Kërko

 Imzot. Angelo Becciu Imzot. Angelo Becciu 

Becciu: Papa duhet deri në fund të fundit, përçarjet kanë pasoja të rënda për Kishën

Në prag të veprimtarisë së tij të parë si prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, lumnimit në Sllovaki të së resë martire, Anna Kolesárová, kardinali Becciu i fton katolikët të bashkohen rreth Papës Françesku, në këto çaste pakënaqësie të thellë, që po jetojnë besimtarët.

R. SH. - Vatikan

Nesër kardinali Angelo Becciu nis detyrën e tij si prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, duke kryesuar, në Kosice të Sllovakisë, ritin e Lumnimit të  Anna Kolesárová-s, një e re 16 vjeçare, e vrarë më 1944 nga një ushtarak sovjetik, gjatë pushtimit vendit nga Armata e Kuqe.

Hirësi, dy fjalë për ndjenjat me të cilat e nisni këtë fazë të re të jetës suaj?

 Po e filloj me qetësi. Kam hirin ta nis ditën e parë të punës me Lumnimin  e kësaj vajze, Anna Kolesárová-s. Pra po e filloj për së mbari e për këtë jam shumë i kënaqur.

Mesazhi, që na vjen nga e Lumja e re?

Mesazh, që shkon krejtësisht kundër rrymës; një çupulinë 16 vjeçe, që ka aq forcë, sa t’i kundërvihet brutalitetit të një ushtaraku sovjetik, i cili deshi ta dhunonte. Ajo nuk pranoi, e jo thjesht për shkak të instinktit të  vetëmbrojtjes, por nga që ishte bindur se pastria vlente më shumë se jeta. Në një botë, që tallet me këto vlera, ky është mesazh tejet i bukur. Më preku fakti se figura e vajzës u zbulua nga një grup studentësh që, duke  e ditur se ishte martirizuar, organizuan një shtegtim drejt varrit të saj. Shtegtim, që bëri bujë të madhe! Aty, ku sundon vdekja, u rizbulua jeta e vajzës, që tërhoqi vëmendjen e meshtarëve, të cilët e përhapën, pastaj, jetëshkrimin e saj.

Dëshmi e feje të fortë e të thjshtë njëherësh, në një periudhë të vështirë për Kishën…  në një kohë kur mendojmë edhe për dokumentin e imzot Viganò-së. Ju, si po i jetoni këto çaste?

Sapo u ktheva nga vendi im, nga Sardenja. Pashë shumë njerëz të pakënaqur, ashtu si unë. Prandaj vuaj me ta e i përsëris - siç kanë bërë edhe të krishterët katolikë -  Atit të Shenjtë afërsinë dhe gatishmërinë për ta mbrojtur gjithnjë.

Çfarë uroni për bashkësinë kishtare, për besimtarët, që u prekën thellë në shpirt nga kjo ngjarje?

Uroj çka e kemi mësuar që kur ishim fëmjë: Papa duhet, e duhet deri në fund të fundit. Nga Papa merren e mirëpriten të gjitha udhëzimet, këshillat e fjalët. Prej këndej, nëse jemi të bashkuar me Papën, Kisha do të shpëtojë.  Por nëse do të krijojmë përçarje - Kisha rrezikon të ketë pasoja të rënda!

 

31 gusht 2018, 14:55