Cerca

Vatican News

Papa Françesku kujton Palin VI, Papë i modernitetit

Papa Françesku, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, u ndalua tek figura e Palit VI, vdekur 40 vjet më parë. “E kujtojmë - theksoi - me shumë nderim e mirënjohje”.

R. SH. - Vatikan

Është data 6 gusht 1978. Festa e Shndërrimit të Jezusit. Papa Pali VI kthehet në shtëpinë e Atit. E Papa Françesku, sot, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, e kujtoi këtë ditë me fjalët:

“Të dashur vëllezër e motra, dyzet vjet më parë i Lumi Pali VI jetonte orët fundit mbi këtë tokë. Vdiq mbrëmjen e 6 gushtit 1978. E kujtojmë - theksoi – “me shumë nderim e mirënjohje”, në pritje të shenjtërimit të tij, më 14 tetorin e ardhshëm. Nga qielli, ndërmjetëson për Kishën, që aq shumë e deshi, e për paqen në botë. Ta përshëndesim këtë Papë të madh modern me një duatrokitje, të gjithë!

Koncili II i Vatikanit dhe Humanae Vitae

Pali VI do të shpallet shenjt më 14 tetorin e ardhshëm, në Sheshin e  Shën Pjetrit, gjatë Sinodit të ipeshkvijve, kushtuar të rinjve. Papa Montini e shoqëroi deri në përfundim Koncilin II të Vatikanit. Në seancën e fundit publike të takimit të madh konciliar, pati thënë: “Ky Koncil i dorëzon historisë figurën e Kishës Katolike të  paraqitur në këtë sallë, plot me barinj, që shpallin të njëjtën fe, frymëzohen nga e njëjta dashuri, bashkohen në të njëjtën lutje, disiplinë, veprimtari e - çka është më e mrekullueshme  - të gjithë dëshirojnë një gjë të vetme: të flijojnë vetveten, si Krishti, Mësuesi e Zoti ynë, për jetën e Kishës dhe shpëtimin e botës”. Pali VI është edhe autori i enciklikës Humanae Vitae, botuar 50 vjet më parë. Në këtë enciklikë hedh poshtë, ndërmjet tjerash, ndërprerjen e shtatzanisë me metoda artificiale dhe mban një qëndrim të prerë kundër politikave të planifikimit familjar.

05 gusht 2018, 14:46