Papa Françesku: Letër drejtuar ipeshkvijve të KIlit Papa Françesku: Letër drejtuar ipeshkvijve të KIlit 

Papa ipeshkvijve të Kilit: vendime konkrete kundër pedofilisë

Në një letër, drejtuar Konferencës ipeshkvnore kiliane, Papa nënvizon se vendimet e marra nga prelatët “do të ndihmojnë plotësisht për t’iu kundërvënë plagës së pedofilisë”.

R. SH. - Vatikan

Mban datën 5 gusht dhe është shkruar krejtësisht me dorë nga Papa Françesku, Letra e shkurtër, botuar në faqen e internetit të Konferencës ipeshkvnore kiliane,  drejtuar kryetarit të ipeshkvijve, imzot Santiago Silva Retamales. Në të, Papa Françesku shpreh vlerësimin e tij për dokumentin “Deklaratat, vendimet dhe angazhimet e ipeshkvijve të Konferencës ipeshkvnore të Kilit”, hartuar nga prelatët në përfundim të Asamblesë plenare të jashtëzakonshme, mbledhur për të diskutuar rreth temës së pedofilisë, lidhur me klerin, përfunduar më 3 gushtin e kaluar, në qytetin bregdetar Punta de Tralca.

Vendime konkrete

Si e mori dhe e lexoi me vëmendje dokumentin, Françesku pohon se u prek thellë nga reflektimi dhe shoshishtja e bërë si dhe nga vendimet e marra për luftën kundër shpërdorimeve. Papa i quajti këto vendime “realiste e konkrete”,  i sigurt  “se do të ndihmojnë në mënyrë vendimtare në gjithë këtë proces”.

Konferencë ipeshkvnore e bashkuar

“Por çka më preku më shumë” - vijon Papa në Letër - “është shembulli i një konference ipeshkvnore të bashkuar në udhëheqjen e popullit shenjt, që beson në Zotin. Faleminderit për këtë sjellje shembullore, sepse  “e ndërton’ Kishën.

Kryetari i Konferencës ipeshkvnore kiliane, imzot Santiago Silva, pohon se e ngushëlluan fort fjalët e Papës, duke i dhënë forcë për të vijuar ecjen “në udhën e ndreqjes, të shërimit e të shpërblimit”

Në dokument, ku  tregohet edhe rruga që do të ndiqet, 32 ipeshkvijtë e Kilit u kërkojnë solemnisht falje të gjitha viktimave të shpërdorimeve. Prelatët pranojnë se dështuan në kryerjen e detyrave të tyre dhe njoftojnë se - pas dorëheqjeve të ndryshme paraqitur Papës në përfundim të takimit të gjysmës së majit, në Vatikan - miratuan edhe udhëzime të reja për laikët e klerikët, që të mos përsëriten më raste të tjera.

07 gusht 2018, 12:09