11-12 gusht: "Nëpër njëmijë udhë". 11-12 gusht: "Nëpër njëmijë udhë". 

Cirku Massimo: në pritje, për festën e të rinjve me Papën Françesku

Më se 70 mijë të rinj do të takohen së shpejti me Papën. Po arrijnë në Romë, për të marrë pjesë në takimin e madh, titulluar “Jemi këtu”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane

R. SH. - Vatikan

Hap pas hapi, të rinjtë në shtegtim, nisur nga dioqezat e ndryshme taliane, po arrijnë në Romë. I presin dy ditë të ngarkuara me ngjarje e takime, lutje e muzikë, përmes një sërë nismash të pasura, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane. Caku i parë është Cirku Massimo që, posaçërisht sot, ka një pamje të jashtëzakonshme: të lashtë e të re. Tregon histori, por flet edhe për shpresa të panumërta e zjen nga entuziazmi ngjitës i breznive të reja, që nuk dinë ç’është lodhja.

“Nëpër një mijë udhë” , “Jemi këtu!”.

Kjo e sotmja, në zemër të Romës, është etapë e re drejt një takimi tjetër të madh në jetën e Kishës: Sinodit, në program nga 3 deri më 28 tetor, përqendruar tek tema: “Të rinjtë, feja e shqyrtimi i thirrjes”. Të rinjtë në marshim, nga të katër anët e Italisë, janë në pritje. Shtegtimi i tyre “Nëpër njëmijë udhë”, që  nisi më 3 gusht, do të arrijë një kulm sonte, në mbrëmësoren e lutjes  e një kulm tjetër nesër, në takimin me Papën. Në këtë ngjarje të madhe, titulluar “Jemi këtu” priten më se 70 mijë të rinj.

“Vado al Massimo” – “Ec në maksimum”

Pas përshëndetjes së Papës, do të hapet mbrëmja e festës e do të nisë edhe muzika. Shfaqja titullohet “Vado al Massimo”, shprehje me dy kuptime: “Po shkoj në Cirkun Massimo” por dhe “Ec në maksimum”, titull i një kënge të njohur. Do të transmetohet drejtpërdrejt në orën 21.30, në TV2000. Ndërmjet protagonistëve, do të ketë këngëtarë e artistë të njohur të botës së spektaklit. Por sidomos, histori, dëshmi e çaste bashkimi vëllazëror.

Natë e bardhë

Takimi me Papën Françesku dhe fjalët e tij kërkojnë edhe aftësi për t’u ndaluar  e për të reflektuar, që të mund të rijetohet, ç’u jetua, sepse udha bëhet me hapa, por edhe me pushime. Prandaj të rinjtë do të mund të jetojnë një natë të bardhë, të jashtëzakonshme: disa nga Kishat gjatë  udhës, që të çon në Cirkun Massimo, do të rrinë gjithë natën hapur për lutje personale e komunitare dhe rrëfime. E do të kenë edhe veprimtari të posaçme për të rinjtë, falë ndihmës së shoqatave, dioqezave e lëvizjeve.

Nga Cirku Massimo, në Sheshin e Shën Pjetrit

Nesër, më në fund, në Sheshin e Shën Pjetrit, takimi i Papës Françesku me të rinjtë. Atyre Ati i Shenjtë do t’u dorëzojë mandatin misionar, duke ua bekuar dhuratat që të rinjtë italianë do t’i çojnë në DBR-në e Panamasë: Kryqin e Shën Damianit dhe Shtatoren e Zojës së Loretos. Takimi me Papën do të paraprihet nga Mesha Shenjte, kryesuar nga kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, kardinali Gualtiero Bassetti.

11 gusht 2018, 11:52