dokumentin e ish-nuncit apostolik në SHBA, kryeipeshkvit Carlo Maria Viganò, që i drejtoi Papës një pyetje lidhur me kardinalin McCarrick, akuzuar për shpërdorime seksuale  kundër  seminaristëve të rinj. Françesku u përgjigj me vendosmëri, duke i ftuar kronistët t’i nxjerrin vetë përfundimet: “Po jua them sinqerisht këtë: lexojini ju vetë me vëmendje e jepni gjykimin tuaj personal. Unë nuk do të them asnjë fjalë për këtë. Besoj se dokumenti flet vetë”.

Një juri, për çdo rast

Papa vijoi të flasë, për të shpjeguar aspekte të tjera delikate e të ndërlikuara, siç është mënyra për ta nxjerrë para gjyqit një ipeshkëv të akuzuar për abuzime. Hodhi poshtë, me mirësjellje, dëshirën e Marie Collins - ish-anëtare e Komisionit  Papnor, ngritur që t’i kundërvihej fenomenit, e edhe ajo vetë viktimë e dhunimit nga ana e një prifti irlandez, për të krijuar një gjykatë të posaçme, siç thuhet në Motu proprion “Si një nënë e dashur”. Në të vërtetë, është parë, pohoi Françesku, se krijimi i një kolegji ad hoc për çdo rast, vlen më shumë se juria. “Kështu funksionon më mirë”- siguroi Papa, i cili në vijim kujtoi se i fundmi që doli para gjyqit ishte kryeipeshkvi i Guam, ndërsa është ende në vijim një gjyq tjetër.

Të flitet menjëherë, kurrë më gjykime të shpejtuara

Një nga gazetarët e nxiti Papën t’i përgjigjet pyetjes: “Ç’mund a ç’duhet të bëjë populli i Zotit përballë këtyre shëmtimeve të kryera nga meshtarët?”. Edhe këtu Papa u përgjigj pa dredha, duke theksuar: “Kur shihet ndonjë gjë, duhet folur menjëherë”. Shpesh vetë prindërit i mbulojnë shpërdorimet e priftit, sepse nuk duan t’i besojnë vajzës a djalit”. Në të kundërtën, Françesku kritikoi atë që bëjnë mediat, të cilat zhvillojnë procese sokakësh, pa u sqaruar ende mirë ngjarja. Kujtoi këtu rastin e një grupi meshtarësh të Granadës, rreth dhjetë vetë, akuzuar për pedofili nga një i ri, punonjës kolegji, që i kishte shkruar edhe Papës, duke theksuar se ishte viktimë e dhunës. E pra, më pas, doli se shtylla e turpit mbi të cilën u mbërthyen disa nga këta meshtarë, ishte padrejtësia më mizore, mbasi gjyqi i nxori të pafajshëm. Prej këndej, ftesa e Papës drejtuar gazetarëve: “Puna juaj është tejet delikate, duhet t’i thoni gjërat, por gjithnjë me pandehmën ligjore të pafajsisë, e jo të fajësisë”.

Kush injoron, nuk është prind i vërtetë

Duke e kujtuar me nderim të thellë ministren, që i foli për rastin e jetimores së motrave irlandeze në Tuam, objekt hetimi nga ana e autoriteteve, paraqitur si vend abuzimesh e tmerresh të përsëritura në dhjetvjeçarët e kaluar, Papa tha se duhet pritur përfundimi i hetimeve për të vërtetuar edhe përgjegjësinë e Kishës. Në çdo rast e vlerësoi përfaqësuesen e qeverisë irlandeze për “ekuilibrin” dhe “dinjitetin” me të cilin e vuri në dijeni për ngjarjen. Gjithnjë në temën e Irlandës, Papës iu drejtua pyetja: “Ç’këshillë do t’i jepnit një babai, të cilit të bijtë i rrëfejnë se janë homoseksualë?”. “Do ta këshilloja të lutet, të mos i dënojë. Të dialogojë, të kuptojë, t’i krijojë hapësirë birit a bijës”, sepse “të shtihesh sikur nuk di gjë”,  është mungesë atësie a amësie.

Çështja “Diciotti”.

Një nga temat e para, që u përballua në konferencën e shtypit, ishte ajo e emigracionit. Shtytja u mor nga përfundimi pozitiv i ngjarjes së anijes “Diciotti”, zbarkuar në Mesinë, pas dhjetë ditësh në pritje. “Keni gisht edhe ju, këtu?” -  e pyeti Papën një gazetar. E Françesku u përgjigj me një “jo”, duke sqaruar se nuk ka të bëjë drejtpërdrejt e se kjo është vepër “e don Aldos së mirë” Buonaiuto, prift i Fondacionit Gjoni XXIII, por edhe e Konferencës Ipeshkvnore italiane, me kardinalin Bassetti. Kujtoi edhe kriterin e urtisë, që duhet t’i prijë një vendi në strehimin e emigrantëve, por më shumë vëmendje i kushtoi vlerës së integrimit. Mund ta ndryshosh një jetë - pohoi - si ajo e studentes, që e solli me vete nga ishulli i Lesbos e kohët e fundit e takoi në Universitet. Synim ky, për t’i nxjerrë emigrantët nga kthetrat e trafikantëve, që tregtojnë mish njeriu e për t’i dhënë dinjitet, atij që kërkon një jetë të re!

 

27 gusht 2018, 11:43