Papa Françesku me Don Julian Carron Papa Françesku me Don Julian Carron 

Papa Mitingut të Riminit: “Pa Zotin, asnjë revolucion nuk mund ta kënaqë njeriun”

Në mesazhin drejtuar Mitingut Rimini 2018 të Lëvizjes Bashkim e Çlirim, që u hap sot, Papa shpjegon se feja përmban gjithnjë dëshirën për ta vënë në lëvizje historinë. “I krishteri nuk mund të mos ëndërrojë një botë më të mirë!”.

R. SH. - Vatikan

“Forcat, që vënë në lëvizje shoqërinë, janë po ato, që e bëjnë njeriun të lumtur”. Me këto fjalë, të cilat janë edhe titull i Meeting 2018, organizuar nga Bashkim e Çlirim, don Giusani e sfidonte një të ri për të verifikuar cilat janë forcat, që e ndryshojnë historinë, duke kujtuar përpjekjen revolucionare të 1968-tës,

Viti ’68 dhe joshja për ndryshim

Shkëputja e çdo lidhjeje me të kaluarën u bë imperativ i domosdoshëm për një brezni, që i mbështeste të gjitha shpresat tek revolucioni i strukturave, të afta për të siguruar një jetë më të vërtetë. Shumë besimtarë - shkruan sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një mesazh, në emër të Papës, drejtuar organizatorëve dhe pjesëmarrësve në Miting, përmes ipeshkvit të Riminit, imzot Lambiasi -  “u joshën nga një perspektivë e tillë dhe e bënë fenë moralizëm që, duke mos e vënë aspak në dyshim Hirin, u besonte përpjekjeve për realizimin praktik të një bote më të mirë” .

Shtohet frika nga e ardhmja

E ç’mbeti nga kjo dëshirë për të ndryshuar gjithçka? Vijojnë të ngrihen mure, në vend që të ndërtohen ura. Synohet mbyllja, në vend të hapjes. Thellohet indiferenca, në vend të dëshirës për ndryshime. E nuk mund të mos na lindë pyetja nëse, në këtë gjysëm shekulli, bota është bërë më e banueshme. Këtë pyetje e bëjmë edhe ne, të krishterët,  që kaluam përmes stinës së ’68-tës  e që tani jemi të thirrur të reflektojmë së bashku me shumë nga protagonistët e të pyesim: “Ç’kemi mësuar? Ç’përfituam nga gjithë kjo, për të ardhmen?”.

I krishteri nuk heq dorë nga një botë më e mirë

Krishterimi nuk i kërkon njeriut të tërhiqet nga bota, për të mos u rrezikuar të bjerë në gabim e për ta ruajtur fenë në atmosferën e një lloj pastërtie të pamolepsur, sepse feja e vërtetë e përfshin edhe dëshirën për ta ndryshuar botën, për ta lëvizur historinë,  siç e lexojmë edhe në titullin e Mitingut. Është e mundur? I krishteri nuk mund të heqë dorë nga ëndrra për një botë,  që ndryshon, që bëhet gjithnjë më e mirë. E arsyeshme të ëndërrosh, mbasi në rrënjë të kësaj sigurie është bindja e thellë se Krishti është zanafillë e botës së re, të cilën Papa Françesku e përmbledh me këto fjalë: “Ngjallja e Tij nuk është fakt i së kaluarës; përmban forcën e jetës, që depërtoi botën. Atje ku duket se gjithçka është e vdekur, shpërthejnë nga të katër anët filizat e ringjalljes. Është forcë e pashoqe!”.

Asnjë revolucion nuk e kënaq zemrën njerëzore

Asnjë përpjekje, asnjë revolucion - përfundon mesazhi i Papës drejtuar Mitingut të Riminit  - nuk mund ta kënaqë zemrën e njeriut. Vetëm Zoti,  që na bëri me një dëshirë të pafundme, mund ta mbushë përplot me praninë e tij të pakufishme! Për këtë u bë njeriu: për të mundur ta takojë Atë, që shëlbon; “Atë, që plotëson dëshirën për të jetuar ditë të lumtura” – siç na e kujton një fragmet i Dokumentit të Aparecidës, i qershorit 2007, fryt i Konferencës së episkopatit të Kontinentit latino-amerikan e Karaibeve. 

19 gusht 2018, 15:55