Papa Françesku e familja Papa Françesku e familja 

Papa i shkruan teologut Walford: "Amoris Laetitia" duhet lexuar e plotë

Papa Françesku shkruan parathënien për librin e Stephen Walford me titull “Papa Françesku, familja dhe divorci. Në mbrojtje të së vërtetës dhe të mëshirës”, që do të dalë së shpejti në librari.

R.SH. - Vatikan

Shkruan “çfarë i thotë zemra” Papa Françesku, në letrën dërguar autorit të një libri kushtuar Nxitjes Apostolike pas-sinodale “Amoris Laetitia”, që do të dalë së shpejti në librari. Pavarësisht se bëhet e ditur sot, letra i është dërguar Stephen Walford që më 1 gusht 2017 si falenderim për vëllimin e tij me titull: “Papa Françesku, familja dhe divorci. Në mbrojtje të së vërtetës dhe të mëshirës”.

Letra publikohet në “Civiltà Cattolica”

         Reflektimi i Papës Françesku në përgjigje të pyetjeve të autorit, të cilat Ati i Shenjtë i lë mënjanë për t'u shprehur lirisht, është parathënia e librit, që publikohet paraprakisht dhe ekskluzivisht, nga revista e jezuitëve italianë “La Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik). “Për t’u vënë në dukje – shkruhet në revistë – fakti që Papa i shkruan babait të familjes, duke konfirmuar se problemet aktuale e konkrete të saj janë trajtuar në Nxitjen Apostolike me një ‘hermeneutikë, që rrjedh nga krejt dokumenti e që është hermeneutika magjisteriale e Kishës, gjithnjë në vazhdimësi (e pa ndërprerje), por edhe gjithnjë në maturim e sipër”. E problemet i përmend vetë Papa: familja në botën e sotme, edukimi i fëmijëve, përgatitja për martesë, familjet në vështirësi e kështu me radhë, për etikën e të cilave “Amoris Laetitia” ndjek doktrinën e Shën Tomës së Akuinit.

Papa dhe Sinodet për familjen

         Ati i Shenjtë e falënderon Stephen Walford edhe për një libër tjetër të tij mbi shoqërinë e shenjtërve, të cilin pati filluar ta lexojë në kohën e shkrimit të letrës. Pastaj, përshkruan udhën e reflektimit të dy Sinodeve për familjen, që solli hartimin e “Amoris Laetitia”. “E gjithë Kisha – shkruan Papa – u lut, reflektoi e, me thjeshtësi, ofroi kontribute të ndryshme”. “Një nga gjërat, që më bëri më shumë përshtypje në këtë proces – vëren Ati i Shenjtë – është dëshira për të kërkuar vullnetin e Zotit, që t’i shërbehet më mirë Kishës… Kjo ndodhi përmes reflektimit, shkëmbimit të opinioneve, lutjes dhe shoshitjes. Natyrisht, pati edhe tundime përgjatë kësaj rruge, por mbizotëroi Shpirti i mirë”.

“Amoris Laetitia” duhet lexuar e plotë

         Papa Françesku thekson se për të kuptuar mesazhin e Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia”, ajo duhet lexuar e plotë, nga fillimi në fund. Kjo, sepse, duke e shfletuar, vërehet zhvillimi i reflektimit teologjik dhe i mënyrës së përballimit të problemeve. “Nuk mund të konsiderohet një ‘vademecum’ mbi argumentet e ndryshme të trajtuara - shkruan Papa. Nëse Nxitja Apostolike nuk lexohet e plotë, në tërësinë e saj e në rendin e argumenteve sipas të cilave është shkruar, nuk do të kuptohet, ose do të kuptohet shtrembër”.

Kush është Stephen Walford

         Autori i librit “Papa Françesku, familja dhe divorci. Në mbrojtje të së vërtetës dhe të mëshirës”, Stephen Walford, është teolog e jeton në Southampton të Anglisë, së bashku me të shoqen Paula dhe me pesë fëmijët. I laureuar në Universitetin e Bristolit, është autor edhe i dy librave të tjerë: “Lajmëtarët e Ardhjes së dytë: Zoja e Bekuar, Mëshira Hyjnore dhe papët e epokës mariane, nga i Lumi Piu IX deri tek Benedikti XVI” (Angelico Press); si edhe “Bashkimi i Shenjtorëve: Uniteti i Dashurisë Hyjnore në Korpin mistik të Krishtit” (Angelico Press). Stephen Walford ka shkruar artikuj për publikime të ndryshme me temë kishtare, eskatologjike dhe mariane. Është edhe pianist dhe mësues muzike.

23 gusht 2018, 11:47