Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Pamje nga audienca e përgjithshme Pamje nga audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa, fake news dhe akti i besimit tek gazetarët

Dje, në Sheshin e Shën Pjetrit, një kor besimtarësh, me ipeshkvin e vet, u shndërrua në akt proteste kundër Papës Françesku. Një fak news, lajm krejt i rremë, por që tashmë ka marrë dhenë e që të kujton fuqimisht detyrën profesionale të gazetarëve për ta kërkuar të vërtetën, jo për ta fabrikuar.

R. SH. - Vatikan

Skena është ajo e zakonshmja. E të mërkurave në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa   kryen katekizmin, jep bekimin e përshëndet disa njerëz, që i afrohen për t’i puthur dorën. Nga Sheshi ngrihet një kor zërash. Janë zëra besimtarësh. Brohorasin për dikënd, që e kanë për zemër e që është duke përshëndetur Papën. Dje paradite, ndodhi që, disa të sapo krezmuar brohorisnin në kor një emër “Italo”. Ishte emri i ipeshkvit të tyre, imzot Italo Castellano, pikërisht i atij, që po përshëndeste Papën  Françesku.

Gjithçka normale, nëse nuk do të ishte aty ndokush, që shprehu bindjen se dëgjoi një kor, që brohoriste emrin e imzot Viganò-së, ish- nunc Apostolik në SHBA, autor i dokumentit tashmë të mirënjohur, përmes të cilit ngre akuza kundër Papës. Lajmi është nga ata, që bëjnë bujë. Nga ata, që duken me gërma të mëdha në faqet e gazetave. “Gjynah, që është i rremë!”. Nuk duhet vrarë shumë mendja, për ta kuptuar këtë. Mjafton të ridëgjosh me vëmendje videon e Vatican News në Youtube (shiko këtu në 1h04’27”),  në dispozicion të të gjithëve, për ta kuptuar se emri i bohoritur nuk ishte “Viganò”.  Nuk ishte! E megjithatë, në pak minuta “lajmi” u bë viral në mediat e, që aty – siç ndodh gjithnjë më shpesh - kaloi në informacionet main stream - domethënë në informacionet më të ndjekura nga publiku.

Në dukje, i vërtetë...

Në disa kanale të gazetave, lexojmë se Papa u kundërshtua në Sheshin e Shën Pjetrit nga besimtarët, që himnizonin “akuzuesin e madh”, Carlo Maria Viganò. Lajmi i vërtetetë u mësua vetëm pas pak kohe, falë profesionalitetit të atyre, që e morën mundimin ta ridëgjojnë audion e të “zbulojnë” praninë në Sheshin e Shën Pjetrit të grupit të besimtarëve nga Lucca që, për disa orë, falë këtij lajmi të rremë, u bënë “të famshëm”, pa dijeninë e, natyrisht, edhe pa dëshirën e tyre! Surreal ky lajm. Në disa aspekte. Madje edhe komik! Por jo më pak, edhe simptomë shqetësuese për një sistem mediatik që, në kërkim të ethshëm të bujës, nuk i analizon mirë e bukur faktet, por i stis ashtu si mendon se do t’i pëlqejnë publikut. Pikërisht Françesku, në mesazhin e fundit për Ditën e Komunikimeve Shoqërore shpjegon qartë ç’i shtyn gazetarët të japin lajme të rreme, si ky. Suksesi i fake news - vëren Papa - sigurohet në radhë të parë nga natyra e tyre mimetike, domethë, nga aftësia për t’u dukur të mundshme. Së dyti, këto lajme të rreme,  në dukje të vërteta, janë në gjendje të tërheqin fort vëmendjen e publikut. Papa vëren, më pas, se “përmes përdorimit  manipulues  të mediave”, lajmet e rreme   ndiqen aq fort, sa deri përgënjeshtimet më autoritare vështirë se arrijnë t’i shlyejnë dëmet”. Shpif, shpif, se diçka mbetet - na kujton një shprehje popullore. - Po ç’gjë mbetet? Çka vihet në lojë? Ç’e shqetëson Papën? Për Françeskun “shkaqet ekonomike e oportuniste të dizinformacinit e kanë rrënjën në etjen për pushtet”, që “na bën viktima  të mashtrimit  shumë më tragjik se çdo manifestim i tij: mashtrimit të së keqes, që shkon nga falsiteti në falsitet, për të na rrëmbyer lirinë e zemrës”.

Që në fillim të papnisë, Françesku shprehu besimin e tij në veprimtarët e informimit. Besim i ripohuar vit pas viti  me dhënien e një mori intervistash, edhe në mediat  që nuk i kanë “shpatullat të ngrohta” - si revistat e njerëzve pa strehë të Milanos ose radiot e favelave  argjentinase -  pa ngurruar kurrë, as para pyetjeve  më sticuese të gazetarëve. Një akt besimi (e edhe përgjegjësie), aktual edhe për gazetarët, që u morën pikërisht me dokumentin Viganò. “E keni aftësinë e mjaftueshme gazetareske për të nxjerrë përfundimet”- tha Papa gjatë fluturimit të kthimit nga Irlanda - “është akt besimi”. Një besim, që të rikujton thelbin e profesionit të gazetarit, i cili e kërkon të vërtetën, nuk e fabrikon.

30 gusht 2018, 13:06