Kërko

Përmbytja në Raganello. Lutja e Papës për viktimat

Gjatë përshëndetjeve për shtegtarët e gjuhës italiane, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku foli për tragjedinë e ditëve të kaluara në Kalabri.

R.SH. - Vatikan

Sot, ditë zie rajonale në Kalabri, shpallur nga presidenti i Rajonit, Gerardo Mario Oliverio, pasi rreth 10 vetë humbën jetën në zonën e Civita-s, zonë arbëreshe, ku më 20 gusht, përroi Raganello doli nga shtrati, duke marrë me vete edhe turistët, që kishin shkuar për një shëtitje buzë tij, pa udhërrëfyes e pavarësisht nga alarmi për kohën e keqe.

Fjalët e Papës Françesku

         Duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës italiane, pas audiencës së përgjithshme, edhe Papa Françesku u lut për popullsinë kalabreze:

         Mendimi im – tha Ati i Shenjtë – shkon në tragjedinë e ditëve të kaluara në Kalabri, në afërsi të përroit Raganello, ku humbën jetën ekskursionistët e ardhur nga Rajone të ndryshme të Italisë. Ndërsa ia besoj mirësisë së mëshirshme të Zotit të gjithë ata, që u ndanë dramatikisht nga kjo jetë, shpreh afërsinë time shpirtërore me familjarët dhe me të plagosurit.

22 gusht 2018, 12:13