Papa: të përballohen me ndershmëri e guxim krimet e abuzimeve

Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme shtegtimit të sapokryer në Irlandë, me rastin e Takimit IX Botëror të Familjeve dhe u lut për thirrje meshtarake në vend. Kujtoi gjithashtu, “dhimbjen e hidhërimin e thellë për vuajtjet e shkaktuara në këtë vend nga forma të ndryshme shpërdorimesh, edhe nga ana e klerikëve”.

R. SH. - Vatikan

“Takimi Botëror i Familjeve, në Dublin, ishte përvojë profetike e ngushëlluese për familjet e panumërta, të impenjuara në udhën ungjillore të martesës.”. Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Françesku kujtoi emocionet dhe mbresat  e shtegtimit në Dublin, ku ishte më 25 e 26 gusht, për Takimin IX Botëror të Familjeve, duke theksuar se “disa herë me radhë” lypi falje për format e ndryshme të abuzimeve, kryer  “edhe nga ana e anëtarëve të Kishës”. “Krime” – theksoi - të cilave “autoritetet kishtare, në të kaluarën”, “jo gjithnjë” “ditën t’i përballonin ashtu si duhej”, duke u bërë shkaktarë  shkandulli, që la pas shijen e hidhur të tradhtisë. “Më tronditi thellësisht -  kujtoi Papa Bergoglio - takimi me disa viktima të abuzimeve”.

“Ipeshkvijtë irlandezë kanë nisur një udhë serioze pastrimi e pajtimi me ata, që vuajtën për shkak të shpërdorimeve e, me ndihmën e autoriteteve kombëtare,  vendosën një sërë normash të rrepta për mbrojtjen e të rinjve”

Divorci nuk mund të jetë modë

Duke menduar për Takimin Botëror të Familjeve, edicioni i ardhshëm i të cilit do të mbahet në Romë, në vitin 2021, Papa Françesku kujtoi thirrjen e kësaj “kishe shtëpiake”, “simbol shprehës i bukurisë së ëndrrës së Zotit për mbarë familjen njerëzore”. “Ëndrra e Zoti është uniteti”, kështu familjet janë të thirrura ta “bëjnë botën një shtëpi të vetme, ku askush nuk duhet të jetë i vetmuar, i padashur, i përjashtuar”. Pavarësisht nga vështirësitë, që po kalon sot familja, e kërcënuar nga divorci, që gati-gati është bërë “modë”, Papa kujtoi rëndësinë e unitetit, të vullnetit për të ecur së bashku, pa marrë parasysh pengesat, që nuk mungojnë kurrë.

Unë e respektoj gjithkënd, sepse duhet t’i respektojmë njerëzit, por nuk mund të themi se “divorci është ideal”. Ndarja nuk mund të jetë ideale, as rrënimi i familjes. Ideale është familja e bashkuar. Kështu duhet shkuar përpara: ky, ideali!

Dëshmitë, “iskra drite” në shtegtimin e Dublinit

Papa e vijoi katekizmin, duke kujtuar ngjarjet e ndryshme, që i jetoi gjatë dy ditëve në Irlandë: bisedën me autoritetet, vizitën në pro-katedrale, takimin me solidaritetin  nën strehën e kapuçinëve, festën e familjeve, meshën në Phoenix Park. E edhe atë, që i mbeti më shumë në zemër: dëshmitë e familjeve, “iskra të vërteta drite” mes dritë-hijeve të këtij udhëtimi. Historitë e tyre - ngulmoi -  na kujtuan  se dashuria në martesë është dhuratë e posaçme e Zotit, “që duhet ruajtur ditë për ditë” e na treguan sesi feja mund të jetohet në jetën e përditshme “rreth vatrës familjare”.

Të mos përjashtohen kurrë gjyshat

Gjatë katekizmit, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Bergoglio kujtoi edhe një herë vlerën e gjyshave dhe të komunikimit ndërmjet breznive. Ftoi të braktisen celularët e tabletet, për t’i kushtuar më shumë  kohë  takimit  të drejtpëdrejtë të njeriut me njeriun, të nipit me gjyshin, të të riut me të moshuarin… “Po sot duket sikur gjyshat trazojnë - theksoi duke folur lirsht Papa  - në këtë kulturë të hedhurinës, gjyshat hidhen, largohen nga shtëpia. Harrohet tepër shpejt se pikërisht gjyshat janë urtia, kujtesa e popullit, kujtesa e gjallë e familjes”.

Lutje për thirrjet

Gjatë takimit tradicional të së mërkurës, Papa foli edhe për krizën e thirrjeve  në Irlandë, tokë me rrënjë të thella kristiane. E u kërkoi besimtarëve, mbledhur rreth tij për audiencën, t’i drejtonin së bashku një FaleMari Zojës së Knock, të cilën e vizitoi të dielën e kaluar, në Shenjtëroren e mirënjohur. Papa pranoi se, “ndoshta” feja  nuk e ka të lehtë të lulëzojë, edhe për shkak të shkandujve, por nuk mund të mos i lutej Zotit  të dërgojë në Irlandë  thirrje të reja, meshtarë të rinj të shenjtë!

29 gusht 2018, 14:19