Kërko

 Pasojat e tërmetit në Indonezi Pasojat e tërmetit në Indonezi 

Trishtimi dhe lutja e Papës për viktimat e tërmetit në Indonezi

Tmerr, në ishullin indonezian Lombok, për shkak të lëkundjeve të përsëritura të tërmetit, që shkaktuan dje vdekjen dhe plagosjen e qindra njerëzve, pa llogaritur shembjet e shkatërrimet e strukturave të shumta turistike.

R. SH. - Vatikan

Shtohet gjithnjë numri i viktimave, deri tani 140, të tërmetit  të fuqishëm që ra dje në Indonezi, i dyti gjatë një jave, duke dëmtuar rëndë posaçërisht ishullin Lombok. Papa lutet dhe ndjehet pranë kësaj popullsie, në këto çaste kaq të trishtuara.

Në një mesazh ngushëllimi, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit,  kardinali Pietro Parolin, Françesku u drejton ngushëllimet e tij autoriteteve kishtare dhe civile të Indonezisë, duke u shprehur trishtimin e madh që i shkaktoi lajmi tragjik për humbjen e jetëve njerëzore e për shkatërrimet, shkaktuar nga tërmeti prej 7,0 ballësh, i cili dëmtoi rëndë ishullin Lombok. Mijëra ndërtesa u dëmtuan ose u shembën, duke lënë pas me qindra të plagosur. Numri i të shpërngulurve nga shtëpitë e tyre në ishullin Lombok, mund të arrijë në 20 mijë vetë. Ndjehet fort urgjenca për personel mjekësor, ilaçe e ushqime, në ndihmë të njerëzve, që ikin nga shtëpitë e tyre, si pasojë e dëmtimeve të rënda.

Lutja, forca e ngushëllimi

Papa u shpreh solidaritetin e tij të gjithëve dhe siguron se lutet “posaçërisht për pushimin në paqe të të vdekurve, shërimin e shpejtë të të plagosurve e ngushëllimin e gjithë atyre, që vuajnë për humbjen e të dashurve”. Ndërsa inkurajon autoritet civile dhe forcat që po ndihmojnë viktimat e kësaj fatkeqësie të rëndë të natyrës - lexohet akoma në mesazh - Françesku lutet që Zoti t’i japë kësaj popullsie ngushëllimin, forcën dhe  bekimin e Tij.

Ndihmë për shpëtimin e fëmijëve

Po aktivizohen tashmë, një numër i madh Ojq, për të përballuar emergjencën. Save the Children njofton se në disa zona të Lombok, nga çdo 10 shtëpi, 8 janë shembur, por edhe se ndihmat nuk mungojnë e se partnerët vendas po përpiqen të shpëtojnë sidomos fëmijët. “Ndonëse është dhënë alarmi për rrezikun e tcunamit, njerëzit janë të çorientuar e ikin të tmerruar - njoftojnë Ojq-të – në Lombok mungon korrenti elektrik e kjo e bën shumë të vështirë komunikimin. Megjithatë, ka nisur edhe shpërndarja e sendeve më të domosdoshme për jetesën.

06 gusht 2018, 15:45