2018.08.11 Incontro Giovani al Circo Massimo 2018.08.11 Incontro Giovani al Circo Massimo  

Papa të rinjve: transformoni ëndrrat e sotme në realitetin e së ardhmes

Të rinjve Papa u kërkon të "ëndërrojë më shumë dhe me guxim". Jo të gjitha formave të pesimizmit dhe një koherence të jetës: "ku nuk ka dëshmitar nuk ka Frymë të Shenjtë".

R.SH. - Vatikan

Papa të rinjve: "Jini shtegtarë në udhën e ëndrrave tuaja"

Gjeneratave të reja Papa Jorge Mario Bergoglio u kërkon të "ëndërrojë më shumë dhe me guxim". Atyre që kanë përgjegjësinë e edukimit brenda dhe jashtë Kishës, Ati i Shenjtë Françesku u kërkon një vendim të prerë, një jo ndaj të gjitha formave të pesimizmit dhe një koherence të jetës: "ku nuk ka dëshmi, nuk ka Shpirt Shenjtë" . "Ëndrrat janë të rëndësishme" sepse "një i ri që nuk di të ëndërrojë është një i ri i anestetizuar, nuk do të mund ta kuptojë jetën, forcën e jetës". Kështu tha mes tjerash Papa Françesku, në dialogun "pyetje e përgjigje" me të rinjtë, të cilët i takoi mbrëm në Circus Maximus në Romë, gjatë të cilit Ati i Shenjtë Bergoglio i nxiti të rinjtë "t’i transformojnë ëndrrat e sotme në realitetin e së ardhmes" dhe të ushqejnë ëndrra të mëdha, duke qëndruar larg "ëndrrës së rehatisë e të mirëqenies, të cilat i vejnë të rinjtë në gjumë dhe e shndërrojnë një të ri guximtar në një të ri që lëkundet në divan" .

"Ëndrrat e të rinjve janë më të rëndësishmet. Ato i frikësojnë pak të rriturit, ndoshta për shkak se ata nuk rrezikojnë më, ndoshta sepse i vënë zgjedhjet e përcaktimet e tyre në krizë, por ju mos lejoni t’ua vjedhin ëndrrat tuaja". Me këto fjalë Papa Françesku i përshëndeti mbi shtatëdhjetë mijë të rinjtë që vinin nga gjithë Italia në Circus Maximus në Romë, për të takuar Papa në kuadrin e Sinodit të Tetorit që do të mbahet në Vatikan, të cilin Kisha ia kushton pikërisht të rinjve.

Kështu, duke u nisur që nga 3 gushti, të rinjtë erdhën në kryeqytetin italian për t’u lutur së bashku, në përgatitje të Sinodit të ipeshkvijve kushtuar atyre, që do të mbahet në tetor në Vatikan. Rrugë e vende të përshpirtërisë popullore, shenjtërore mariane e vende kulti kushtuar shenjtorëve të dioqezave të tyre: këto qenë mijëra udhët e përshkuara nga djemtë e vajzat italiane, në shtegtimin e tyre me të njëjtin emër :“Nëpër mijëra udhë”.

Dje, me Papën, në Cirkun Massimo

U mblodhën dje, në Cirkun Massimo në Romë, nën tingujt e muzikës së krishterë. Në orën 18.30, mbërriti Papa Françesku, që i përshëndeti të rinjtë, duke kaluar rreth e rreth Cirkut Massimo. U ngjit në podium e dialogoi me disa të rinj, të cilët i paraqitën problemet e rinisë së sotme. Letizia, Lucamatteo, Martina e Dario i drejtuan pyetje mbi identitetin e krishterë, mbi ëndërrat e përgjegjësinë e të rinjve ndaj botës, mbi fenë e mbi rëndësinë e jetës, që nga zënia deri në mbarimin e saj të natyrshëm. Sugjestiv, baletti i Nicoletta Tintit, e cila ka mbetur pa këmbë, pas një sëmundjeje në shtyllën kurrizore. Shpresa e saj entuziazmoi gjithë Cirkun Massimo.

Në orën 20.30, Papa i përshëndeti të rinjtë për t’u kthyer në Vatikan, por djemtë e vajzat e mbledhura në qendër të Romës, e vijuan mbrëmjen e tyre festive, me dëshmi e muzikë, kënduar nga artistë të ndryshëm, si Banda “Rulli Frulli”, lindur pas tërmetit në Emilia, për të ndihmuar të dëmtuarit e të traumatizuarit të shpreheshin. Por edhe këngëtarë të njohur italianë si Alex Britti e të tjerë. Në mesnatë, “nata e bardhë” e fesë, natë pa gjumë, për të cilën mbetën të hapura të gjitha kishat e Romës, në udhën nga Cirku Massimo deri në Shën Pjetër. Të rinjtë u ndalën aty-këtu, për një lutje, për t’u rrëfyer, për të ndjenjur në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament.

Sot, të rinjtë në Sheshin e Shën Pjetrit

 E kështu agoi dita e sotme, me Romën e mbushur nga feja e lutja e këtyre dhjetra mijëra të rinjve, që u dyndën në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Aty, në orën 9.30, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Gualtiero Bassetti, kremtoi meshën. Në orën 11.30, edhe Papa Françesku u bashkua me të rinjtë, duke i përshëndetur me dashuri, gjatë xhiros së tij me papamobil. Ati i Shenjtë u dha të rinjve mandatin misionar, duke i çuar nëpër ato mijëra udhët e botës, përmes të cilave erdhën në Shën Pjetër, që të kumtojnë Ungjillin e Krishtit.

Dhuratat e Kishës italiane për DBR-në e Panamasë

Papa Françesku bekoi edhe dhuratat që të rinjtë italianë do të çojnë në Ditën Botërore të Rinisë, e cila do të mbahet në Panama, në janar 2019. Ato janë Kryqi i Krishtit i Shën Damianit dhe Zoja e Loretos, dhurata që Kisha Italiane ia ofron dioqezës organizatore të DBR-së, që nga viti 1987. Kryqi i Shën Damianit s’është tjetër veçse fugurja në formë kryqi, para të cilit lutej shën Françesku i Asizit, kur Zoti i kërkoi t’ia ndreqte shtëpinë. Kryqi origjinal, aktualisht, ndodhet në bazilikën e Shën Kiarës në Asizi, ruajtur nga françeskanët si simbol i misionit, që u ka besuar Zoti. Ndërsa shtatorja e Zojës së Loretos, e kësaj Zoje të zeshkët shtegtare është simbol i bindjes ndaj vullnetit të Hyjit, që i dha mundësinë Zotit ta lidhë pazgjidhshmërisht njerëzimin me Të. Në shtëpinë e Nazaretit, Jezu Krishti u bë njeri e përmes vdekjes në kryq, shëlboi botën.

Engjëlli i Tënzot me Papën Françesku

Në orën 12, në praninë e këtij deti të rinjsh, Papa Françesku tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, pikërisht në ditën kur liturgjia propozon pjesën ungjillore nga shën Gjoni, ku Jezusi pohon: “Unë jam buka e jetës”. Po sot, kremtohet Dita ndërkombëtare e Rinisë, organizuar nga OKB-ja me temë “Hapësira të sigurta për të rinjtë”. E rinia në Sheshin e Shën Pjetrit e gjeti sigurinë në fjalët e Ungjillit, ashtu si dishepujt që i thanë Krishtit se vetëm Ai ka fjalë të jetës së pasosur.

12 gusht 2018, 09:58