Kërko

Burg Burg 

Imzot Fisichella: dënimi me vdekje, ndryshim Katekizmi në vazhdimësi me magjisterin

Dënimi me vdekje është i papranueshëm: Papa e ndryshoi kështu Katekizmin e Kishës Katolike, në vazhdimësi me mësimet e paraardhësve të vet. Imzot Fisichella: tradita, nëse nuk ruhet nga një magjister gjithnjë i gjallë, nuk është më e tillë.

R.SH. - Vatikan

Formulimi i ri i Katekizmit të Kishës Katolike, që e konsideron të papranueshëm dënimin me vdekje, njoftuar përmes një Reskripti të Papës Françesku, publikuar dje, përfaqëson një “përparim të vërtetë dogmatik”. Pohimi – marrë nga një artikull në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano” – është i kryeipeshkvit Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për promovimin e ungjillëzimit të ri, dikasterit, të cilit i takojnë kompetencat mbi Katekizmin. Sipas prelatit, i cili flet edhe në mikrofonin tonë, teksti i ri, në vazhdimësi me magjisterin e mëparshëm, tregon se tradita e fesë duhet ruajtur, por duhen bërë edhe hapa përpara...

        Imzot Fisichella: Teksti i ri i Katekizmit dëshmon për një zhvillim interesant, sepse deri në tekstin e mëparshëm, që ka të bëjë me dënimin me vdekje, – si në atë të vitit 1992, ashtu edhe në atë të 1997-ës – pranohej akoma mundësia dhe ligjshmëria e tij. Ndërsa tani, Papa Françesku – në vazhdimësi me magjisterin e Papës shenjt Gjon Pali II dhe të Benediktit XVI – pranon ta thellojë më tej argumentin, duke bërë një hap tjetër përpara. E ky hap - siç thuhet, ‘në dritën e Ungjillit’ - na bën të kuptojmë se dënimi me vdekje është i papranueshëm. Prandaj, ka fjalë të qarta, të sakta, që nuk lënë më dyshime.

Pra, a mund të flasim për risi në përmbajtjen e fesë?

          Imzot Fisichella: Absolutisht, po! Sidomos, nëse kemi parasysh kuadrin e ri që paraqet Papa Françesku, pra, atë të dinjitetit të njeriut. Këtu, duhet të vemë në dukje se ka një ndryshim në Katekizëm. Më parë, objektivi ishte të mbroheshin njerëzit, të cilët, për shkak të mjeteve akoma të pamjaftueshme, mund të pësonin dhunë nga ana e ndonjë atentatori. Tani, ndryshon perspektiva dhe objektivi nuk është më mbrojtja e njerëzve; jo sepse kjo nuk mbetet si parim themelor i moralit katolik, por ngaqë është kapërcyer prej sistemeve të reja, edhe të burgosjes, që kanë në dispozicion shtetet demokratike e jo demokratike. Tani, perspektiva është ajo e dinjitetit të njeriut. Papa Françesku s’bën tjetër, veçse kapërcen këndvështrimin kufizues, pasi thotë se askujt nuk mund t’i hiqet mundësia për t’u rehabilituar, pra, edhe për t’u integruar sërish në shoqëri. Natyrisht, kjo kërkon aftësi, nga ana e shtetit, për ta favorizuar këtë përmasë e, nga ana e të dënuarit, impenjimin për t’u rehabilituar. Kjo sepse, pavarësisht nga krimi i rëndë, në këtë këndvështrim, duhet të ekzistojë gjithnjë një mundësi, e cila është shpresë, që i jep dinjitet njeriut. Askujt nuk mund t’i hiqet mundësia për ta rifilluar jetën nga e para. E ne duhet të themi se, ashtu siç kemi raste përsëritjeje të krimit, ashtu kemi edhe shumë shembuj kthimi, rehabilitimi e pajtimi ndërmjet të dënuarit dhe viktimës, apo familjarëve të viktimës. Falenderojmë Zotin për këtë!

         Më në përgjithësi, ky vendim i Papës tregon se ruajtja e “depositum fidei” nuk do të thotë “mumifikim” i fesë, siç keni shkruar edhe në “L’Osservatore Romano”...

          Imzot Fisichella: Absolutisht jo! Papa Françesku pati thënë para një viti, në një kuvend organizuar pikërisht nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri, më 11 tetorin e kaluar, se tradita e Kishës nuk është si batanije e ruajtur në naftalinë. Tradita është e gjallë, për natyrën e vet. Ky është mësimi i Koncilit. Ka një shprehje të bukur anglisht: “fly in ambra”, pra, tradita nuk është si një mizë, që futet në qelibar e ruhet kështu. Kjo do të thotë ta shkatërrojmë traditën. Tradita, nëse s’është e gjallë, nëse nuk mbahet nga një magjister gjithnjë jetik, siç nënvizohet në Kushtetutën dogmatike mbi Zbulesën “Dei Verbum”, nuk është më traditë. Prandaj, mendoj se jemi para një vendimi me rëndësi të madhe. Bëhet një hap vendimtar, që do t’i ndihmojë edhe katolikët në impenjimin e tyre në jetën shoqërore e politike.

03 gusht 2018, 16:05