Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Françesku për Kerala-n: të mos mungojë ndihma e bashkësisë ndërkombëtare

Papa Françesku kërkoi ndihmë për popullsitë e Shtetit indian të Keralës, dëmtuar rëndë nga përmbytjet. Arrin në 350, numri i të vdekurve për shkak të katastrofës natyrore, ndërsa vijojnë operacionet e ndihmës.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi banorët e Kerala-s, në Indi, “goditur rëndë nga shirat e dendura, që shkaktuan përmbytje e shembje toke, me pasojë humbjen e jetëve njerëzore, shpërnguljet e shumta e dëmet e ndjeshme në prodhimet bujqësore e në  banesa”.

Afërsia e Kishës vendase

Përballë shkatërrimit tronditës, Papa kërkoi “që të mos u mungojë këtyre vëllezërve solidariteti ynë dhe mbështetja konkrete e bashkësisë ndërkombëtare. Françesku u shprehu të dëmtuarve edhe afërsinë e Kishës në Kerala, “në vijë të parë të frontit, në ndihmë të popullsisë”. Të lutemi së bashku - përfundoi Papa - “për ata, që humbën jetën, si dhe për gjithë njerëzit, që vuajnë nga kjo fatkeqësi e rëndë e natyrës”.

Rëndohet numri i viktimave dhe i të shpërngulurve

Ndërkaq ka arritur në 357 numri i të vdekurve: 33 vetëm gjatë orëve të fundit, sipas autoriteteve lokale. E më se 223 mijë vetë u detyruan t’i braktisin banesat e tyre e të gjejnë strehë në kampet e krijuara menjëherë, për t’i bërë ballë emergjencës. Sipas qeverisë vendase, dëmet e shkaktuara nga stuhitë e vazhdueshme, kapin shumën 2,9 miliardë dollarë, ndonëse llogaria përfundimtare mund të bëhet vetëm kur të tërhiqet uji. Tani për tani vëmendja është përqendruar në përpjekjet për t’i ndihmuar sa më shumë të dëmtuarit nga këto reshje të jashtëzakonshme, në një vend ku shirat, në këtë kohë, janë të zakonshme. Ndërmjet 8 e 15 gushtit në Kerala  ra 250%  shi më shumë, sesa bie gjatë reshjeve normale.

 

19 gusht 2018, 15:46