Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: të besojmë në Jezusin, për të kryer veprat e Atit

Feja nuk duhet reduktuar vetëm në praktikimin e ligjeve, por duhet kuptuar se të kesh besim në Krishtin do të thotë “të bësh vepra mëshire, me parfumin e Ungjillit, për të të mirën dhe nevojat e vëllezërve”: ky, kuptimi kryesor i fjalëve të Françeskut gjatë lutjes së sotme mariane.

R. SH. - Vatikan

“Ta kultivojmë” lidhjen me Zotin, duke e forcuar besimin tonë në Atë, që është “buka e jetës” e që erdhi të shuajë urinë tonë “për të vërtetën, drejtësinë, dashurinë”. Kjo, nxitja e Papës në lutjen e  Engjëllit të Tënzot të së dielës, gjatë së cilës reflektoi mbi Ungjillin e sotëm, sipas Gjonit e mbi fjalët e Jezusit: “Kush vjen tek unë, nuk do të ketë uri e kush beson në mua, nuk do të ketë etje, kurrë!”.

Përtej shqetësimeve të përditshme

Jezusit - shpjegoi Papa - nuk i mjafton që njerëzit ta kërkojnë! Dëshiron diçka më shumë: ta njohin! “Dëshiron që kërkimi i Tij e takimi me Të - vuri në dukje Françesku - të shkojnë përtej plotësimit të menjëhershëm të nevojave materiale”.

Jezusi nuk erdhi mbi tokë për kaq pak! Erdhi të na sjellë diçka më shumë, t’i hapë jetëve tona një horizont më të gjerë, në krahasim me shqetësimet e përditshme të ushqimit, të veshjes, të karrierës, e kështu me radhë. Prandaj, duke iu drejtuar turmës, i thotë: “Ju më kërkoni jo pse patë shenja, por pse hëngrët bukë e u ngopët”. Kështu i nxit njerëzit të bëjnë një hap para, ta pyesin veten për domethënien e mrekullisë, e jo vetëm për përfitimin, që patën prej saj. E domethënia është mrekullia: “shumëzimi i bukëve dhe i peshqve është simbol i dhuratës së madhe, që Ati ia bëri njeriut e që është vetë Jezusi”.

Lidhja me Zotin nuk është marrëdhënie shërbëtor-zotëri

Krishti - shpjegoi Papa - nuk dëshiron të shuajë vetëm etjen e urinë e trupit tonë, por edhe, e sidomos, të shpirtit, duke na ushqyer me “shujtën shpirtërore”, e cila shuan një uri shumë më të  thellë: urinë për jetën e pasosur, të cilën Jezusi na e jep ditë për ditë: për Fjalën e Tij, Korpin e Tij, Gjakun e Tij. Por turma nuk arrin ta kapë menjëherë kuptimin e ftesës së Zotit, “siç na ndodh shpesh edhe ne”- vërejti Françesku - duhet të mendosh, ndërkaq, se Jezusi kërkon zbatimin  e urdhërimeve, për të  pasur mrekulli të tjera.

Është tundim i zakonshëm, ky, reduktimi i fesë vetëm në praktikimin e ligjeve, duke e parë lidhjen me Zotin si lidhje ndërmjet shërbëtorit e zotërisë: shërbëtori  duhet të kryejë detyrat, që i ngarkoi zotëria, nëse dëshiron të fitojë dashamirësinë e tij. Këtë e di gjithkush!

Besim në Jezusin, për të kryer veprat e Zotit

Kush e dëgjon Jezusin - shtoi Papa - dëshiron të dijë çfarë veprash duhet të kryejë “për ta kënaqur zemrën e Zotit”. Por vepra e Zotit - sqaroi - është të besosh “në Atë, që e dërgoi”.

Këto fjalë na drejtohen dhe ne, sot: vepra e Zotit nuk qëndron kryesisht në “bërjen” e gjërave, por në “besimin” në atë, që e dërgoi Zoti: ose, më mirë, besimi në Jezusin na krijon kushte të kryejmë veprat e Zotit. Nëse hyjmë në këtë lidhje dashurie e besimi me Jezusin, do të jemi të aftë të bëjmë vepra mëshire, me parfumin e Ungjillit, për të mirën dhe nevojat e vëllezërve.

Kushtimi i Bazilikës së Shën Marisë së Madhe

Në ditën kur kujtohet kushtimi i Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, në Romë, Papa u lut që Maria të na mbështesë në rrugën tonë të fesë e të na ndihmojë ta lëshojmë me gëzim vetveten në dorë të Zotit, sipas planeve të Tij për jetën tonë. Në përfundim, pas kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë, si zakonisht, përshëndeti shtegtarët, ardhur, ndërmjet vendesh të tjera, edhe nga Republika Çeke, Spanja e nga të katër anët e Italisë.

 

05 gusht 2018, 14:40