Cerca

Vatican News
 Papa në audiencën e përgjthshme Papa në audiencën e përgjthshme  (Vatican Media)

Audienca e përgjithshme. Papa: për të dashur, duhet të jesh i lirë nga idhujt

Falja është portë gjithnjë e hapur për pajtimin e vërtetë…E kujtoi përsëri ndjesën Papa, por kryesisht foli për idhujtarinë, temë aktuale, me vlerë të madhe, në qendër të katekizmit papnor në audiencën e përgjithshme, takim që rifilloi sot, pas ndërprerjes së shkurtër verore.

R. SH. - Vatikan

Falja është portë gjithnjë e hapur për pajtimin e vërtetë… Për Shën Françeskun është dhuratë, që sjell paqe në zemër…. E kujtoi përsëri ndjesën, Papa. Por katekizmin e audiencës së përgjithshme, takim që rifilloi sot, pas ndërprerjes së shkurtër verore, e përqendroi kryesisht mbi idhujtarinë, temë  aktuale, me vlerë të madhe. Bota - pohoi Françesku - ofron “supermarket-in” e idhujve, që mund të jenë sende, figura, ide, role.

Ta hyjnizosh çka nuk është Zoti, është tundim i vazhdueshëm i fesë, e nuk ka të bëjë vetëm me kultet e rreme të paganizmit. Zhvillimi i idhujtarisë - shpjegoi Papa gjatë audiencës së përgjithshme - lidhet kryesisht me një vizion, që priret të bëhet fiksim, makth.

Idhulli s’është tjetër, veçse projektim i vetvetes në sendet e në planet. Kësaj dinamike i shërben, për shembull, publiciteti: nuk shikoj objektin në vetvete, por e perceptoj atë automobil, atë smartpfone, atë rol - ose sende të tjera - si mjete për t’u realizuar e për t’iu përgjigjur nevojave, që më duken jetike. Dhe e kërkoj paprerë sendin, flas vetëm për të, për të mendoj: ideja për ta pasur atë send ose për ta realizuar atë projekt, për ta zënë atë vend, më duket rrugë e mrekullueshme, e vetmja që mund të më bëjë të lum. Bëhet për mua, kullë, nga e cila mund të  kap edhe qiellin me dorë (krh Zan 11,1-). E gjithçka kam e jam, vihet në shërbim të realizimit të kësaj ëndrre.

Idhujt na vjedhin jetën

Faza e dytë e zhdrivillimit të idhujtarisë është shkatrrimtare: idhujt kërkojnë edhe kultin e atëherë - kujtoi Papa - nis gjunjëzimi para tyre e për ta flijohet gjithçka:

“Në lashtësi idhujve u mblatoheshin flije njerëzore, por edhe sot nuk mungojnë: për karrierë flijohen fëmijët, harrohen, ose nuk nxirren fare në dritë: idhulli i bukurisë kërkon flije njerëzore! Kërkon orë e orë para pasqyrës. Orë të kota, të humbura vetëm për t’u trukuar. E edhe kjo është idhujtari. Nuk po them se truku është punë e keqe. Jo! Trukoju, por normalisht, pa e shndërruar në ide fikse. E pa e flijuar veten, pafajsinë tënde, vetëm e vetëm për të fituar cazë famë, që s’është tjetër, veçse flluskë sapuni”.

Idhujt – nënvizon Françesku - “kërkojnë gjak”

Paraja të rrëmben jetën, e kërkimi i kënaqësisë, ka si pasojë vetminë. Strukturat ekonomike flijojnë jetë njerëzore vetëm e vetëm për fitime më të mëdha. Të mendojmë për gjithë atë turmë njerëzish të papunë. E pse? Sepse sipërmarrësit e kësaj a të asaj ndërmarrjeje, të kësaj a të asaj firme, kanë vendosur të mbyllin, t’i pushojnë njerëzit nga puna, thjesht për të fituar më shumë para. Idhulli i parave! Njeriu jeton nën hijen e hipokrizisë,  duke bërë e duke thënë atë, që presin të tjerët prej tij, sepse këtë ia imponon zoti i afirmimit, interesi. E nuk i bëhet fare vonë se kështu rrënohet vetvetja. E rrënohen edhe jetë të tjera njerëzore, shpërbëhen familjet, braktisen të rinjtë në dorë të modeleve shkatrrimtare, vetëm e vetëm për të mbushur plot kuletën. Edhe droga është idhull. Sa të rij shkatërrojnë shëndetin, madje edhe vetë jetën, duke adhuruar këtë idhull kaq të shëmtuar, që është droga.

Idhujt e shndërrojnë njeriun në skllav

Faza e tretë është më tragjikja: idhujt skllavërojnë. Ta premtojnë lumturinë, por nuk ta japin;  e njeriu nis e jeton për këtë a atë gjë, këtë a atë vizion, i kapur nga një gjeratore vetë-shkatërruese, në pritje të një rezultati, që nuk arrihet kurrë. Idhujt premtojnë të të japin jetën, ndërsa ta marrin. Jo kështu bën Zoti i vërtetë. Zoti nuk ta kërkon jetën, ta dhuron! Zoti i vërtetë nuk të ofron projektimin e  suksesit, por të mëson të duash. Zoti i vërtetë nuk t’i kërkon bijtë, por dhuron Birin e vet për ne! Idhujt projektojnë hamendje ardhmërie e të bëjnë ta pëbuzësh të sotmen, që shkon e s’kthehet më, ndërsa Zoti i vërtetë të mëson të jetosh në realitetin e çdo dite, ta jetosh me fund çdo çast.

Mund të duash me të vërtetë, vetëm kur je i lirë nga idhujt

T’i njohësh idhujtaritë tua - përfundoi Papa - është fillesë hiri, që hap udhën e dashurisë. E dashuria është e papajtueshme me idhujtarinë:

“Për të shkuar pas idhujve, pas një idhulli, mund të arrijmë deri atje, sa të mohojmë babën, fëmijët, gruan, burrin, familjen. Gjërat më të dashura në jetë. Kapja pas një sendi a një ideje, na i verbon sytë aq, sa të mos e shikojmë më cila është dashuria e vërtetë. Mos harroni; idhujt na e rrëmbejnë dashurinë, na bëjnë të verbër për dashurinë. Për të dashur vërtet, duhet të jesh i lirë nga çdo lloj idhulli. Cili është idhulli im? Hiqe, shkule e flake nga dritarja!”.

Duke iu drejtuar shtegtarëve të gjuhës italiane, Papa Françesku kujtoi se sot kremtohet festa liturgjike e Shën Alfons Maria de’Liguorit, “bari i zellshëm, që i fitoi zemrat e njerëzve me butësinë dhe ëmbëlsinë e zemrës së tij”. Shembulli i Shenjtit ju ndihmoftë ta jetoni me gëzim fenë tuaj, në veprimet e thjeshta të çdo dite – uroi në përfundim Papa.

01 gusht 2018, 13:37