Kërko

 Audienca e Papës me ligjvënësit katolikë Audienca e Papës me ligjvënësit katolikë 

Papa ligjvënësve katolikë: politikanët e krishterë të jenë sidomos dëshmitarë

Papa Françesku: “Është rënduar tragjikisht situata e të krishterëve dhe e pakicave të tjera fetare në zonat e përshkuara nga fundamentalizmi. Rrezik real është ai i “luftës kundër ekstremizmit dhe intolerancës, me ekstremizëm e intolerancë”.

R. SH. - Vatikan

Duke pritur pjesëmarrësit e Mitingut ndërkombëtar, organizuar nga International Catholic Legislators Network, Papa Françesku u tregoi udhën, që duhet të ndjekë politikani i krishterë: është i thirrur, mbi të gjitha - pohoi Papa Françesku - të përpiqet me përvujtëri e guxim të jetë dëshmitar e të propozojë me kompetencë  projekt-ligje në përkim me vizionin e tij të krishterë mbi njeriun e shoqërinë. Posaçërisht ata, që angazhohen të promovojnë të mirën e përbashkët - nënvizoi Papa - mund e duhet të japin kontributin e tyre edhe lidhur me çështjen tejet të rëndësishme të lirisë fetare.

Kundër të krishterëve, diskriminime e persekutime

Duke kujtuar, pastaj, se mitingu i këtij viti u përqendrua mbi lirinë fetare dhe atë të ndërgjegjes, Françesku u ndal tek një fragment i deklaratës “Dignitatis humanae” të 1965-s: nuk mungojnë regjime, të cilat - lexohet në këtë tekst – edhe pse në kushtetutat e tyre e pranojnë lirinë e kultit fetar, “përpiqen t’i largojnë  qytetarët nga praktikimi i fesë e t’ua bëjnë tejet të vështirë e të rrezikshme jetën e bashkësive fetare”.

Në skenën aktuale dynden re të reja

.. është rënduar tragjikisht situata e të krishterëve dhe pakicave të tjera në zonat, ku kalon fundamentalizmi.

Është fjala për troje - shpjegoi Françesku - të goditura nga shtrirja dhe thellimi i “qëndrimeve intolerante, agresive e të dhunshme”, që kanë shkaktuar e vijojnë  të ushqejnë “diskriminime e persekutime, që jo gjithnjë ndiqen si duhet nga autoritetet përkatëse”.

Fundamentalizmi nuk luftohet me ekstremizëm

Papa nënvizoi, më pas,  se  janë dy ideologji, të kundërta, por njëlloj kërcënuese për lirinë fetare e atë të ndërgjegjes: “Relativizmi shekullarist dhe radikalizmi fetar, në realitet - vërejti Papa – pseudo-fetar”. Françesku vuri posaçërisht theksin mbi një rrezik:

“…mbi rrezikun real për ta luftuar ekstremizmin dhe intolerancën me ekstremizëm e intolerancë, edhe në sjellje e në fjalë”.

Kutojmë se International Catholic Legislators Network është një rrjet parlamentarësh katolikë nga mbarë bota. U themelua në vitin 2010 si nismë e ndërkombëtare  e pavarur dhe pa ndikime partiake.

 

22 gusht 2018, 15:27