Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Rinia dhe Papa në  Via della Conciliazione Rinia dhe Papa në Via della Conciliazione  (ANSA)

Çfarë mbetet nga takimi i të rinjve me Françeskun?

Nga dialogu ndërmjet Papës dhe të rinjve në Cirkun Massimo e nga përshëndetja në Sheshin e Shën Pjetrit, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, dolën reflektime dhe ide, që përvijojnë rrugën, në pritje të Sinodit të tetorit.

R. SH. - Vatikan

Pas kthimit nga dy ditët e Romës, çantat e shpinës së të rinjve e të rriturve, që i shoqëruan, u mbushën me emocione të reja, me pamje që plotësojnë albumin e kujtimeve, me shumë gëzim, por edhe me fjalë të fuqishme, që prekën drejtpërdrejt zemrat. Papa Françesku qe i qartë, pa doreza, nuk iu largua pyetjeve impenjative e pa retorikë, që i bënë të rinjtë. Nga dialogu ndërmjet Papës dhe të rinjve në Cirkun Massimo e nga përshëndetja në Sheshin e Shën Pjetrit, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, dolën reflektime dhe ide, që përvijojnë rrugën, në pritje të Sinodit të tetorit. Ati i Shenjtë u dha të rinjve detyrat e shtëpisë.

Familja e profesioni, të rëndësishme për të rinjtë

         Dolën në pah diça çështje, që lidhin dy Sinodet e kaluara mbi familjen me atë mbi të rinjtë, që do të mbahet në tetor, si për shembull, feja dhe shoshitja e thirrjes për t’ia kushtuar jetën Zotit. Nëse Sinodet e mëparshme patën vënë në dukje vështirësitë e të rinjve për të marrë vendime përfundimtare e për të ngritur familje, tani duhet folur për familjen e për profesionin si vende, ku të rinjtë shprehin vetveten e me të cilat kontributojnë në ndërtimin e Mbretërisë së Zotit.

Papa Françesku u tha të rinjve të rrezikojnë

         Të rinjtë e kanë të nevojshme të rrezikojnë diçka për të ecur përpara në jetë, por nuk duhet të jenë vetëm. E këtu, u takon të rriturve t’i shoqërojnë e t’u qëndrojnë pranë, pa paragjykime. Në fjalët e tij, Papa Françesku foli edhe për këtë, u shpreh kundër klerikalizmit e u bëri thirrje të rriturve ta dëshmojnë krishterimin, jo me fjalë, por me impenjimin e përditshëm, duke treguar haptas se i përkasin Krishtit. Të rinjtë duan dëshmitarë besnikë të Ungjillit, të aftë t’u japin shenja profetike për mënyrën si mund të vihet në jetë sot Fjala e Hyjit.

Ëndrra dhe frika, në fjalët e Atit të Shenjtë

         Këto dy ditë në Romë, Papa Françesku përdori fjalë, që i shkundin të rinjtë nga apatia, për të mos e lënë rininë t’u rrëshqasë nëpër duar si të ishte rërë. I inkurajoi të shohin drejt perspektivave, të mos ndalen kurrë, të gjejnë energji e shpresë për risi. Ëndrra dhe frika – dy kategori, që i karakterizojnë të rinjtë – u panë nga Papa, në pyetje-përgjigjet e Cirkut Massimo, me realizëm të madh të krishterë. Ati i Shenjtë foli për ëndrra të vërteta, ato që secili i ndjen brenda vetes dhe e di se deri ku mund të shkojë për t’i realizuar. Janë ëndrra, që vënë në diskutim botën e të rriturve e planet e tyre të sigurta, por është e nevojshme të ndihmohen të rinjtë për t’i realizuar e për të ndërtuar kështu të nesërmen.

13 gusht 2018, 12:45