Papa Françesku në Dublin - mesha në Phoenix Park (Irlandë) Papa Françesku në Dublin - mesha në Phoenix Park (Irlandë) 

Akti pendestar i Papës në Phoenix Park: falje për abuzimet

Pa qenë i parashikuar nga programi, Papa ia kushton fillimin e meshës krimit të shpërdorimeve nga anëtarë të Kishës.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kërkon edhe një herë “falje” për abuzimet e kryera nga kleri. E bën këtë, jashtë programit të parashikuar, në fillim të meshës se kremtuar në Phoenix Park të Dublinit, duke zëvendësuar “aktin pendestar”. Ati i Shenjtë kërkon falje për të gjitha abuzimet e kryera nga “anëtarë të kualifikuar të Kishës”. Por ja lutja e plotë:

         Dje, takova tetë vetë, viktima të abuzimeve me pushtetin, me ndërgjegjen dhe me seksin. Duke reflektuar mbi ç’më thanë, dëshiroj t’i vendos në këmbët e mëshirës së Zotit këto krime e të kërkoj falje për to.

Kërkojmë falje për abuzimet në Irlandë, abuzime me pushtetin e me ndërgjegjen, shpërdorime seksuale nga ana e anëtarëve, që kishin detyra me përgjegjësi në Kishë. Veçanërisht, kërkojmë falje për të gjitha abuzimet e kryera në institute të ndryshme, drejtuar nga rregulltarë e rregulltare e nga anëtarë të tjerë të Kishës.

Kërkojmë falje edhe për rastet e shfrytëzimit në punë, punë të detyruar për shumë të mitur: kërkojmë falje.

Kërkojmë falje për të gjitha ato raste, në të cilat, si Kishë, nuk u kemi dëshmuar të mbijetuarve nga çdo lloj abuzimi, dhembshuri, dëshirë për të kërkuar drejtësinë dhe të vërtetën, me veprime konkrete: kërkojmë falje.

Kërkojmë falje për ata anëtarë të hierarkisë, që nuk e kanë marrë përsipër këtë gjendje të dhimbshme dhe kanë heshtur: kërkojmë falje.

U kërkojmë falje atyre fëmijëve, që i kanë shkëputur nga prehri i nënave e, për të gjitha rastet, në të cilat nënave të pamartuara, që kërkonin bijtë e tyre, u është thënë se të kërkosh fëmijët, nga të cilët ishin ndarë – dhe e njëjta gjë u thuhej edhe vajzave e djemve, që kërkonin nënat e tyre – ishte mëkat mortor: ky nuk është mëkat mortor, është Urdhërimi i katërt. Kërkojmë falje.

Dhashtë Zoti që të ruhet e të shtohet ky turp e kjo ndjenjë fajësie, që të na japë forcën për t’u impenjuar në mënyrë që këto gjëra të mos ndodhin kurrë më e që të arrihet drejtësia.

26 gusht 2018, 16:33