Kërko

Papa, mes të rinjve,  në audiencën e përgjithshme Papa, mes të rinjve, në audiencën e përgjithshme  

Papa: nëpër portën e ligështisë, hyn shëlbimi i Zotit

Në audiencën e sotme të përgjithshme, kushtuar idhujtarisë, Papa Françesku kujtoi se kushti për t’ia hapur zemrën Zotit e për t’i dëbuar idhujt nga shpirti ynë, është ta pranojmë ligështinë tonë.

R. SH. - Vatikan

Në Sallën e Palit VI, gjatë audiencës së dytë të përgjithshme, pas pushimit të shkurtër të korrikut, Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e dytë Dekalogut - Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot, duke vijuar të flasë për idhujtarinë. U ndalua posaçërisht tek  fragmenti biblik i Librit të Daljes, ku flitet për viçin e artë, simbol i gjithë idhujve.

Gjatë ravgimit nëpër shkretëtirë, nis kërkimi i idhujve

Papa i ftoi besimtarët të ndalohen tek rrethanat, në të cilat zhvillohet ngjarja biblike. Njerëzit enden nëpër shkretëtirë, vend i thatë, i egër, i pasigurt, “simbol i vetë jetës njerëzore”, kushtet e së cilës janë krejt të paqarta e pa asnjë garanci paprekshmërie. E pikërisht pasiguria ngjall ankthet e para, pyetjet e para, ngarkuar me një mori të panjohurash. E më të parat: “Ku do të gjejmë për të ngrënë e për të pirë?”. Pyetje, që krijojnë truall  të pëlleshëm për idhujtari.

Natyra njerëzore, për të shpëtuar nga mungesat, vihet në kërkim të një feje, të cilën nuk përton aspak ta sajojë sipas dëshirave: fe më vete! Në se Zoti nuk po na duket, ta bëjmë një zot, sipas masës sonë! “Para idhullit mund të përkulesh pa frikë se të bën thirrje të dalësh nga siguritë e tua, sepse idhujt “kanë gojë, por nuk flasin” (Ps. 115,5). E kuptojmë, atëhere, se idhulli është pretekst, që na hap udhën për ta vënë vetveten në qendër të realitetit, “nësa adhurojmë veprën e duarve tona”.

Suksesi, pasuria e paraja: tundime të përhershme

Nevoja për të pasur një idhull e shtyn Aronin të krijojë viçin - askohe simbol i pjellorisë, i begatisë, i energjisë, i forcës - derdhur në ar e, prej këndej, edhe simbol që flet vetë, e menjëherë, për pasurinë. Sukses, pushtet, para - pohoi Papa - janë tundime, që vijojnë gjithnjë! Ja, pra, ç’është viçi i artë: simbol i të gjitha dëshirave, që të krijojnë iluzionin e lirisë, ndërsa të skllavërojnë. “Puna e madhe e Zotit - nënvizoi Françesku - është ta shkulë idhujtarinë nga zemra jonë”.

Por nuk duhet harruar se gjithçka lind nga paaftësia për të besuar posaçërisht në Zotin, për t’i mbështetur plotësisht në Të, siguritë tona, për ta lënë Atë të na e  mbushë zemrën me dëshira. Kjo na ndihmon edhe ta përballojmë ligështinë tonë, paqartësinë, pasigurinë.  Pa epërsinë e Zotit, njeriu bie lehtësisht në idhujtari e kënaqet me siguritë e tij mjerane.

Ligështia nuk është fatkeqësi

E pra ta pranosh Jezusin, që u bë i varfër për ne, do të thotë “të pranosh se ligështia jote nuk është fatkeqësi e jetës njerëzore, por kusht për t’ia hapur zemrën Atij, që është vërtet i fortë”.

Nëpër portën e ligështisë, hyn shëlbimi i Zotit (krh 2 Kor 12,10) e pikërisht forca e mangësisë e shtyn njeriun t’ia hapë zemrën atësisë së Zotit. Liria e njeriut lind, kur pranon se Hyji i vërtetë është i vetmi Zot. Kjo na krijon kushtet të pranojmë ligështinë tonë e t’i dëbojmë idhujt nga zemra jonë.

Në Krishtin nuk ka mashtrim lëbyrës

Kur e shikojmë Krishtin e Kryqëzuar, ne, të krishterët, pranojmë se në Të “ashtu të ligshtë, të përbuzur, të zhveshur nga çdo pasuri”,  është fytyra e vërtetë e Zotit, “lavdia e dashurisë e jo e mashtrimit lëbyrës” .

Ne mund të na shërojë vetëm Ai, që u bë i varfër, që e pranoi dështimin, që mori mbi vete, deri në fund të fundit, ligështitë tona, për t’i mbushur me dashuri e me forcë. Ai vjen për të na dëftuar atësinë e Zotit: në Krishtin, ligështia jonë nuk është më mallkim, por cak takimi me Atin e gurrë e forcës, që vjen nga lart!

Shën Tereza e Kryqit, martire e popullit hebraik e të krishterë

përfundim të audiencës, Papa Françesku kujtoi festën e Shën Terezës Benedikta e Kryqit, në shekull Edith Stein, bashkëpajtore e Evropës, që do të kremtohet nesër më 9 gusht. “Grua e koherencës, që kërkon Zotin me ndershmëri e dashuri - kujtoi Papa - është martire e popullit të saj hebraik e edhe atij të krishterë. Ajo, Pajtorja e Kontinentit të vjetër, u lutët për Evropën dhe e ruajtë nga qielli. E Zoti ju bekoftë të gjithë!".

08 gusht 2018, 12:49