Kërko

Papa jezuitëve: të ndihmohen të papunët, për të shmangur vetëvrasjet, vartësisë e devijimet

Françesku priti dje, në Vatikan, para audiencës së përgjithshme, jezuitët e rinj, pjesëmarrës në takimin “European Jesuits in formation”, që vijon në Romë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishëmve, Papa u ndalua posaçërisht tek papunësia në radhët e të rinjve si dhe tek roli Shoqërisë së Jezusit.

R. SH. - Vatikan

Në një botë, në të cilën financa “abstrakte” e “mizore” është në qendër të fantazisë kolektive, ta vëmë përsëri në plan të parë “burrin e gruan”, sepse mëkati i madh kundër dinjitetit të njeriut ka qenë pikërisht fakti i mënjanimit të këtij burri e të kësaj gruaje “nga vendi qendror”. Kështu u shpreh Papa, duke pritur dje, në një nga mjediset e Sallës Pali VI, pjesëmarrësit në takimin “European Jesuits in formation”, rreth 30 vetë. Së bashku me kryetarin e Konferencës së provincialëve  evropianë, Franck Janin, dhe delegatët e formimit evropian e të provincës euromesdhetare, Alessandro Manaresi e Angelo Schetini, ishin edhe të rinj, të cilët marrin pjesë në takimin vjetor formativ, që po mbahet në Romë, nga 28 korriku deri më 20 gusht.

Punë e dinjtet

I pyetur prej njërit nga të rinjtë për tipin e komunikimit dhe të shoqërimit, që mund t’u ofrohet të rinjve të papunë e të pa asnjë angazhim, që të mund t’u rikthehet dinjiteti, Françesku - i ndihmuar edhe nga përkthyesi në anglisht - reflektoi mbi atë që ndoshta - tha - është një nga problemet  më të mprehta e më të dhimbshme për të rinjtë, ngaqë shkon drejt e në zemër të njeriut - sepse të jesh i papunë e të mos mundësh të çosh bukën e përditshme në shtëpi, do të thotë ta kesh humbur dinjitetin.

Në ekonominë botërore vërehet një farë risistemimi, në të cilin ekonomia, që është konkrete, ia lëshon vendin financës, që është abstrakte. E luhet, kështu, me një përfytyrim kolektiv, që nuk është aspak konkret, por likuid e gazoz. E në qendër të gjithë kësaj: bota e financës. Ndërsa në vend të saj do të duhej të ishte burri e gruaja. Sot ky është, besoj, mëkat i madh kundër dinjitetit të njeriut: zhvendosja e tij nga vendi qendror.

Vetëvrasjet

Financa - shtoi Papa - i ngjet, në shkallë botërore, zinxhirit të Shëna Ndout:  me këtë zhvendosje të njeriut nga qendra, duke vënë në plan të parë financën, që është “gazoze”, lindin zbrazësitë në punë.

Numri i vetëvrasjeve në radhët e të rinjve është gjithnjë në rritje , por qeveritë - jo të gjitha - nuk e botojnë numrin e saktë; e botojnë deri në një farë pike, sepse është tejet shkandullues. E pse vetëvaren, vetëvriten, vetëmbyten këta të rinj? Arsyeja kryesore, pothuajse në të gjitha rastet, është mungesa e punës. Ndjehen të paaftë, të padobishëm, të  padenjë për të jetuar. E përfundojnë kështu, tragjikisht.

Kërkimi i një rruge

Të rinjtë e papunë, në kërkim të një rruge të ndërmjetme, përfundojnë, pastaj në atë të vartësive, udhë dedharake, për të harruar humbjen e dinjitetit.

Mendoni se pas çdo doze të kokainës - është një industri  e madhe botërore, që e bën të mundshme këtë e - ka shumë mundësi - ndonëse nuk jam krejt i sigurt -  është edhe lëvizja më e madhe e parasë në botë.

Rruga terroristike

Por kuadri, në fjalët e Papës, nuk është akoma i plotë: ka edhe nga ata që, për të fituar, zgjedhin rrugën e rekrutimit në Isis.

Vetëvrasje, vartësi e pjesëmarrje në guerrilje, janë tri mundësitë, që kanë të rinjtë e sotëm, kur nuk gjejnë dot punë. Kjo ka shumë rëndësi: të kuptohet problemi i të rinjve; t’i bëjmë të rinjtë ta ndjejnë se ne i kuptojmë, e kjo do të thotë të komunikosh me ta. - E pastaj të lëvizim për t’ua zgjidhur problemin. Problemi e ka një zgjidhje, por duhet gjetur, duhet gjetur fjala profetike, fryma krijuese njerëzore, duhen gjetur e duhen bërë shumë e shumë gjëra. Duhen ndotur duart…

Pali VI e Atë Arrupe

Françesku, më pas, i nxiti sivëllezërit për “frymë guximtare krijuese”, duke kërkuar mënyrat për t’iu përgjigjur kësaj emergjence. Prej këndej, u ndalua tek “origjinaliteti i Shoqërisë së Jezusit”: “unitet”, “në larminë e madhe”. E quajti “fjalimi më i bukur” që është mbajtur nga ndonjë Papë, drejtuar Shoqërisë, atë të të Lumit Pali VI, në vitin 1974 kur, duke i ftuar për guxim etërit e thirrur të marrin pjesë në Kongregacionin XXXII të përgjithshëm, pati thënë: “Ku ka kryqëzime idesh, problemesh, sfidash, aty sigurisht është një Jezuit”. Papa, njëkohësisht me festën liturgjike të Shën Pjetrit Favre, shok i Shën Injacit të Lojolës, kujtoi edhe fjalimin e fundit të atë Pedro Arrupes, Epror i 28-të i përgjithshëm i Shoqërisë së jezuitëve, për të cilin kohët e fundit dioqeza e Romës ka hapur çështjen e lumnimit. Ishte në Tailandë, pranë  një kampi refugjatësh.

Në këto dy fjalime gjejmë kornizën e asaj, që duhet të bëjë sot Shoqëria: duhet të guxojë, të shkojë drejt periferive, drejt kryqëzimit të ideve, problemeve, misionit. Atje është testamenti i Arrupes, “kënga e fundit e mjellmës”, lutja. Duhet guxim për të qenë Jezuit. Nuk do të thotë  se jezuiti duhet të jetë i pavetëdijshëm, as kokëkrisur, jo! Po guximin duhet ta ketë! Guximi është hir, që vjen prej Zotit, është parresia paoline... E duhen edhe gjunjë të fortë për lutje. Besoj se në këto dy fjalime ju do të gjeni  frymëzimin për të shkuar ku t’ju thotë Shpirti Shenjt, në zemër.   

02 gusht 2018, 12:28