Kërko

Papa Francesco per la tutela dei minori Papa Francesco per la tutela dei minori 

Papa Françesku: Dashuria e Krishtit na ndryshon jetën

"Dashuria e Krishtit, e pranuar me zemër të hapur, na ndryshon, na transformon, na bën të aftë për të dashur". Kështu shkruan Papa Françesku në një tweet të ri botuar në gjuhë të ndryshme në faqen e internetit @Pontifex

R.SH. - Vatikan

"Dashuria e Krishtit, e pranuar me zemër të hapur, na ndryshon, na transformon, na bën të aftë për të dashur". Kështu shkruan Papa Françesku në një tweet të ri botuar në gjuhë të ndryshme në faqen e internetit @Pontifex. (31 gusht 2018)

Jo e tërë dashuria vjen nga Zoti, por Zoti është “dashuria e vërtetë”. Ky është mendimi, frymëzuar nga liturgjia e 8 janarit 2016 sotme, mbi të cilin Papa Françesku e shtjelloi homelinë e Meshës, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan. Zoti, përsëriti Papa Bergoglio, do gjithmonë dhe do i pari, pa marrë parasysh sa mëkatarë jemi.

Dashuria, dhembshuria. Këto dy vlera e elemente kuptohen ndryshe nga Hyji e ndryshe nga njeriu. Në Leximin e parë të Meshës së 8 janarit 2016, Gjoni Apostull – vëren Papa Françesku – bën një reflektim të gjatë mbi dy urdhërimet kryesore të jetës fetare: dashurinë ndaj Zotit e dashurinë ndaj të afërmit. Dashuria në vetvete “është e bukur”, të duash është gjë e bukur, siguron Papa, e megjithatë një dashuri e sinqertë “bëhet e fortë dhe rritet në dhurimin e jetës personale”:

“Fjala ‘dashuri’ është një fjalë që përdoret shpesh herë e kur përdoret, nuk dihet ç'do të thotë saktësisht. Çka është dashuria? Nganjëherë mendojmë për dashurinë e telenovelave, jo, ajo nuk duket dashuri. Apo ndoshta dashuria mund të duket si entuziazëm për një person e pastaj...shuhet. Nga vjen dashuria e vërtetë?  Kushdo që do, ka lindur nga Zoti, sepse Zoti është dashuri. Gjoni ungjilltar nuk thotë: ‘Çdo dashuri është e Zotit, jo, por: Zoti është dashuri”.

Gjoni apostull nënvizon një tipar të dashurisë së Zotit: Ai do “i pari”. Këtë e provon skena e Ungjillit të shumëzimit të bukëve, propozuar nga liturgjia: Jezusi e shikon turmën e njerëzve dhe ka “dhembshuri”, çka – saktëson Papa Françesku – “nuk është e njëjta gjë me ‘pati mëshirë’”. Sepse dashuria që Jezusi ushqen për njerëzit që e rrethojnë “e bën të ‘vuajë me ta, të bashkëndajë – shpjegon Papa – jetën e njerëzve”. E kjo dashuri e Zotit, nuk paraprihet kurrë nga dashuria e njeriut, e Ati Shenjtë Françesku numëron këtu njëmijë shembuj e citon, nga rasti i Zakeut, te Natanaeli, te djali plëngprishës:

“Kur kemi një peng në zemër e duam t’i kërkojmë falje Zotit, është Ai që na pret për të na dhënë faljen. Ky Vit i Mëshirës Hyjnore, në një farë mënyre domethënë pikërisht këtë: ne e dimë se Zoti është duke na pritur, çdonjërin prej nesh. Pse? Për të na përqafuar. Asgjë më shumë. Për të na thënë: ‘Bir, bijë, të dua. Kam lënë që Biri im të kryqëzohet për ty; ky është çmimi i dashurisë ime’. Kjo është dhurata e dashurisë”.

“Zoti më pret, Zoti do që unë ta hap portën e zemrës sime”: këtë bindje, ngul këmbë Papa Françesku, duhet ta kemi “gjithmonë”. E nëse vërej se nuk ndjehem i denjë për dashurinë e Zotit, “është më mirë – tha Papa – sepse Ai të pret, ashtu siç je, jo siç të thonë se ‘duhet të bësh””:

“Të shkosh te Zoti e të thuash: ‘Po, ti e di, o Zot, se unë të dua’. E nëse nuk e ndjej vetë mund të them edhe kështu: ‘Ti e di, o Zot, se unë do të doja të të dua Ty, por jam mëkatar i madh, mëkatare e madhe’. E Ai bën të njëjtën gjë që pati bërë me djalin plangprishës, i cili pati shpenzuar e shkapërderdhur të gjitha pasuritë në vese: nuk do të lërë ta mbarosh fjalën, sepse me përqafim do të bëjë të heshtësh. Është përqafimi i dashurisë së Zotit” .

31 gusht 2018, 16:03