Papa Françesku përshëndet të rinjtë e Kilit Papa Françesku përshëndet të rinjtë e Kilit 

Civiltà Cattolica: sfida edukative, sipas Papës Françesku

Një artikull i drejtorit të revistës së jezuitëve, atë Antonio Spadaro, vë theksin mbi sfidën e edukimit për Jorge Mario Bergoglion në Argjentinë dhe frytet që i sjell kjo përvojë Papnisë së Françeskut.

R. SH. - Vatikan

“Sfida edukative ka qenë e është gjithnjë në qendër të vëmendjes së Papës  aktual”. Nis kështu një artikull i gjatë i atë Antonio Spadaros në numrin e fundit të Civiltà Cattolica (Qytetërimi katolik), titulluar “Gjashtë bazat e edukimit, sipas Jorge Mario Bergoglio-s”. Drejtori i revistës së jezuitëve ndalohet tek mendimi  dhe veprimi edukativ i Papës, në vitet kur ishte në Argjentinë si bari e ipeshkëv i Buenos Ajres. Shtatë elementet themelore, nënvizuar nga Spadaro, janë: “ 1) të edukosh e të integrosh 2) t’i pranosh larmitë 3) të përballosh ndryshimet antropologjike 4) shqetësimi, si motor edukativ 5) pedagogjia e pyetjes 6) nuk duhen keqtrajtuar limitet 7) të jetohet fekonditeti  krijues e familjar.

Veprimtaria edukative zgjeron horizontet

Veç këtyre shtatë pikave,  drejtori i Civiltà Cattolica  gjen edhe tri “fjalë kyçe”, që kanë të bëjnë me edukimin: “zgjedhja, kërkesa e pasioni”. Jezuiti nënvizon posaçërisht një shprehje, që Bergoglio ua drejton edukatorëve për të nxitur  veprimtarinë edukative: “Edukimi është një nga artet më të pasionuara  të jetës  e kërkon vazhdimisht zgjerimin e horizonteve”. Në artikull kujtohet edhe se “edukimi nuk është vetëm fakt individual, por popullor e se Bergoglio e ka  konsideruar gjithnjë shkollën si mjet të rëndësishëm për integrimin shoqëror”.

Edukatorët duhet të jenë guximtarë e krijues

Po aq e rëndësishme për Papën Françesku, edhe “mirëpritja e larmive”. Bergoglio mendon se larmitë duhen konsideruar si “sfida, por sfida pozitive, burime, jo probleme”. Sfida edukative, në mendimin e Bergoglios, lidhet edhe me sfidën antropologjike. Prej këndej  - shkruan Spadaro - “nuk mund të pranohet një sjellje, që i ngjet asaj të strucit”. Temë tjetër e poliedrit edukativ të Bergoglios, “është shqetësimi, kuptuar si motor i edukimit”. Prej këndej, thirrja drejtuar edukatorëve “të jenë guximtarë e krijues” e të mos bëhen kurrë funksionarë fundamentalistë, të lidhur me planifikime të ngurta.  Së fundi – nënvizon drejtori i “Civiltà Cattolica” - për Françeskun, edukimi nuk është teknikë, por fekonditet krijues. “Edukimi është fakt familjar, që kërkon lidhjen ndërmjet breznive dhe  transmetimin e përvojës së tyre”.

31 gusht 2018, 13:43