Kërko

Papa Françesku, Letër Popullit të Zotit Papa Françesku, Letër Popullit të Zotit 

Papa: dhimbja e viktimave të abuzimeve është vajtim, që arrin deri në qiell

Papa Françesku i shkruan një Letër Popullit të Zotit, duke u ndaluar në pasojat e shumta, shkaktuar nga “abuzimet seksuale” me të miturit, nga një “numër i konsiderueshëm klerikësh e njerëzish të shuguruar”. Ati i Shenjtë shpreh solidaritetin e tij e kërkon “tolerancë zero” për ata, që kryejnë këto krime.

R.SH. - Vatikan

Plagëve të hapura nuk u kalon koha e nuk zhduken kurrë. Duhet “t’i dënojmë me forcë këto mizori”, si edhe “t’i përqendrojmë përpjekjet për ta çrrënjosur këtë kulturë vdekjeje”. Duhet të ndjejmë “turp” para një “stili jetese”, që “ka përgënjeshtruar e përgënjeshtron gjithçka ‘recitojmë’ me zë”.

         Janë fjalë dhimbjeje dhe dënimi të ashpër ato, që Papa Françesku shkruan të nesërmen e paraqitjes së raportit për abuzimet me të miturit në Pensilvani të SHBA-ve, ku përmenden së paku njëmijë viktima, që kanë pësuar “shpërdorime seksuale, pushteti e ndërgjegjeje nga duart e meshtarëve”. “Duke parë të kaluarën – shkruan Ati i Shenjtë në Letër – nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme gjithçka bëhet për të kërkuar falje e për të shpërblyer dëmin e shkaktuar. Duke parë të ardhmen, nuk do të jetë kurrë pak gjithçka bëhet për t’i dhënë jetë një kulture të aftë t’i shmangë gjendje të tilla, që ato jo vetëm të mos përsëriten”, por edhe të mos fshihen e të mos mbulohen.

Britma e viktimave qe më e fortë se mbulimi i fajit

         Papa Bergoglio niset nga fjalët e Shën Palit drejtuar Korintasve – “nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha gjymtyrët vuajnë së bashku” – për të theksuar se dhimbja e viktimave i përfshin të gjithë, pasi e keqja e pësuar nga kaq shumë të pafajshëm është “vajtim, që arrin në qiell” e që “për shumë kohë është injoruar, fshehur apo heshtuar”. Por, kjo “britmë ka qenë më e fortë se të gjitha masat, që përpiqeshin ta heshtonin ose, që pretendonin të jepnin një zgjidhje me vendime, të cilat e kanë bërë gjendjen më të rëndë, duke rënë në bashkëfajësi”. “Me turp e pendesë – shkruan Papa – si bashkësi kishtare, e pranojmë” se “nuk kemi vepruar me kohë për t’i kuptuar përmasat dhe rëndësinë e dëmit, që po shkaktohej në sa e sa jetë. I kemi shpërfillur dhe braktisur të vegjlit”. Ati i Shenjtë përdor fjalët e kardinalit të atëhershëm, Joseph Ratzinger (Papa i mëvonshëm Benedikti XVI), në Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe të vitit 2005: “Sa fëlliqësi ka në Kishë e, edhe ndërmjet atyre që, në meshtari, duhet t’i përkasin krejtësisht Krishtit! Sa arrogancë, sa fodullëk”.

Solidaritet për viktimat. Tolerancë zero për autorët

         Në Letër, Papa Françesku pranon me keqardhje se në të kaluarën, “lëshimi” është kthyer në formë përgjigjeje: një sjellje e turpshme, që sot nuk mund të ndiqet më e që duhet të shndërrohet në solidaritet për viktimat, “kuptuar në domethënien më të thellë e më kërkuese”. Një solidaritet, që nxit “luftën kundër çdo lloj korrupsioni, sidomos kundër atij shpirtëror, sepse është fjala për një verbëri të rehatshme e mendjemadhe, për të cilën, në fund të fundit, gjithçka duket e lejueshme”. Papa Françesku ka besim në ndryshimin rrënjësor të gjendjes: “Jam i vetëdijshëm për punën, që bëhet në shumë anë të botës”, shkruan në Letër, për të gjitha përpjekjet që t’u jepet siguri e mbrojtje fëmijëve e të brishtëve të tjerë, që të zbatohet “toleranca zero” kundër atyre, që kryejnë e i mbulojnë këto krime. Ata duhet të japin llogari, ngre zërin Papa.

Kundër çdo forme klerikalizmi

         Në katër faqet e dokumentit, drejtuar të gjithë besimtarëve në Krishtin, edhe dënimi i ashpër kundër çdo “forme të klerikalizmit” dhe nevoja për ta lejuar Popullin e Zotit të jetë më aktiv në Kishë. “Klerikalizmi – shkruan Papa Françesku – krijon ndarje në bashkësinë kishtare, gjë që nxit e ndihmon në përhapjen e shumë të këqiave, të cilat sot i denoncojmë”. “Sa herë jemi përpjekur ta zëvendësojmë, ta heshtojmë, ta injorojmë, ta reduktojmë Popullin e Zotit në grupe të vogla elitare – ngul këmbë më tej Ati i Shenjtë – kemi ndërtuar bashkësi, programe, teologji, përshpirtëri e struktura pa rrënjë, pa kujtesë, pa fytyrë, pa korp, përfundimisht, pa jetë”. Klerikalizmi është “një mënyrë anormale për ta kuptuar autoritetin e Kishës, përhapur në shumë bashkësi në të cilat janë vërejtur abuzime me seksin, me pushtetin e me ndërgjegjen”; qëndrim, që “jo vetëm e anulon personalitetin e të krishterëve, por synon edhe ta pakësojë e ta nënvlerësojë hirin e Pagëzimit, që Shpirti Shenjt ka dikuar në zemrën e njerëzve tanë”. “Mënyra e vetme për t’iu përgjigjur kësaj së keqeje, që ka marrë shumë jetë, është ta jetojmë si detyrë, në të cilën përfshihemi të gjithë si Popull i Zotit e na takon të gjithëve”. “T’i themi ‘jo’ abuzimit do të thotë t’i themi me forcë ‘jo’ çdo lloj forme të klerikalizmit”.

Pendesë e lutje

         Së fundi, Papa Françesku e fton “gjithë Popullin shenjt e besnik ndaj Zotit në ushtrimin pendestar të lutjes e të agjërimit, sipas urdhëresës së Tënzot, që rizgjon ndërgjegjen, solidaritetin dhe impenjimin tonë për një kulturë të mbrojtjes e të ‘kurrë më’ nga çdo lloj e formë abuzimi”. Një “përmasë pendestare agjërimi e lutjeje”, që na ndihmon “si Popull i Zotit të qëndrojmë para Hyjit e para vëllezërve tanë të plagosur, si mëkatarë, që përgjërohen për faljen e për hirin e turpit e të kthimit, e kështu, të mendojnë për veprime, që sjellin dinamizma në përkim me Ungjillin”. Gjithnjë me Zojën e Papërlyer si pikë referimi e si model, Ati i Shenjtë saktëson se “pendesa e lutja” ndihmojnë në “mposhtjen e lakmisë për pushtet e mbizotërim, që shpesh, bëhet rrënjë e këtyre të këqiave”, si edhe japin mundësinë “të ecet drejt së vërtetës, duke mbështetur të gjitha ndërmjetësimet gjyqësore të nevojshme”.

20 gusht 2018, 13:09