Kërko

DUBLINO_FAMIGLIE.jpg

Takimet botërore të familjes, që prej 25 vjetësh, dhuratë për Kishën

Ky i Dublinit do të jetë Takimi IX Botëror i Familjeve, pothuajse 25 vjet pas të parit, mbajtur në Romë me dëshirën e Shën Gjon Palit II. Vatican News rikujton çastet kulmore të Takimeve, mbajtur në praninë e tre Papëve: Gjon Palit II, Benediktit XVI dhe Françeskut.

R. SH. - Vatikan

E diel, 6 gusht 1993. Sheshi i Shën Pjetrit është përplot me familje, mbledhur nga Lëvizja e Fokolarëve për Family Fest. Gjon Pali II, që kremton Meshën përfundimtare të ngjarjes, shfrytëzon rastin për të bërë një njoftim. Në përkim me Vitin ndërkombëtar të familjes, shpallur për 1994-ën nga OKB-ja, edhe Kisha katolike do të kremtojë një vit kushtuar familjes. Zemra e këtyre 12 muajve do të jetë takimi botëror i familjeve, që do të mbahet në Romë, më 8 e 9 tetor 1994, me temë: “Familja: zemra e qytetërimit të dashurisë”.

Ide profetike e Gjon Palit II, si ajo e DBR-së

Ashtu si Ditët Botërore të Rinisë, edhe këto takime lindën, pra, nga intuita profetike e Karol Wojtylës e u bënë dhuratë për Kishën, duke u rritur e duke u pasuruar në papnitë e mëvonshme. Me Dublinin, do të jenë 6, qytetet që mikpritën takimet (Roma dy herë, Rio-de-Zhanéjro, Manila, Valencia, Qyteti i Meksikos, Milano, Filadelfia dhe kryeqyteti  irlandez), në tre kontinentet: Evropë, Azi, Amerikë. Takimit të parë i paraprinë një sërë dokumentesh të Gjon Palit II i cili, që më 1981, me Familiaris consortio, pati nënvizuar qendërsinë e familjes, duke vënë në dukje me forcë, urgjencën e ndërtimit të “qytetërimit të dashurisë”, bazuar mbi familjet. Pikërisht kjo do të ishte tema  e takimit botëror të Romës, më 8 e 9 tetor, në të cilin Papa u kërkon familjeve të krishtera të pyesin sidomos cili është identiteti i tyre e misioni i tyre. Gjatë Vitit, Papa polak boton një letër për fëmijët, e familjes ia kushton edhe Mesazhin për Ditën botërore të paqes.

Nga Rio de Zhanejro - në Manila: takimet bëhen globale

Tre vjet pas takimit të parë, Karol Wojtyla i mbledh përfaqësuesit e familjeve të mbarë botës në Brazil, në Rio de Zhanejro, ku ngjarja, më 4 e 5 tetor 1997 - përqendrohet rreth temës: “Familja, dhuratë e angazhim, shpresë për njerëzimin”. Pas tri vjetësh, takimi rikthehet në Romë, në kornizën e posaçme të Vitit Jubilar dhe përqendrohet mbi temën e fëmijëve, “pranverë e familjes dhe e shoqërisë”. Gjon Pali II i kushton një pjesë të rëndësishme të katekizmave të tij, krizës në familje. “Përballë një mori familjesh të shpërbëra - pohon në Sheshin e Shën Pjetrit, më 14 tetor të vitit 2000 - Kisha e ndjen veten të thirrur të rrezatojë dritën e Fjalës së Zotit në palët e një mori dramash njerëzore, shoqëruar nga dëshmia e mëshirës së saj, e jo të shprehë gjykimin e vet të ashpër e të akullt.

Tri vjet më pas, në janar të vitit 2003, Takimi botëror i familjeve mbahet për herë të parë në Azi. Në Manila, ngjarja  e madhe përqendrohet mbi “familjen e krishterë, lajm i mirë për Mijëvjeçarin e tretë”. Takimi mbahet pa praninë fizike të Papës Wojtyla, që u drejtohet pjesëmarrësve përmes lidhjes televizive. Familja, e themeluar mbi martesën, do të pohonte Shenjti i ardhshëm, është pasuri e njerëzimit e edhe “lajm i mirë për burrat  e gratë e kohës sonë”.

Transmetimi i fesë në takimet e Benedikti XVI

Në Engjëllin e Tënzot, të nesërmen e ngjarjes së madhe të Manilës, Gjon Pali II  njofton se do të ishte Valencia seli e takimit të ardhshëm botëror të familjeve. Po Papa Wojtyla nuk do të shkonte dot atje! Do ta zëvendësonte pasardhësi, Benedikti XVI, që do ta vinte theksin mbi temën e transmetimit të fesë. Feja - pati nënvizuar - mësohet në vatrën shtëpijake e po këtu rritet e forcohet përmes lutjes dhe praktikës së krishterë. Takimi VI botëror i familjeve zhvillohet në janar 2009, në Qytetin e Meksikos. Ashtu si pati bërë Papa Wojtyla në Manilë, edhe këtë herë Ati i Shenjtë Ratzinger është i pranishëm përmes lidhjes televizive. Benedikti XVI flet për familjen “si formuese e vlerave njerëzore e të krishtera”. Tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga koncepti i rremë i lirisë” dhe “nga  impulset subjektive të individit, që i kundërvihen pazgjidhshmërisë së martesës”. Takimi i mëpasëm rikthehet në Evropë, në Milano, me temën “Familja, puna, festa”. Domethënëse, fjalët e Papës Benedikti XVI  kushtuar familjeve që kanë vuajtur për shkak të ndarjeve. “Më duket - pohon më 3 qershor 2012 - detyrë e rëndësishme e famullisë dhe e mbarë bashkësisë katolike të bëjë gjithçka është e mundur, që këto familje ta ndjejnë se duhen, se pranohen”.

 Fryt i Sinodeve kushtuar familjeve, takimet me Françeskun

Me Françeskun, takimet botërore të familjeve radhiten plotësisht  në udhën sinodale, organizuar nga Papa për një baritori të përtërirë familjare. Takimi i Filadelfias, në shtator 2015, organizohet pas Sinodit të jashtëzakonshëm  të 2014-tës kushtuar familjes e, vetëm një muaj para sinodit të jashtëzakonshëm me temë “Thirrja dhe misioni i familjes në Kishë dhe në botën bashkëkohore”. Në qytetin amerikan, familjet e mbarë botës ballafaqohen  mbi temën  e “dashurisë dhe të misionit, që i jep gjallëri të plotë familjes”. Në Filadelfia, Françesku nënvizon se “ëndrra e Zotit  vijon të realizohet në ëndrrën e një mori çiftesh, që kanë guxim ta bëjnë  jetën e tyre familje”. Papa nuk i harron sfidat e edhe problemet e shumta, që duhen përballuar, por duke e shikuar me sy pozitiv kontributin që mund t’i japë familja Kishës dhe shoqërisë. E u kërkon familjeve ta ndihmojnë Kishën, të vijojnë të jenë “profeci” për njerëzimin e plagosur, profeci për paqen, dhembshurinë, dashurinë. E pikërisht gëzimi i dashurisë familjare është në qendër të takimit botëror të Dublinit që, sipas dëshirës së Papës,  përbën një rast të përshatshëm për ta thelluar reflektimin dhe për ta ndarë së bashku përmbajtjen e Nxitjes Apostolike pas-sinodale Amoris laetitia.

09 gusht 2018, 12:07