Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Dita e Lutjes për krijimin. Papa: uji të jetë në dispozicion të të gjithëve

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi Ditën IV Botërore të lutjes për kujdesin ndaj krijimit, që do të kremtohet të shtunën e ardhshme, duke u ndaluar tek çështja e ujit. Temë, kjo, të cilën e ka prekur disa herë, me shumë shqetësim.

R. SH. - Vatikan

Papa kujtoi se të shtunën e ardhshme do të kremtohet Dita Botërore e Lutjes për kujdesin e Krijimit” që - tha në përfundim të audiencës së përgjithshme - e kremtojmë edhe me vëllezërit e motrat ortodoksë si dhe me Kishat e bashkësitë e tjera të krishtera:

“Në mesazhin e këtij viti dëshiroj të tërheq vëmendjen mbi çështjen e ujit, pasuri e dorës së parë, që duhet ruajtur e duhet vënë në dispozicion të të gjithëve. Shpreh mirënjohjen për nismat e ndryshme, që kanë ndërmarrë Kishat e veçanta, Institutet e Jetës së Kushtuar dhe shoqatat kishtare. I ftoj të gjithë të bashkohen  në lutje, të shtunën, për shtëpinë tonë, për kujdesin, që duhet të kemi ndaj kësaj strehe, që na bashkon.

Lufta botërore për ujin

Mbrojtja e atij, që tashmë quhet “ari blu”, është prej kohe në qendër të shqetësimit të Papës. Në Workshop kushtuar ujit, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave, më 24 shkurt 2017, Françesku pati theksuar: “I bëj shpesh vetes pyetjen: a thua me këtë luftë të tretë botërore pjesë-pjesë, që po jetojmë, po shkojmë drejt luftës së madhe për ujin?”.

Mijëra fëmijë vdesin çdo ditë për shkak të sëmundjeve, që lidhen me ujin

Papa nënvizonte me forcë se “çdo njeri ka të drejtë të ketë ujë të pijshëm e të sigurt”: “është një e drejtë themelore e njeriut dhe një nga çështjet me rëndësi të dorës së parë në botën e sotme”. Duke qenë e drejtë dhe detyrë për t’u mbrojtur, Françesku kërkon impenjimin e shteteve, për të garantuar sigurimin e ujit, duke kujtuar shifrën dramatike: mijëra fëmijë vdesin çdo ditë nga shkaku i sëmundjeve, që lidhen me ujin.

Mëkati e shkatërron krijimin

Dy ditë para takimit të Akademisë Papnore të Shkencave, në audiencën e përgjithshme, Papa pati theksuar rëndësisnë e ujit, që “na jep jetë” e që, megjithatë, ndotet. Kështu dëmtohet krijimi, sepse fodullëku njerëzor, duke e shfrytëzuar gjithësinë, e rrënon. Shën Françesku e quan ujin “vëlla - pati kujtuar Papa në mesazhin drejtuar samitit ndërkombëtar mbi ujin dhe klimën, organizuar tetorin e kaluar në Campidoglio - duke uruar të gjinden udhë që “të ruhet kjo pasuri e çmuar për ardhmërinë e njeriut”.

Rrezikohemi fort, që një ditë të na mungojë uji

Nuk duhet harruar se çështjes së ujit Papa i kushton një pjesë të veçantë të Enciklikës “Lëvduar qofsh”. Uji i pijshëm i pastër ka rëndësi të dorës së parë për jetën dhe ekosistemet e problemi është se në shumë vende kërkesa është më e madhe, sesa mundësia për ta siguruar. Kjo ndjehet sidomos në Afrikë e, më përgjithësisht, në shtresat e varfra të popullsisë që, si pasojë, vuajnë nga një mori sëmundjesh, të lidhura me ujin. Ekziston, pastaj, edhe ndotja e ujit në shtresat ujëmbajtëse, si dhe prirja, në disa vende, për ta privatizuar këtë burim jete, duke e shndërruar në mall, pa menduar fare se uji i pijshëm është e drejtë themelore njerëzore.  Vjen, pastaj edhe problemi i shpërdorimit të ujit.

Të forta, fjalët e Papës, që vë në dukje sinjalizimin e disa studiuesve, sipas të cilëve, pas pak dekadash, do të ndjehet fort e kudo mungesa e ujit: “e nuk duhet harruar se problemet ambientale mund të ndikojnë fuqimisht mbi jetën e miliarda njerëzve”. Nga ana tjetër, parashikohet edhe që kontrolli i ujit nga ana e sipërmarrjeve të mëdha botërore, të shndërrohet në një nga burimet kryesore të konfliktit të këtij shekulli”.

29 gusht 2018, 11:52